2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Shëndetësi apo Demokraci?

Më të lexuarat

Redi Shehu

Pas pothuaj dy muajsh karantinë fizike dhe ekonomike, tashmë thelbi i problemit i gjithë kësaj pandemie, fillon dhe zhvendoset nga mjekësia, shëndetësia, ekonomia, mbi të gjitha, tek shëndeti i sistemeve demokratike në botë. Ky shqetësim ngjan të jetë real në kohën kur presioni i stresit të koronavirusit ka filluar të bjerë, deri në atë masë, sa për të kuptuar që gjatë gjithë këtyre muajve, për shkak të emergjencës, kemi qenë të kyçur brenda disa kllapave ligjore e juridike, të cilat kanë dëmtuar rëndë sistemin e lirive dhe të drejtave bazike njerëzore. Në momente emergjence, është e vështirë që njerëzit të kenë atë elegancën e duhur për t’u kujdesur dhe mirëmbajtur standartet e lirive të tyre. Aq më tepër kur një pandemi si kjo e Covid-19, ishte veçanërisht e lidhur me të sfiduarit e kuptimit tonë të bashkekzistencës duke goditur pikërisht lirinë e lëvizjes, lirinë e takimit, si dhe të gjitha liritë e të organizuarit në jetën publike.

Tani, që pesha e sprovës sa vjen e lehtësohet, tani që numri i viktimave dhe i të infektuarve sa vjen e zvogëlohet, ndërgjegjja njerëzore e kupton se mënyra më e natyrshme për të vazhduar jetën, është dalja nga kufizimet e pandemisë dhe kthimi në natyrshmërinë e lirisë si thelbi i organizimit të shoqërisë njerëzore. Por frika, e cila e shoqëron këtë proces, është se mos ndoshta ekzistenca për një kohë të gjatë e virusit mes nesh, do të shërbejë si një alibi perfekte, për ta modifikuar sistemin e demokracive drejt të ashtuquajturave “regjime sanitare” apo edhe “diktatura sanitare”, ku thelbi i tyre do të ishte “përkujdesja”. Nën pretekstin e përkujdesjes ndaj popullatës për të mos rënë pre’ e pandemisë, potencialisht, ato shtete në shkallë më të ulët të demokracisë, mund të ndërtojnë një sistem ku diktati i përkujdesjes, të pasohet me kufizime në kurriz të lirive themelore njerëzore dhe e gjithë kjo për një kohë të gjatë.

Frikëra të kësaj natyre e kanë bazën në sjelljet e disa qeverive që u panë gjatë gjithë kohës së karantinës duke e bërë më të besueshme këtë hipotezë. Para virusit kishte plot shtete me demokraci në reanimacion (si rasti jonë), gjatë pandemisë shumë demokraci kaluan në intubim, tani ajo që pritet me frikë është se sa demokraci do të vdesin pas gjithë kësaj. Sot kemi demokraci hibride (demokraci plus autoritarizëm) që u shfaqën që me rastin e krizës së emigrantëve pak vite më parë dhe që u kthjelluan tani në kohën e pandemisë. Kryeministri i Hungarisë Orban, me pretekstin e pandemisë, bëri një ligj i cili e lejon atë që të qeverisë me dekrete për një kohë të pakufizuar. Po ashtu Polonia, Çekia dhe Sllovakia, përdorën virusin për të përqendruar vendimmarrjen në pushtetin e liderëve të tyre. Kryeministri i Izraelit, Netanjahu, gjatë pandemisë pezulloi parlamentin dhe sistemin gjyqësor, pikërisht në kohën kur ky i fundit kishte ngritur padi për korrupsion kundra tij. Presidenti Brazilit, Bolsonaro, gjatë krizës së virusit, pezulloi me ligj të drejtën për informim të lirë të opinionit publik. Kina dhe Rusia, duke shfrytëzuar boshllëqet e lëna nga BE-ja për shtetet anëtare, dërguan plot ndihma sanitare për shtetet e prekura evropiane, duke i dhënë zë grupeve anti-BE që të kthejnë vëmendjen nga Kina dhe Rusia si modele të suksesshme politike për kapërcimin e krizës sanitare.

Në fakt Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, lejon luhatjen e të drejtës “për lëvizjen e lirë” të qytetarëve, vetëm nëse është për të mirën publike, por duke mos u kthyer në formë diskriminuese dhe mbi të gjitha duke pasur zgjatje të kufizuar në kohë. Pra, është krejtësisht e qartë se situata emergjente e Covid-19 mund të justifikonte këto masa në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, por ama, thelbi i këtyre masave është që ata duhet të jenë bashkudhëtare me të drejtat e njeriut si dhe me pushtetin e ligjit. Nëse virusi arrin të shkatërrojë jetët e disa njerëzve kjo nuk do të thotë që ta lejojmë atë që të shkatërrojë vlerat e shoqërisë njerëzore ku në thelb të saj është liria. Formula më e mirë në raste të tilla përmblidhet në shprehjen:”Masa afatshkurtra pa cenuar vlerat afatgjata”. Sfida e qeverive serioze sot, është ajo për të gjetur ekuilibrin mes masave që ndalojnë përhapjen e epidemisë dhe mbrojtjen e jetëve njerëzore nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, të respektojnë liritë e njeriut, dinjitetin dhe barazinë e tij.

Gjëja më e rrezikshme në këtë kohë “kolere” është mundësia e spostimit të aktivitetit politik nga institucionet demokratike si organizma përfaqësimi pushteti, drejt vetëm liderëve politikë. Sot, qeverisjet në më të shumtën e rateve po bëhen nga liderët të cilët kanë akumuluar pushtet dekretesh për shkak të pandemisë. Pra, e gjithë politika institucionale e dikurshme, tashmë është përqëndruar në dorën e disa liderëve politikë. Kjo mund të jetë deri diku e kuptueshme për fazën transitore të pandemisë. Në kohën që dy modelet qeverisëse në botë, njëra demokratike dhe tjetra jodemokratike, u bashkuan për shkak të virusit në një paradigmë emergjence, pyetja që shtrohet është se, tani pas normalizimit të gjendjes, sa nga qeveritë do ta zhvendosin aktivitetin politik nga lideri drejt institucioneve demokratike? Sa prej tyre do heqin dorë nga prodhimi i psikologjisë së frikës dhe nga militarizimi i hapësirave publike?

Në këtë rast, kthimin më të shpejtë në jetën institucionale demokratike, në liritë dhe të drejtat themelore civile dhe individuale, do ta bëjnë ata shtete apo kombe të cilat kanë pasur një të kuptuar të drejtë dhe të qenësishëm të filozofisë së vetë lirisë. Ata që kanë një të kaluar të konsoliuar në eksperiencën tyre me lirinë. Më të rrezikuarit ngelen ato shtete të cilat kanë hyrë rishtazi në jetën e demokratike, ose thënë më mirë ato shtete që njihen si “demokraci totalitare” ku procedura në fasadë është demokratike, por rezultati në thelb është totalitar. Në këtë kategorinë e fundit, të rrezikuar jemi edhe ne, për shkak të marrëdhënieve tona problematike që pushtetet politike kanë pasur me vetë lirinë dhe të drejtën. Në raste të tilla, shpresa më mirë, në kohën kur vaksina nuk ekziston, qëndron tek dalja e demokracisë tonë nga intubimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit