1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Serbia nën shok nga masakra e një 14-vjeçari: Jam psikopat!

Më të lexuarat

Beograd: me dy armët e të atit ekzekuton rojen, 8 nxënës dhe një mësuese

Serbia është në gjendje shoku që nga mëngjesi i kësaj të mërkure pas masakrës në një shkollë në Beograd, kur një nxënës 14-vjeçar hapi zjarr, duke vrarë tetë nxënës dhe një roje, ndërsa plagosi gjashtë fëmijë të tjerë dhe një mësuese 53-vjeçare.

Siç raportohet, adoleshenti Kosta Keçmanoviç ka dalë më herët nga shkolla në lagjen Vraçar të Beogradit dhe kur është kthyer me kapuç të zi ka nxjerrë nga çanta e shpinës dy armë, duke vrarë fillimisht rojen dhe më pas, pasi ka hyrë në një klasë, ka qëlluar në drejtim të mësueses teksa ajo jepte mësim si dhe ndaj nxënësve.

Aty u shuan 6 jetë nga plumbat, ndërsa ai vazhdoi “aksionin” e tij në korridore, duke vrarë e plagosur të tjerë. Ndërkohë, informacionet thonë se 14-vjeçari, menjëherë pas masakrës, ka telefonuar në “192” të policisë serbe dhe ka njoftuar për aktin e tij mizor, duke thënë “Ejani në shkollë, i vrava shokët, po ju pres”.

Kur u pyet nga policia se përse e kreu këtë krim, ai u mjaftua duke thënë: “Qëllova se jam psikopat”. Përveç dy armëve, në çantën e shpinës i janë gjetur edhe tre kokteje molotovi.

Ndërkaq, rrëqethëse është edhe fotografia e fundit, para krimit, që 14-vjeçari kishte “ngarkuar” në llogarinë e tij në Instagram.

Në të njëjtën kohë, burimet mediatike raportojnë se 14-vjeçar, djalë i një radiologu të njohur beogradas, përdorte armët e të atit, për të cilat kishte një dashuri të madhe, ndërsa nga ai kishte mësuar edhe të qëllonte, duke u praktikuar shpesh në një poligon qitjeje.

Lidhur me sulmin në shkollë, burimet thanë se ai e kishte planifikuar atë për të paktën një muaj në një mënyrë të veçantë: duke luajtur video lojëra të dhunshme.

Ndërkohë jashtë shkollës u shfaqën skena të një tragjedie teksa prindërit zbritën dhe kërkonin me ankth informacion për fëmijët e tyre. Në vendngjarje ishin psikologët e policisë speciale për të transmetuar lajmin e kobshëm, ndërsa pati raste si një nënë dhe një gjyshe që nuk duruan dot dhe u ra të fikët kur dëgjuan e fëmijët e tyre nuk ishin gjallë.

Në Serbi nesër shpallet tri ditë zie për shkak të tragjedisë në shkollën “Vladislav Ribnikar”.

Drejtoresha e shkollës në fjalë ka kërkuar nga mësuesit që sot dhe nesër të marrin kohë për të biseduar me nxënësit për tragjedinë e madhe.

Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, shkollat ​​e Beogradit nuk do të mbajnë mësim pasdite në shenjë zie. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit