Shtetet e Bashkuara kanë fuqizuar përpjekjet për t’iu kundërvënë Kinës në aspektin teknologjik.
Senati amerikan miratoi një masë prej gati 250 miliardë dollarësh, përmes së cilës synohet që të mbahet epërsia në fushën e teknologjisë, në konkurrencë me Kinën.
Për projektligjin votuan 68 ligjëvënës pro dhe 32 kundër. Pro kësaj mase votuan demokratët dhe republikanët duke shfaqur një lloj uniteti për përballjen ekonomike dhe politike me Kinën.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer tha se “udhëheqës ekonomik global do të jetë ai vend që fiton garën drejt teknologjive të së ardhmes”.
Të mërkurën, komiteti i punëve të jashtme i Kongresit Popullor Kombëtar të Kinës tha se projektligji i SHBA-së ishte “me mentalitet të Luftës së Ftohtë dhe paragjykime ideologjike”.
Nga kjo shumë e miratuar, 50 miliardë dollarë do të përdoren për të mbështetur zhvillimin dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve, pasi gjatë pandemisë së koronavirusit furnizimi më këtë material është vështirësuar.
Shtetet e Bashkuara mbesin fuqia kryesore teknologjike në botë, por prodhimin global i gjysmëpërçuesve ka rënë nga 37 për qind në vitin 1990 në rreth 12 për qind në ditët e sotme.
Pastaj, rreth 170 miliardë do të përdoren për një sërë kërkimesh në fushën e teknologjisë.
Përkrahësit e ligjit thonë se përmes tij do të bëhet investimi më i madh në kërkimin shkencor për dekada me rradhë.
Projektligji duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe pastaj dërgohet për nënshkrim të presidentit amerikane, Joe Biden.