Donald Trumpi ende nuk ka hyrë në Zyrën Ovale, por serbët po besojnë se ai do t’ua kthejë Kosovën e se do ta bashkojë Republikën Serbe me Serbinë. “Asgjë nuk kemi mësuar”, shkruan analisti serb Ratko Dimitroviq.
“Serbët janë popull euforik, labil, i prirë për ndryshim të disponimit”, shkruan ai për Novosti. “Serbi mesatar është në gjendje ta përqafojë armikun më të madh nëse është në gjendje të thotë fjalët që i flenë atij në zemër”.
Ky analit shkruan se serbët besojnë në “vëllazëri” e nuk e dinë pse dikush i urren, pse nuk i duron, transmeton Telegrafi.
“Plot në Beograd ende mendojnë se bombardimi i Serbisë më 1999, nga ‘miqtë tradicionalë’, është pasojë e një keqkuptimi të madh, një vlerësimi të gabuar, se ne ishim në anën e njëjtë me ta në Luftën e Parë e të Dytë Botërore. Kështu besojnë serbët. Në mes tyre ka të tillë që te Donald Trumpi e shohin njeriun e gatshëm t’ua ofrojnë dorën vëllazërore, t’ia kthejë Kosovën Serbisë, të shkëpusin Republikën Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina e t’ia bashkojnë Serbisë”.
Ky analist serb, që ashiqare nuk e do Hillary Clintonin e aq më pak ish-presidentin Bill Clinton, thotë se nuk është mirë për serbët çfarë po bëjnë për Trumpin, sepse po tregojnë se diçka nuk është mirë me ta.
“Trumpi ende nuk e tha se çfarë do të bëjë si president amerikan, e serbët veç e dinë që sllovenja Melanie do t’ua kthejë Kosovën”, shton ai. “Kampanja zgjedhore është një, e mandati katërvjeçar diçka tjetër. Duhet të jemi të durueshëm”.