2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Sekreti (i lakrës)

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Sekreti (i lakrës)

Tregohet se një tregtar zengjin, e dërgoi të birin të mësojë sekretin e lumturisë tek më i mençuri i botës. Pasi mbërriti, i biri i tregtarit pa se burri më i mençur në botë, jetonte në një kullë luksi, të ndërtuar në një majë mali.
Burri i mençur dhe i urtë e priti të riun dhe pasi e dëgjoi mbi qëllimin e vizitës, i tha:”Hidhu një shikim dhomave të shtëpisë dhe pasi të kenë kaluar nja dy orë, hajde sërish tek unë! Por, këtë do e bësh duke mbajtur në dorë këtë lugë me vaj. Mbaje mirë lugën që mos të derdhet asnjë pikë vaji!”
I befasuar, djali e mori lugën e mbushur me vaj, mandej filloi të ngjisë e zbresë shkallët e shtëpisë, duke shëtitur sa nga një dhomë në një tjetër. Padyshim, sytë nuk ia ndante lugës me vaj.
Dy orë më pas, u kthye në të njëjtin vend, për tu takuar sërish me burrin e mençur.
Burri i urtë e pyeti:”Hë si ia kalove? A e pe sixhadenë perse në dhomën e ushqimit? Po literaturën e pasur që zbukuron bibliotekën time? A e pe….?” dhe filloi ti numërojë gjithë inventarin e gjërave të bukura dhe të rralla që kishte në shtëpi.
I riu ndjeu një pështjellim dhe huti. Ai uli kokën dhe gjithë turp i tha se nuk kishte vënë re asgjë nga ato që po e pyeste. Fokusi i tij kishte qenë që të mos derdhë asnjë pik vaji nga luga.
Burri i mençur dhe i urtë i tha:”Kthehu dhe një herë dhe njihu me dhomat dhe ornamentet e shtëpisë, por këtë herë fokusohu tek çdo gjë që do të shohësh!”
I riu u kthye duke shëtitur në çdo cep të shtëpisë, mrekulluar këtë herë me gjithçka që i shihnin sytë rreth e rrotull, ornamente të hatashme të varura në mure, lule dhe lulishte rreth e rrotull.
Pasi nuk la cep të shtëpisë pa shkelur dhe pa parë, u kthye tek i urti dhe i përshkroi gjithçka që i kishin parë sytë.
Burri i urtë pasi e dëgjoi i tha:”Mirë por, a s’më thua, ku e ke vajin që ndodhej në lugë?!”
I riu i hodhi një vështrim lugës dhe pa që ajo s’kishte më asnjë pikë vaji.
I urti i tha:”Kjo është këshilla e parë:
“Shihi bukuritë e kësaj bote dhe shijoji ato, por pa derdhur asnjë pikë vaji!”
I riu e kuptoi këshillën e burri të mençur. Lumturinë e vërtetë e ndjejmë kur ruajmë ekuilibrin në jetë, kur i konstatojmë gjërat e bukura në jetë dhe i shijojmë ato, por pa i derdhur pikat e vajit.
Shfrytëzimi dhe shijimi i shanseve të vogla, të cilave u jepet haku në kohë, e shndërron jetën në një kompleks shansesh të vogla, të shumta dhe të gëzueshme. Kjo na bën që të mos i hapim sytë të zhbirojmë përtej asaj që kemi, pa u thelluar në pyetje mbi vogëlsira dhe urtësira, gjë e cila na bën të humbasim shijimin dhe kënaqësinë e tyre. Kështu, ne e shijojmë qoftë dhe një bisedë kalimtare, një gotë çaji, një vakt ushqimi, një batutë… pa hyrë thellë në vogëlsira që na shpërqendrojnë.
Detajet dhe vogëlsirat e jetës, i krahasoj me lakrën. Disa prej nesh, i qërojnë gjethet e lakrës për ti ngrënë dhe shijuar, dikush tjetër i përdor për të bërë një gjellë apo sallatë të shijshme, një i tretë i qëron dhe i hedh në kërkim të thelbit të lakrës. Në fakt, ata që kërkojnë thelbin, nuk do të gjejnë gjë. Ata anashkaluan gjethet e lakrës, në kërkim të thelbit që është më i vlefshëm sipas këndvështrimit të tyre. Por, pasi u ka ikur koha, zbulojnë se nuk ka gjë më të vyer se ato gjethe që hodhën. Ata harruan se lakra nuk ka thelb, ose nëse dëshiron mund të thuash; Lakra është e gjitha thelb. Ndonjëherë, jeta është e ngjashme me një batutë kalimtare, me të cilën duhet thjesht të qeshësh, pa u menduar gjatë! Të kapësh momentin pozitiv të gjithçkaje, edhe të asaj që na duket negative, është një ves psikologjik i mrekullueshëm, i cili mund të fitohet duke e ushtruar dhe përpjekur, derisa të na shndërrohet në pjesë të karakterit dhe metodë e analizimit tonë të ngjarjeve të largëta apo të afërta qofshin, private apo publike, të mëdha apo të vogla.
Unë u jam mirënjohës shumë ngjarjeve të cilat në fakt ishin të dhimbshme, u jam mirënjohës atyre personave që deshën të më privojnë, por që u bënë shkak që unë të arrij diçka shumë herë më të madhe dhe të mirë. Jam mësuar të mos mallkoj fatin dhe të mos e sulmoj kundërshtarin, pasi në fund të fundit, ai është një mekanizëm me të cilin Zoti më orienton drejt qëllimit të duhur. “Zoti di, ndërkohë që ju nuk dini” (Bekare, 216)
Nëse kjo që them mund të konsiderohet si diçka teorike, për një të ri që vuan nga vështirësitë e jetës, për mua që e kam përjetuar  dhe i besoj me të gjitha gjymtyrët e mia, është diçka e sigurt për të cilën s’ka pikë dyshimi. Po të ktheheshin ato ditë, nuk do të zgjidhja veçse atë që ka zgjedhur Zoti për mua.
Dishrath Menxheha, ka qenë një fshatar i thjeshtë i cili jetonte në një fshat të largët të Indisë. E shoqja e tij sëmuret rëndë dhe për shkak të distancës së gjatë mes fshatit dhe spitalit (70 km), ambulanca nuk arriti dot në kohë dhe ajo vdiq. Ai kërkoi nga qeveria që të hapin një tunel në malin përballë, gjë e cila do e shkurtonte distancën, me qëllim që të mos përsëritej e njëjta fatkeqësi, por askush nuk ia vuri veshin. Atëherë bujku i varfër mori një vendim: Ti kushtojë jetën dhe pasurinë e tij këtij projekti. Ai mori një kazmë dhe një sopat dhe filloi gërmimet. Të gjithë banorët e fshatit u tallën me të, madje e akuzuan për të çmendur. Ai kaloi 22 vite të jetës duke gërmuar, nga 1960 deri 1982. Ai punoi natë e ditë, duke mos pasur vegla të tjera përveç sëpatës, kazmës dhe padyshim vullnetit të çeliktë. Në asnjë çast nuk iu nda nga mendja imazhi i të shoqes teksa jepte shpirt. Ai hapi një rrugë të re mes përmes malit, 110 metra të gjatë, 9 metra të gjerë dhe 7 metra të lartë. Distanca mes fshatit të tij dhe qytetit, nga 70 km, u shkurtua në 7 km. Tashmë edhe fëmijët mund të shkonin në shkollë, edhe ambulanca mund të mbërrinte në kohën e duhur. Për njëzet vite, ai arriti të bëjë atë që qeveria mund ta bënte vetëm brenda tre muajve. Që atëherë, ai mori emrin “Burri i malit”. Për të u prodhua dhe një film i cili flet për jetën dhe sakrificën e tij.
Ka pasur probleme, ka dhe do të ketë. Por, nëse ne zgjedhim që në jetë të hyjmë nga porta ep problemeve, ta dimë se kemi zgjedhur portën më të ngushtë. Prandaj, le të hyjmë nga porta e ëndrrave të bukura dhe të pafund.
Optika e zezë është në gjendje ta burgosë njeriun në një bodrum të errët, të ftohtë, gjithë lagështirë dhe me ajër të rëndë, duke ia shpejtuar vdekjen. Që këtu, nuk habitem kur dëgjoj viktimat e pesimizmit dhe izolimit teksa përsërisin shprehje malli për tu larguar nga kjo botë sa më shpejt, duke i kritikuar ata që orvaten ti privojnë nga kjo lloj “kënaqësi” e vetme që u ka mbetur në jetë, nëse mund të konsiderohen se jetojnë.
 
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit