7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Raport: Dhjetëra xhami të sulmuara në Gjermani në vitin 2022

Më të lexuarat

Shumica e sulmeve ishin të motivuara nga islamofobia dhe ekstremizmi i djathtë në vend, thuhet në raportin e fundit të publikuar nga organizata turko-islame DITIB

Të paktën 35 xhami u sulmuan në Gjermani vitin e kaluar, ndërsa shumica e këtyre sulmeve ishin të motivuara nga islamofobia dhe ekstremizmi i djathtë në vend, tregoi një raport i ri të publikuar nga organizata turko-islame DITIB, transmeton Anadolu.

Zyra kundër diskriminimit e DITIB-it publikoi së fundmi një raport prej 32 faqesh që analizon krimet e urrejtjes, kërcënimet dhe sulmet ndaj xhamive dhe organizatave islame në Gjermani në vitin 2022.

Sipas ekspertëve të DITIB-it, dhuna antimuslimane ishte e lidhur ngushtë me zhvillimet sociale dhe politike në vend, si dhe me debatet publike për imigrantët, muslimanët dhe Islamin.

“Debatet polarizuese dhe joobjektive, rritja e stigmatizimit (veçanërisht demonizimi i muslimanëve), po çojnë në një rritje të sulmeve ndaj xhamive”, shkruajnë ekspertët në raportin e tyre.

Në vitin 2022, të paktën 35 xhami u shënjestruan në sulme, 19 prej tyre të motivuara nga islamofobia dhe tetë sulme të tjera të kryera nga ekstremistët e krahut të djathtë.

Në shtatë raste, sipas raportit, ndjenjat antiturke ishin motivimi kryesor i të dyshuarve.

Ekstremistët e krahut të majtë dhe pasuesit e grupit terrorist PKK ishin po ashtu pas disa sulmeve ndaj xhamive.

Vitet e fundit, Gjermania ka dëshmuar një rritje të racizmit dhe islamofobisë, të nxitura nga propaganda e grupeve dhe partive të së djathtës ekstreme që kanë shfrytëzuar krizën e refugjatëve dhe janë përpjekur të ngjallin frikë nga imigrantët.

Gjermania, me mbi 84 milionë banorë, ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Sipas shifrave zyrtare, në Gjermani jetojnë gati pesë milionë muslimanë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit