-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Sherif Ahmeti (1920-1998)

Më të lexuarat

 

Populli ynë ndër shekuj e vite nxori personalitete dhe figura të shquara, që me punën, veprën dhe dijen e tyre lanë gjurmë të thella në historinë tonë, dhe jo vetëm që lanë gjurmë, por ata edhe e bënë historinë.

I tillë qe dhe do të mbetet myderrizi ynë i nderuar Haxhi Sherif efendi Ahmeti, ndonëse jetoi dhe punoi në një kohë të vështirë e plotë kthesa, la gjurmë të thella në historiografinë më të re të popullit tonë. Të parët e familjes së tij u dëbuan dhunshëm gjatë kohës së spastrimit të territoreve shqiptare nga Saxhaku i Nishit, respektivisht nga Toplica konkretisht nga fshati Prekopucë në fshatin Gumnasellë të komunës së Lypjanit, ku më 1920 lind Sherifi nga babai Bahtiri e nëna Ajshja, në një familje me traditë fetare e kombëtare. Katër klasat e para të shkollës fillore, h. Sherifi i kreu në shkollën fillore të fshatit Banullë. Atë kohë, në shkolla mësohej edhe lënda fetare, dhe njohuritë e para për mësimet islame i mori në këtë shkollë nga mulla Azizi – një hoxhë i respektuar nga Banulla, për të vazhduar edhe në mejtepin e fshatit. Më vonë h. Sherifi vazhdoi mësimet në medresenë e Ferizajt, ku mësoi morfologjinë e gjuhës arabe (sarfin) te myderrizi i njohur Azem ef. Gremja, ndësa sintaksën (avamil) në medresenë e Prizrenit te hfz. Abdullah Efendiu. Më 1934 si 14 vjeçar regjistrohet në Medresenë e njohur “Pirinaz” të Prishtinës, ku pati fatin e mirë ti ndiqte mësimet tek myderrizët e njohur të kësaj medreseje – Ahmet ef Mardoqi dhe haxhi Hamdi ef. Ibrahimi, të dy alimë, me përgatitje të lartë në shkencat islame, që shquheshin edhe për atdhedashuri, nga të cilët h. Sherifi do t’i merrte që të dyja. Në Medresenë “Pirinaz” h. Sherifi mësoi plotë 10 vjet deri në maj të vitit 1944, kur e kreu dhe mori Ixhazetnamenë nga muderrizi Ahmet ef. Mardoqi.

Haxhi Sherifi mësuesi i shkollave e alfabetit shqip

Menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Haxhi Sherifin e gjejmë të angazhuar në procesin e hapjes së shkollave shqipe në rrethinën e Lypjanit, si mësues i gjuhës të alfabetit shqip. Është kjo kohë kur intelektualët shqiptarë të kohës u organizuan në hapjen e shkollave në gjuhën amtare e haxhi Sherifi qe ndër të parët që me shumë zell iu përkushtua misionit të mësuesit Kështu më 19 dhjetor të vitit 1949 emërohet mësues i parë i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Banullës. Me qëllim të përgatitjes dhe profesionalizimit të mirëfilltë për profesion që kishte marrë, haxhi Sherifi më 1950 regjistrohet në kursin pedagogjik në Pejë, të cilin e kryen me sukses. Menjëherë pas kryerjes së këtij kursi Haxhi sherifi emërohet drejtor i gjimnazit të ulët në Gadime të Lypjanit. Më 1952, haxhi Sherifi emërohet drejtor i tetëvjeçares në Sllovi deri më 1955, ku krahas detyrës së drejtorit ushtroi edhe atë të mësuesit. Këtu në Sllovi, h. Sherifi mbajti edhe kursin e shëndetësisë për vajza, që asokohe ishte i detyrueshëm. Gjatë kohës sa punoi mësues, h. Sherifi dha kontribut të madh në arsimimin e brezit të ri në gjuhën shqipe.

Haxhi Sherifi në sy të komisarve të pushtetit

Mirëpo haxhi Sherifi vinte nga një familje me traditë e orientim të pastër kombëtar, si dhe kishte marrë mësime nga myderrizët më në zë të kohës, që e kishin edukuar në frymën e atdhedashurisë. Ai si i ri e entuziast, shumë shpejt bie ndesh me orientimin e “pushtetit gjoja popullor” të komunistëve e ateistëve, komisarët e të cilëve filluan që të bëjnë presion nga më të ndryshmet, duke e quajtur si të papërshtatshëm për punë me nxënës dhe si një ish – ballist. I gjendur në mes presioneve, akuzave e shantazheve, haxhi Sherifi më 1956 len detyrën e mësuesit për t’iu rikthye misionit të imamit në xhaminë e fshatit Gllogoc të Lypjanit. Si imam haxhi Sherifi arriti që të krijoj një imazh të një hoxhe të kohës duke sjell freski në mesin e xhamatit kudo që u paraqit. Sa ishte imam, zgjidhet kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Lypjanit, detyra që h. Sherifi i kreu me ndërgjegje e përkushtim të lartë deri në fillim të vitit 1965, kur nga Lypjani kaloi mësimdhënës në Medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës.

Haxhi Sherifi Myderriz në medresenë e Prishtinës

Në medrese H. Sherifi punës së mësimdhënësit iu përkushtua me një zell e devotshmëri të veçantë. Ai shquhej për modesti, thjeshtësi e kreativitet. Si arsimdashës, vërtet haxhi Sherifi me punën e tij me nxënës kishte krijuar raporte të afërta saqë të gjithë nxënësit pos që e donin dhe e respektonin si mësimdhënës e myderriz, metoda e tij e ligjërimit e kishte bërë të dashur tek nxënësit edhe lëndën e tij –lëndën e Akadit. Në medrese haxhi Sherifi ligjëroi lëndët e Akaidit (Apologjetikës) e Filozofi islame, ku dha një kontribut të paçmuar, mirëpo sipas nevojës haxhi Sherifi ligjëroi në medrese lëndën e Usuli Fikhut dhe atë të historisë islame. Krahas detyrës së mësimdhënësit, h. Sherifi për 13 vjet rresht (1970-1983) ka qenë drejtor i medresesë, një detyrë që e kreu me shumë sukses. Gjatë kohës sa haxhi Sherifi udhëhoqi me Medresenë u shënuan rezultate të mira, ngase në mungesë të teksteve shkollore për lëndët fetare, arsimtarëve të medresesë u ra barra që vet të përkujdesën për përgatitjen e tyre, ku haxhi sherifi bën hapin e parë duke përgatitur dispensat e akaidit për tri vitet e para veprim të cilin e ndoqën edhe mësimdhënësit tjerë, për lëndët përkatëse. Krahas angazhimit të tij në medrese, haxhi Sherifi një kontribut të madh dha edhe në udhëheqjen dhe drejtimin e institucioneve fetare të bashkësisë islame. Kështu më 1969, haxhi Sherifi zgjidhet kryetar i Shoqatës së Ylemave. Edhe këtu haxhi Sherifi tregohet udhëheqës dhe vizionar i madh. Duke parë nevojën e besimtarëve për nxënien e njohurive fetare, dhe mungesën e teksteve fetare në gjuhën shqipe, haxhi Sherifi me shokë, megjithëqë i përballur me shumë sfida e peripeci, vëmendje të posaçme i kushtoi pikërisht përgatitjes së literaturës islame në gjuhën shqipe. Këtë mision të vështirë ai e morri me seriozitetin më të madh, kështu më 1968 arrin të botonte të përkthyer në gjuhën shqipe ilmihalin, ku besimtarët kishin mundësi t’i mësonin njohurit elemtare të fesë.

