Akuza e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Illinoisit
Kleri katolik abuzoi seksualisht me rreth 2000 fëmijë në shtetin amerikan të Illinoisit nga vitet 1950 deri në 2010, tha avokati i shtetit në një raport të ri.
Raporti detajon se si udhëheqësit e kishës shpesh toleronin dhe mbulonin abuzimin.
Në 696 faqe, Prokurori i Përgjithshëm i Illinoisit, Kwame Raoul parashtroi akuza për abuzim ndaj 451 priftërinjve katolikë në gjashtë dioqeza, raporton Reuters.
Të paktën 1,997 fëmijë dyshohet se janë abuzuar seksualisht në shtatë dekadat e fundit.
Raporti publikoi për herë të parë emrat e 149 priftërinjve ndaj të cilëve kishte akuza të besueshme për abuzim seksual.
Raporti u porosit në vitin 2018 nga paraardhësja e Raoul, Lisa Madigan, e cila akuzoi Kishën Katolike për nën-raportim të numrit të rasteve, pasi fillimisht kishte identifikuar 103 persona përgjegjës për abuzim brenda radhëve të saj.
“Dekada vendimesh dhe politikash nga udhëheqësit katolikë kanë lejuar keqpërdoruesit e njohur të fshihen”, tha Raoul.
Raporti është pjesë e një numri hetimesh në mbarë botën për abuzimin seksual në Kishën Katolike dhe praktikën e shpeshtë të mosdënimit të përgjegjësve, por transferimit të tyre në vende të tjera, duke vënë në rrezik edhe më shumë fëmijë.
Këto skandale kanë shkatërruar reputacionin e Kishës Katolike dhe përfaqësojnë një sfidë të madhe për Papa Françeskun, i cili ka miratuar një sërë masash gjatë dekadës së fundit që synojnë të mbajnë më shumë priftërinj përgjegjës, me rezultate të pjesshme. /tesheshi.com/