21.3 C
Pristina
Saturday, July 13, 2024

Bilanci trishtues: tetë sulme çdo ditë ndaj shkollave

Më të lexuarat

Vendet më të goditura: Palestina, Ukraina, Republika Demokratike e Kongos dhe Mianmari

Nga Beatriz Lecumberri, El País

Studente të plagosura nga disa predha të lëshuara mbi një konvikt femrash në një universitet në Sudan. Një shkollë e OKB-së në kampin e refugjatëve Al Maghazi në Rripin e Gazës, e bombarduar nga ushtria e Izraelit. Dy nxënës të një shkolle fillore të vrarë në një fshat të Mianmarit, ndërsa po ktheheshin nga shkolla në shtëpi. Rreth 350 persona të bllokuar nga forcat ushtarake ruse në një shkollë ukrainase. Mësues dhe nxënës që kërcënohen brenda klasave të tyre nga një grupim i armatosur në rajonin Santander në Kolumbi.

Çdo ditë, në nivel global regjistrohen mesatarisht tetë sulme kundër arsimit.  Ato variojnë nga sulmet kundër nxënësve ose mësuesve, deri tek përdorimi ushtarak i shkollave. Kjo sipas Koalicionit Global për Mbrojtjen e Arsimit nga Sulmet (GCPEA), që sapo ka publikuar raportin e tij për vitet 2022-2023.

Pikërisht gjatë këtyre dy viteve, më shumë se 10.000 nxënës, studentë dhe mësues janë vrarë, plagosur apo rrëmbyer.

Kjo shifër është 10 për qind më e lartë krahasuar me periudhën 2020-2021. Përveç kësaj, u identifikuan të paktën 6.000 sulme kundër shkollave, universiteteve, studentëve dhe mësuesve, si dhe raste të përdorimit ushtarak të institucioneve arsimore. Dhe ky numër është 20 për qind më i lartë se dy vitet e mëparshme, sipas GCPEA, qëu formua në vitin 2010 nga subjekte të ndryshme që merren me mbikëqyrjen e arsimit në kontekste emergjente dhe të konflikteve.

Gjatë viteve 2022-2023, vendet me numrin më të madh të sulmeve kundër shkollave ishin Palestina, Ukraina, Republika Demokratike e Kongos (DRC) dhe Mianmari. “Në total, kemi analizuar 28 vende në konflikt. Ky është raporti ynë i shtatë, dhe kemi vëmë re se rritja e sulmeve në nivel global ka qenë më domethënëse se në raportet e mëparshme”, thotë Zherom Marston një nga autorët e hulumtimit në një intervistë për El País.

Vendet që shënuan rritjen më të madhe të sulmeve kundër institucioneve arsimore krahasuar me dy vitet e mëparshme ishin Ukraina, ku lufta u përshkallëzua; Sudani, ku shpërtheu sërish konflikti në prillin e vitit 2023; Palestina, për shkak të luftës në Gaza; Siria – ku studentët rekrutoheshin nga grupe të armatosura dhe ku u shtuan sulmet kundër objekteve sarsimore – dhe, së fundi, Nigeria, ku u rrit numri i shkollave të shndërruara në kazerma, baza apo depo armësh.

Në total, GCPEA regjistroi 1.000 raste në të cilat qendrat arsimore u përdorën për qëllime ushtarake – një shifër që është dukshëm më e lartë në krahasim me periudhën e mëparshme. Përveç Nigerisë, një numër i konsiderueshëm i këtyre incidenteve u regjistruan edhe në Afganistan dhe Mianmar.

Po çfarë cilësohet si sulm ndaj arsimit? Studimi identifikon disa lloje:sulme ndaj qendrave arsimore, ndaj nxënësve dhe mësuesve, përdorim ushtarak të shkollave, rekrutim të djemve dhe vajzave për t’u përdorur si fëmijë-ushtarë, dhuna seksuale në klasa.

“Studentet dhe mësueset, ishin në shënjestër të drejtpërdrejtë në më shumë se 10 vende, për shkak të gjinisë së tyre. Vajzat janë të parat që e braktisin shkollën dhe të fundit që kthehen pas sulmeve, duke i bërë këto sulme çështje të barazisë gjinore”, theksojnë më tej autorët.

Së fundi, Palestina ka pasur të dhëna të frikshme si rezultat i bombardimeve dhe i rrafshimit të shkollave dhe universiteteve nga Izraeli.

Të paktën 640 sulme u regjistruan në periudhën e studiuar. Marston paralajmëron se studimi përfundoi më 31 dhjetor 2023. Por që atëherë, arsimi në Gaza – ku lufta vazhdon – ka qenë nën një sulm të ri. “Midis përshkallëzimit të luftimeve në tetor dhe dhjetor 2023, OKB-ja raportoi dëmtimin e të paktën 352 shkollave në Rripin e Gazës, ose më shumë se 60 për qind të totalit”, thuhet në raport.

Në Ukrainë, 700 sulme ndaj shkollave nga forcat ruse u regjistruan midis viteve 2022-2023, kryesisht në rajonet jugore dhe lindore, përfshirë përdorimin e armëve shpërthyese dhe sulmet ajrore. Por kjo nuk është e pazakontë:sulmet ndaj shkollave, ndodhin në shumë vende të tjera në mbarë botën.

“Ne u tmerruam pasi ishte hera e parë që ndodhte. Dhe shumica e nxënësve ishin të traumatizuar sepse bomba shpërtheu pikërisht në çatinë e shkollës”, kujton një nxënës filipinas, duke iu referuar përleshjeve në mars 2023 midis ushtrisë dhe një grupi të armatosur Mësimi u pezullua në shumë shkolla. Përleshjet prekën 112 qendra arsimore dhe më shumë se 30.000 nxënës.

Informimi, mbrojtja dhe ndjekja penale

Në të njëjtën periudhë, ka pasur disa vende ku sulmet ndaj shkollave u reduktuan, falë zbutjes së konflikteve. Raporti thekson rastet e Republikës së Afrikës Qendrore, Libisë, Malit dhe Mozambikut. Për të reduktuar numrin e sulmeve, koalicioni rekomandon nënshkrimin dhe vënien në praktikë të Deklaratës së Shkollave të Sigurta, një marrëveshje politike ndërqeveritare kushtuar mbrojtjes së arsimit në konfliktet e armatosura.

E filluar në vitin 2015 dhe e udhëhequr nga Norvegjia dhe Argjentina, deklarata është nënshkruar tashmë nga 120 vende. Përveç kësaj, shtetet këshillohen të raportojnë më shumë për këto sulme, të ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës, të ofrojnë ndihmë për të mbijetuarit dhe t’i vënë një theks të veçantë detyrës për të parashikuar dhe zbutur ndikimin e sulmeve.

Së fundi, raporti paralajmëron mbi pasojat afatgjata të ndërprerjeve të aktivitetit të shkollave për shkak të konflikteve dhe sulmeve. Në vitin 2022, konflikti në Kivun e Veriut – një provincë në Republikën Demokratike të Kongos (DRC) – e detyroi Muhave Uimanan të largohej nga fshati ku jetonte me djalin e saj shtatëvjeçar, Isak.

Ai nuk mundi ta mbaronte dot vitin shkollor. Në vitin 2023, u krijuan qendra të përkohshme mësimore në kampin Bushagara, në mënyrë që djemtë dhe vajzat të mund të vazhdonin të mësonin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit