2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

“Shenjtërimi” i Vuçiçit në Jerusalem Post: Po parandalon Luftën e Tretë!

Më të lexuarat

Shkrimi proserb i politikanit izraelit me gjysmë të vërteta

Anëtari i Knesset-it, Boaz Toporovski shkroi një artikull autorial për Jerusalem Post në të cilin analizoi krizën politike globale dhe tensionet midis Lindjes dhe Perëndimit, të cilat aktualisht po shfaqen në Ukrainë.

Ai pretendon se duke pasur parasysh situatën aktuale globale, ekziston nevoja për “lidership të fortë, të shëndetshëm dhe të moderuar që di të manovrojë midis interesave të ndryshme, duke parandaluar kështu luftërat dhe duke kontribuar në stabilitetin ndërkombëtar”.

Duke i shmangur vëmendjes ndërkombëtare, Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë që nga viti 2014, është angazhuar në përpjekje komplekse për të ruajtur stabilitetin në Ballkan. Duke kujtuar se Lufta e Parë Botërore shpërtheu në Serbi, Vuçiç po punon për të parandaluar një të re, pas tensioneve në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, shkruan Toporovski.

“Çdo gabim për Kosovën mund të çojë në konflikt”

Ai rikujton se para disa ditësh një polic në Kosovë pa asnjë arsye ka qëlluar dy serbë, njëri prej të cilëve 11 vjeç. Ai shton se po shtohet presioni nga opinioni serb ndaj lidershipit që të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj provokimeve të Kosovës. “Jam i sigurt se Kosova ka shpjegimet e veta, por si mund ta arsyetohet keqtrajtimi i vazhdueshëm të minoritetit serb?”, pyet retorikisht Toporovski, i cili qartazi dhe trashë mban anën serbe në shkrim.

Kjo vërehet dhe nga tema e zgjedhur, duke “shenjtëruar” diplomatikisht Vuçiçin.

Ai thekson se Serbia ka një pozicion strategjik në Evropën Lindore, si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit. Duke marrë parasysh se Rusia kundërshton njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, Toporovski beson se çdo gabim në lidhje me Kosovën mund të çojë në konflikt mes Perëndimit dhe Lindjes, Rusisë dhe NATO-s, Kinës dhe SHBA-së.

Përfaqësuesi i Knesset-it është i bindur se Serbia, ndryshe nga Kosova, po bën përpjekje të konsiderueshme për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore. Si dëshmi për pretendimin e tij, ai përmend ngjarjet e dhjetorit, kur qindra serbë në Kosovë vendosën bllokada në rrugët që të çojnë në Serbi dhe ushtria serbe ishte në gatishmëri.

“Vuçiç rrezikoi popullaritetin e tij për hir të stabilitetit”

“Në kundërshtim me pretendimet se Serbia do të nisë një luftë, Vuçiç shkoi në kufi për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për të arritur një marrëveshje që parandaloi përshkallëzimin. Ai gjithashtu u mbështet në ndihmën e administratës amerikane, e cila e kuptoi peshën e krizës së mundshme. Vuçiç tregoi çfarë është lidershipi”, pohoi Toporovski.

Ai supozon se Vuçiç, i cili e filloi karrierën e tij politike në një vend të shkatërruar nga lufta civile, mësoi nga gabimet e viteve 1990 dhe prandaj po punon për të vendosur stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ai thekson se presidenti serb, duke rrezikuar rënien e popullaritetit, ka negociuar me zyrtarët e Kosovës me mbështetjen e presidentit të atëhershëm Donald Trump.

“Një lider politik matet me aftësinë e tij për t’i udhëhequr njerëzit në drejtimin e duhur, jo me përpjekjet e tij për t’i kënaqur ata. Vuçiç veproi në atë mënyrë sepse mendonte se ishte e drejtë për të ardhmen e Serbisë dhe të rajonit. Për të parandaluar vazhdimi i kaosit ndërkombëtar, na duhen liderë të balancuar dhe me përvojë, të cilët dinë të lundrojnë mes interesave të ndryshme dhe të shmangin përshkallëzimin”, përfundon Toporovski. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit