Analisti Artan Murati ka thënë sot se shanset për të udhëtuar pa viza në vitin 2018 janë zero, ndërsa sipas tij më e mira e mundshme që mund të marrim këtë vit do të ishte një vendimmarrje nga Këshilli, por edhe kjo shumë vështirë se ndodhë.
Murati pas deklaratës së ministres së Integrimit, Dhurata Hoxha se mund të shtyhet vendimmarrja për liberalizimin e vizave, tha se më në fund është një deklaratë realiste nga zyrtarët e shtetit rreth vizave.
Ai në një postim në rrjetin scoial Facebook shkruan se ka shtete të mëdha e të fuqishme në Bashkimin Evropian, mike të Kosovës, që nuk janë të gatshme për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e Muratit:
“Më në fund një deklaratë realiste nga zyrtarët e shtetit të Kosovës rreth vizave. Shanset për të udhëtuar pa viza në 2018 janë zero. Më e mira e mundshme që mund të marrim këtë vit do të ishte një vendimmarrje nga Këshilli, por shumë vështirë se ndodhë edhe ajo. Ka shtete të mëdha e të fuqishme në BE, mike të Kosovës, që nuk janë të gatshme për t’i hequr vizat për kosovarët.
Duhet shumë lobim te këto shtete. Po ashtu, duket të sigurohet sundim i rendit dhe ligjit në vendin tonë, për të garantuar se dimë si te menaxhojmë me qytetarët që potencialisht duan të kërkojnë azil në BE.
Imagjinoni tash çfarë mesazhe po dërgojmë në BE, duke i amnistuar nga krimet fëmijët e ‘të fortëve’, si ky rasti i fundit.
Ndoshta po e shihni që gjithçka funksionon si zinxhir. Nuk funksionon mirë shteti brenda, nuk të marrin seriozisht jashtë dhe mbetesh i mbyllur”.