2.6 C
Pristina
Sunday, November 10, 2024

SEKTI KUR’ANIJ – Ky Sekt i devijuar është prej sekteve të vonshme që janë shfaqur nëpër vendet ku jetojnë muslimanët

Më të lexuarat

Këta pasues të kësaj ideologjie devijante janë pasues të cilët kanë njohuri më të thellë rreth asaj se çka pasojnë ose janë prej atyre që nuk kanë njohuri rreth asaj ideologjie.

Ky sekt u paraqit për së pari herë në Egjipt, Indi dhe Pakistan në Shekullin XIX në kohën e Kolonializmit Britanez në këto troje e më pastaj u shpërnda në shumë vende të botës. Disa dijetarë thonë se ky sekt u shpik nga kolonialistët britanez për t’a përçarë Islamin, mirëpo edhenëse nuk pajtohemi dhe themi se kjo është shpifje ndaj Kur’anijve, nuk don të thotë se ata nuk janë në devijim.

Ekzistojnë njerëz të cilët në thelb nuk janë Sekt Kur’anij, por u përngjajnë atyre për nga ideologjia,edhepse në esencë ata nuk thirren se i përkasin Grupit Kur’anij, mirëpo me dashje apo pa dashje ata e marrin dispozitën sikurse Kur’anijtë.

Esenca e Sektit Kur’anij është se ata e mohojnë Sunetin si pjesë e Sheriatit apo si pjesë e Legjislativit Islam. Fillimisht do të përmendim dyshimet e tyre të cilët ata i shohin si argument dhe më pastaj do të sjellim kundërpërgjigje në secilën prej tyre, lusim Allahun që të na udhëzoj dhe t’ua bëj atyre të qartë të vërtetën.

Ky Sekt llogaritet sekt renegat dhe llogaritet jashtë kornizave të Islamit, edhepse ata thirren se kinse e pasojnë Kur’anin. Kjo është kështu përshkak se ata bëjnë kufër (dalin prej Islamit) në të njëjtën kohë kur thuan se e pasojnë Kur’anin. Kjo është kështu sepse Kur’ani dhe Suneti i Pejgamberit (fjalët, veprat, pëlqimet, pajtimet) janë prej një burimi, pra janë Shpallje nga Allahu (subhanehu ue teala)

Prej besimeve të Kur’anijve:

  • Ata besojnë se ai që është i kapur për Sunetin është i devijuar dhe qafir.
  • Ata nuk e zënë si obligim pesë kohët e namazit, pra janë kundër faljes së Namazit të Drekës, Iqindisë dhe Jacisë, por mjafton tek ata vetëm falja e dy rekateve në sabah dhe dy në aksham.
  • Ata i llogaritin të Krishterët, Jehudët dhe Mushrikët, por bile edhe Iblisin sikurse janë prej banorëve të Xhenetit.
  • Ata e përkrahin mendimin se në Islam nuk ekziston dënim për felëshim (ridde).
  • Ata thonë se Hixhabi (Mbulesa) nuk është obligim për besimtaret, por është një gjë që ka qenë e veçantë vetëm për gratë e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ata në këtë rast kanë bërë kufër në Fjalën e Allahut ku thotë: “O ti Pejgamber thuaju grave tuaja, bijave tuaja dhe grave të besimtarëve që t’i hudhin Xhilbabat mbi kokat e tyre (të mbulohen)” (el Ahzabë 59)
  • Ata thonë se kur përmendet Suneti është për qëllim Suneti apo Ligji i Allahut te krijesat e Tija, e jo Suneti i Pejgamberit. Mirëpo ata e neglizhojnë faktin se fjala “Sunet” ka më shumë se një kuptim. Në këtë rast ata kanë bërë kufër në Fjalën e Allahut: “Thuaj: “Binduni Allahut dhe binduni Pejgamberit”. (en Nurë 54)
  • Ata besojnë se agjërimi farz është në Muajin Sha’ban dhe jo në Muajin Ramazan.
  • Ata e quajnë Qaben idhull  dhe e llogaritin tavafin përreth Qabes si traditë dhe praktikë e mushrikëve (idhujtarëve).
  • Ata thonë se në Kur’an s’ka abrogim. Në këtë rast ata bëjnë kufër në Ajetin Kur’anor: “Ne nuk abrogojmë asnjë nga argumentet Tona apo ta hedhim në harresë, e të mos sjellim edhe më të mirë sesa ai apo të ngjashëm sikurse ai”. (el Bekare 106)
  • Ata në aspektin ekonomik janë socialistë dhe komunistë, pasiqë janë kundër pronës private të individëve dhe thonë se shteti duhet t’i përmbush të gjitha kërkesat e popullatës. Sipas tyre individi s’duhet të mbledh pasuri.  
  • Ata thonë se Pejgamberi nuk ka patur Muxhize (mrekulli) përveç Kur’anit.
  • Disa prej tyre thonë se Isau ka lindur prej dy prindërve dhe jo vetëm prej Merjemit.
  • Ata thonë se nuk ka jetë në varr.

Argumentet e tyre dhe sqarim i keqkuptimeve të tyre

Prej argumenteve të keqkuptuara me të cilat ata janë argumentuar në devijimin e tyre është Fjala e Allahut: “Dhe ta kemi zbritur Librin sqarues për çdogjë” (en Nahl 89)

Sqarim i keqkuptimit të tyre rreth këtij Ajeti: Disa prej komentatorëve të Kur’anit kanë thënë se kur është përmendur “Libri” në Ajetin e mësipërm është për qëllim Libri Leuh el Mahfudh në të cilin Libër është shënuar çdogjë dhe çdo ndodhi. Dijetarët e këtij mendimi e kanë argumentuar  qëndrimin e tyre me Ajet tjetër ku thotë Allahu: “Dhe nuk gjallesë në tokë e as shpend në qiell që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë lloje (umete) sikurse ju, nuk kemi neglizhuar asgjë në Libër”. (el En’aamë 38)

Disa komentatorë të tjerë thonë se “Libri” në Ajetin e mësipërm e ka për qëllim Kur’anin. Thotë Kurtubiu për këtë Ajet: “Kjo don të thotë se Allahu nuk ka lënë ndonjë gjë prej Fesë në Kur’an pa sqaruar, ose me sqarim të hollësishëm, ose me sqarim të përgjithshëm. Pra me sqarim të përgjithshëm në Kur’an dhe me sqarim të hollësishëm në Sunetin e Pejgamberit. Kjo thënie përforcohet me ajetet Kur’anore ku thotë Allahu: ”Dhe ta kemi zbritur (O Muhamed) Dhikrin (Kur’anin) që t’ua sqarosh njerëzve se çka u ka zbritur”. (en Nahl 44)

Poashtu edhe fjala e Allahut: “Dhe çka t’ju jep Pejgamberi mereni dhe prej çka t’ju ndaloj hiqni dorë”. (el Hashr 7)

Prej argumenteve të tyre është fjala se gjërat të cilat i ka folur dhe i ka vepruar Pejgamberi nuk janë Shpallje (Vahj) nga Allahu.

Sqarim i keqkuptimit të tyre në këtë çështje:

Kjo fjalë e tyre e mësipërme është vetëm argument që tregon sesa ata janë të cekët në njohurinë e tyre për Kur’anin, ata si duket as nuk e kanë lexuar Fjalën e Allahut: “Dhe ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja e tij. Ai nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”. (en Nexhm 3-4)

Prej argumenteve të tyre është fjala se nuk është obligim pasimi i Sunetit:

Sqarim i keqkuptimit të tyre në këtë çështje:

Këta njerëz që e thonë këtë fjalë, vallë a nuk e kanë lexuar Fjalën e Allahut: “Kush i bindet Pejgamberit, vetëmse i është bindur Allahut dhe kush e kthen shpinën, ty (O Muhamed) nuk të kemi dërguar ruajtës mbi ata”. (en Nisaa 80)

Ka edhe shumë ajetë në Kur’an në të cilat shihet domosdoshmëria e veprimit me Sunet prej atyre do të përmendim:

Thuaj nëse e doni Allahun më pasoni mua, sepse Allahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë gjunahet, Allahu është Falës dhe Mëshirues”. (al Imran 31)

Kush i bindet Allahut dhe Pejgamberit ka fituar me fitim të madh”. (el Ahzabë 71)

Le të kenë kujdes ata që e kundërshtojnë (Pejgamberin) në çështjet e tij,se do t’i godet sprovë apo do t’i godet dënim i dhembshëm”. (en Nurë 63)

Këta devijime të cilat shfaqen kohë pas kohe nuk janë gjë e cila na habit dhe nuk është e befasishme, për këtë na ka lajmëruar Pejgamberi i Allahut.  Transmetohet prej ibn Ma’dij Kerib el Kindi (radijAllahu anhu) se ka thënë: “Pejgamberi i Allahut na ndaloi Ditën e Hajberit disa gjëra, prej tyre na ndaloi gomarin shtëpiak dhe gjëra tjera” dhe tha Pejgamberi: “Kam frikë se do të shtrihet dikush prej jush në ulësen e tij dhe kur do t’i thuhen atij fjalët e mia do të thotë: “Mes mua dhe mes jush është Libri i Allahut, çka gjejmë hallall në të, e bëjmë hallall dhe çka gjejmë haram në të, e bëjmë haram”. Me të vërtetë atë që  e bën haram Pejgamberi i Allahut është haram sikurse atë që e ka bërë Allahu”. (Transmeton ed Darimij, ebu Davudi, el Hakim, et Tirmidhi)

Transmetohet prej ebi Rafi’ (radijAllahu anhu) se Pejgamberi ka thënë: “Mos të shtrihet dikush në ulësen (karriken) e tij dhe kur atij t’i vijë një urdhër prej urdhërave të mia, ose t’i vijë diçka me të cilën unë jam urdhëruar ose diçka prej të cilës jam ndaluar, të thotë: “Nuk e dijë…atë që e gjejmë në Librin e Allahut e pasojmë”. (Transmeton Shafi, Ahmed, ebu Davud, ibn Maxhe, Tirmidhi)

Kjo është një tekst modest rreth ideologjisë Kur’anije në të cilin shumica dërmuese e argumenteve janë nga vet Kur’ani, lusim Allahun që të na udhëzojë të gjithëve dhe lusim Allahun t’i kthej në rrugën e drejtë ata të cilët kanë dyshime të kësaj natyre. Në Islam mohimi i vetëm një shkronje të Kur’anit e nxjerr njeriun nga Feja e të mos flasim për një person i cili kundërshton ajete të tëra. pra s’ka rrugëdalje tjetër në këtë drejtim, ose zgjidhe ta besosh tërë Kur’anin dhe ajetet e shumta që i përmendëm në domosdoshmërinë e të vepruarit me Sunet, ose të bëhesh prej atyre qafirave të cilët Allahu i pyet: “A besoni në një pjesë të Librit dhe bëni kufër në pjesë tjetër?...” (el Bekare 85)

Përmblodhi: Enis Arifi

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit