Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, sërish kanë bërë shkelje të protokollit të shtetit, pasi të tre sot gjenden në Bruksel në një takim më përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.
Sipas Ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, kreu IV neni 4, parasheh se vizitat e personaliteteve kryesore si presidenti, kryetari i Kuvendit si dhe kryeministri, duhet të bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit dhe jo në të njëjtën kohë të udhëtojnë jashtë vendit.
“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në Ligjin për Protokollin e Shtetit.
Në lidhje me këtë shkelje analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se shkeljet e protokollit të shtetit tashmë janë kthyer në traditë për krerët e vendit.
Mushkolaj vlerëson se këto shkelje për ta nuk janë shumë brengosëse, por ajo çka është më e rëndësishme sipas tij është se kush duhet t’i ndëshkoj ata.
“Ata bëjnë çdo ditë shkelje shumë e shumë më të mëdha dhe nuk brengosen, e le më për protokoll të shtetit që ata nuk e respektojnë edhe në raste të tjera. Kjo tregon vetëm për qasjen që e kanë ndaj qeverisjes e mos të flasim për qasjen që e kanë ndaj protokollit të shtetit”, ka thënë Mushkolaj.
Ndërkaq, në Bruksel pos udhëheqësve të institucioneve më të larta shtetërore gjenden edhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli e Dardan Gashi.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit, shkelin këtë ligj pasi kështu kanë bërë edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, vitin e kaluar. Po ashtu ngjashëm ata kanë vepruar edhe në udhëtimin e tyre në SHBA, ku kanë marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.