-1.4 C
Pristina
Sunday, January 12, 2025

ShBA-ja refuzon për herë të dytë zhvillimin e hetimit të pavarur për vrasjen e palestinezëve

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzuan për herë të dytë kërkesën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zhvilluar një hetim transparent dhe të pavarur në lidhje me përdorimin e forcës joproporcionale nga ana e Izraelit në Gazë me çrast janë martirizuar dhjetëra palestinezë.

Kuvajti, që është anëtar i përkohshëm i KS të OKB-së, pas martirizimit të djeshëm të civilëve gjatë protestave paqësore në Rripin e Gazës që vazhdojnë prej 30 marsit e këtej në kuadër të “Marshimit të Madh të Kthimit”, edhe njëherë nga Këshilli kërkoi zhvillimin e një hetimi transparent dhe të pavarur.

Përfaqësuesi i përhershëm i Kuvajtit në OKB, ambasadori Mansur Ali-Otaibi, kishte bërë të ditur se kanë marrë përkrahjen e shumicës nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, por se priste përgjigjen e ShBA-së, e cila ka të drejtën e vetos.

Diplomatët bënë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dytën herë refuzuan kërkesën për publikimin e një komunikate të përbashkët të KS të OKB-së për zhvillimin e një hetimi transparent dhe të pavarur në lidhje me ngjarjet e dhunës të Izraelit në Gazë dhe në të cilin bëhet thirrje për vetëpërmbajtje.

Bëhet e ditur se një kërkesë e ngjashme, e cila është bërë javën e kaluar nga KS i OKB-së kishte hasur në pengesë të ShBA-së.

Ndërkaq përfaqësuesi i përhershëm i Palestinës në OKB, ambasadori Riad Mansur kishte bërë të ditur se si pasojë e zjarrit të hapur nga ana e ushtarëve izraelit ndaj palestinezëve gjatë protestave që vazhdojnë prej javës së kaluar në kufi të Gazës, kanë rënë dëshmorë afërsisht 30 palestinezë, ndërsa janë plagosur më shumë se 2 mijë e 500 të tjerë.

Palestinezët prej 30 marsit e këtej në kuadër të përvjetorit të 42-të të Ditës së Tokës janë duke organizuar protesta paqësore në kufirin e Rripit të Gazës, i cili mbahet i rrethuar nga ana e Izraelit.

Ndërkaq ushtarët izraelit hapin zjarr me plumba luftarak ndaj popullatës civile, e cila kërkon “kthimin në trojet e tyre prej nga janë dëbuar dhe heqjen e rrethimit të paligjshëm të Gazës që zbatohet prej vitit 2006 e këtej”.

Planifikohet që protestat paqësore të palestinezëve të filluara me moton “Marshimi i Kthimit të Madh”, të zgjasin 6 javë.

Si arsyetim i zgjatjes së protestave 6 javë tregohet edhe deklarata e ShBA-së e bërë më këtë datë për zhvendosjen e ambasadës së saj nga Tel-Avivi në Jerusalem.

– Çfarë është Dita e Tokës?

Izraeli më 30 mars të vitit 1976 pushtoi mijëra hektarë tokë të palestinezëve shtetas të Izraelit të cilët jetonin në rajonin Celile, në veri të shtetit. Pas kësaj popullsia palestineze, hyri në grevë të përgjithshme për të protestuar kundër këtij uzurpimi.

Kjo ngjarje, e cila njihet si “Dita e Tokës”, vlerësohet si simbol i rezistencës së palestinezëve të treguar për çështjen e tokës, e cila është burim i përleshjeve mes Izraelit dhe Palestinës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit