Shtetet e Bashkuara ndërmorën disa sanksione kundër Rusisë, për shkak të, siç thanë, sulmeve kibernetike dhe akteve të tjera armiqësore.
Masat, që shënjestrojnë dhjetëra subjekte dhe zyrtarë rusë, synojnë
t’i parandalojnë aktivitetet e dëmshme të Rusisë”, tha Shtëpia e Bardhë.
Sipas deklaratës, inteligjenca ruse ishte prapa sulmit masiv kibernetik “SolarWinds”, që ndodhi vitin e kaluar.
Shtëpia e Bardhë e akuzoi Rusinë edhe për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2020.
Rusia i hodhi poshtë akuzat dhe tha se do t’iu përgjigjet sanksioneve të SHBA-së.
“Sanksionet e reja amerikane janë një goditje serioze mbi marrëdhëniet dypalëshe”, tha Ministria e Jashtme ruse.
Sanksionet që u shpallën të enjten, janë të detajuara në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Ato vijnë në një kohë të tensionuar të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Muajin e kaluar, SHBA-ja ka sanksionuar shtatë zyrtarë rusë dhe disa subjekte qeveritare, në lidhje me helmimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.
Rusia këmbëngul se nuk është e përfshirë në rastin Navalny.
Të martën, në një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Biden u zotua se do t’i mbrojë interesat e SHBA-së “në mënyrë të vendosur”.
Biden po ashtu propozoi një samit me Putinin, për të gjetur hapësira ku dy vendet mund të punojnë së bashku.