Haxhi Sherifi themelues i publicistikës islame në gjuhën shqipe

Po në këtë kohë haxhi Sherifin e gjejmë kryeredaktor të Buletinit informativ, të cilin më 1971 e transferoi në revistën e parë në trojet shqiptare në ish-federatën Jugosllave në gjuhën shqipe “Edukata Islame”. Edukata Islame nën drejtimin e haxhi Sherifit, arriti t’i tubonte ata pak dashamirës të fjalës së shkruar, duke hapur horizonte për bashkëpunëtorë të rinj, dhe për një kohë të shkurtër revista u bë tribunë e mendimit dhe e zhvillimit të kulturës islame si dhe përhapjes së fjalës e mesazhit islam tek besimtarët. Puna dhe kontributi i haxhi sherifit në publicistikën islame, e bënë atë një erudit të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Me punimet e tij në periodikun e kohës ai trasoi një rrugë të sigurt për brezat e ri duke hapur perspektivën e sigurt për të ngritur këtë fushë në themele të shëndosha. Revista “Edukata Islame” dhe Takvimi, lexuesve u ofroi tema të ndryshme nga njohuritë islame, të ahlakut, fikhut, akaidit, historisë islame, tefsirit, si dhe në tema të ndryshme me karakter kulturor, e në shumë nga këto fusha sidomos në Akaid e tefsir haxhi Sherifi vuri themelet e këtyre shkencave në periodikun e asaj kohe. H. Sherif Ahmeti u shqua edhe si vaiz, sidomos pas emërimit të tij për myfti të Prishtinës në vitin 1985.

Haxhi Sherifi Myfti i Prishtinës

Haxhi Sherifi si vaiz në këshillat e tij ishte konkret dhe gjërat i ilustronte nga jeta e përditshme. Kështuqë të gjithë ata që patën fat t’i dëgjojnë këshillat e tij edhe sot e kësaj dite e përmendin me admirim të madh. Haxhi Sherifi pos që ishte i respektuar e i nderuar nga nxënësit, kolegët e xhemati, për njohuri që posedonte, respektohej edhe nga qarqe shkencore e nga personalitete më eminente në fushën e dijës, me të cilët mbante kontakte e korrespodenca të rregullta.

Haxhi Sherifi përkthyes i Kuranit në shqip

Kontributi i haxhi Sherifit është shumë dimesional, përfshirë fusha të ndryshme, si arsimtar i gjuhës shqipe, drejtor shkolle, myderriz në medrese, themelues i publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë. Ai përgatiti ilimihallin, jasinin, e mevludin, por ska dyshim se kontributi më i madh i tij është përkthimi i Kuranit të madhëruar, që e botoi më 1988, që atë e ngrit në rangun e eruditëve të mëdhenj dhe emrin e tij e bënë të paharruar ndër breza. Përkthimi i kurani nga haxhi Sherif Ahmeti është ribotuar disa herë, vetëm në Medinë më 1992 është botuar në 1 milion copë duke e bërë të pranishëm në thuaje çdo bibliotekë e shtëpi të shqiptarëve.

Haxhi Sherifi pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame

Haxhi Sherifi megjithëqë në pension e në moshë të shtyrë, më 1992 iu përgjigj kërkesës së Dekanatit të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, që u themelua atë vit, për të ligjëruar lëndën e Akaidit. Themelimin i fakultetit të studimeve islame ishte një ëndërr e kamotshme e brezit të hoxhallarëve të haxhi Sherifit, andaj ëndrra e tyre u bë realitet dhe këtë realitet e shijoi edhe myderrizi haxhi Sherif Ahmeti i cili dy vite ligjëroi lëndën e Akaidit. Segment tjetër i rëndësishëm në jetën e haxhi Sherifit është botimi i përmbledhjes së një pjese të punimeve të tij më 1995 nga shtëpia botuese Lidhja, nën redaktuarën e Nysret Simnicës në të cilën janë përfshirë një pjesë e kontributeve të haxhi Sherifit në periodikun e kohës. Haxhi Sherifi vdiq më 14 prill 1998, duke lënë një trashëgimi të pasur, la medresenë e konsoliduar, trasoi rrugën e suksesshme të publicistikës, la përkthimin e Kuranit, la qindra artikuj të botuar, la fakultetin në hapat e parë të tij. Vdekja e haxhi Sherifit ishte humbje e madhe për të gjithë ne, por në të njëjtën kohë vepra dhe kontributi i tij mbetet kandil i pashuar.

Ramadan Shkodra

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit