Administrata amerikane njoftoi të martën se po zgjeron një program që do t’u japë mundësi të miturve nga Amerika Qendrore të vijnë ligjërisht në SHBA. Ky njoftim ka mundësi të rezultojnë në dhjetëra mijëra vetë që do të kenë të drejtën të futen ligjërisht në SHBA, sipas gazetës Wall Street Journal.
Programi i krijuar gjatë administratës së Presidentit Obama në 2014 do të shërbente për të lejuar të rinj deri në moshën 21 vjeç nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori të futen në SHBA ligjërisht.
Ish-Presidenti Trump e anuloi këtë program në 2017, duke thënë se një masë e tillë kërkon miratimin e Kongresit. Presidenti Joe Biden e ktheu në fuqi më 10 mars.
Para se programi të anulohej nga Presidenti Trump, 1,450 të mitur kishin marrë leje të futeshin në SHBA, ndërsa 2,700 të tjerë kishin marrë një miratim me kusht, shkruan Wall Stree Journal.
Më parë, për të përfituar nga programi duhej që personi që aplikonte të kishte një prind me banim në SHBA, por njoftimi i së martës e hap programin për të mitur që kanë një prind ose një të afërm me status kujdestari i cili ka aplikuar për vizë apo azili, ose me banim në SHBA.
Sipas Wall Street Journal, gjatë dy muajve të fundit është vërejtur rënie e numrit të të rinjve apo të miturve që kalojnë të pashoqëruar nga të rritur kufirin me SHBA. Nga 19,000 që u regjistruan në mars, në maj pati 14,158 vetë, një shifër gjithsesi rekord krahasuar me vite të mëparshme./VOA/