6.6 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ndjesia e të bukurës

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Ndjesia e të bukurës

Një studim ndërkombëtar dhe bashkëkohor, zbuloi se 63% e grave arabe vuajnë nga ankthi për shkak se janë të fiksuara pas bukurisë ideale që u ofrojnë mediat, shtëpitë e modës dhe kinematografia.
Në fakt, gjithçka starton nga ndjeshmëritë e brendshme rreth të bukurës apo të shëmtuarës. Sa femra tepër të bukura, nuk e ndjejnë këtë, madje e shohin veten me bukuri normale, ose më poshtë se normalja. Aktorja e famshme Marlin Monro ndjente se ishte më afër të shëmtuarës sesa të bukurës, madje iu nënshtruar dhe terapisë me psikologë për këtë çështje.
Një psikolog më tregoi se një zonjë e frekuentonte shpesh klinikën e tij dhe ankohej për shkak të hundës së saj të gjatë e cila ia prishte pamjen. Kur e kishte pyetur përse nuk shkon tek një doktor për ta rregulluar, i kishte thënë:”Sepse të gjithë kanë refuzuar duke ma theksuar se kisha hundë ideale!”
Njeriu mund të ketë një mangësi ose defekt të vogël, të cilin të tjerët nuk e vënë re, por ai vetë e mban mendjen vetëm aty.
Mund edhe të mos ketë defekt fare, por nuk ndihet i kënaqur me veten. Humbja e kënaqësisë me veten, e privon njeriun nga të parit e vetes të bukur.
Të imagjinosh shëmtinë dhe ta ndjesh atë, është diçka që ka pushtuar shumë burra e gra, gjë e cila i ka shtyrë drejt izolimit, depresionit dhe vetëvrasjes. Në psikologji kjo njihet si shëmtia imagjinare.
Vetëm në Amerikë janë mbi dhjetë milionë persona që vuajnë nga kjo ndjesi patologjike.
Ajo mund të lindë që gjatë fëmijërisë, ku prindërit e etiketojnë fëmijën si “Hundëmadh, arush..” gjë të cilën fëmija mund të mos e pranojë dhe të ambientohet me të.
Mund të lindë edhe nga kritikat dhe qortimet e nënës ndaj vajzës së saj adoleshente, e cila qëndron gjatë para pasqyrës dhe kujdeset për pamjen e jashtme.
Ka edhe njerëz që vuajnë nga paranoja, u fiksohet një ide në kokë, sado e marrë dhe e palogjikshme të jetë, por që e kanë të pamundur ta luftojnë dhe i dorëzohen.
Mund të vijë edhe nga depresioni, i cili e thellon obsesionin e shëmtisë.
Në këtë rast, burri ose gruaja, kanë nevojë për një operacion plastik të një lloji tjetër, kanë nevojë për operacion ndjenjash dhe emocionesh, gjë e cila do u mundësojë të familjarizohen me veten dhe të shohë bukurinë e jashtme fizike të konfirmuar edhe në sheriat, të kenë besim tek vetja dhe të aktivizojnë forcën e mendjes, shpirtit, gjuhës dhe moraleve.
Thotë Zoti në Kuran:” .. as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire.” (Hud, 31)
Usame ibnu Zejd kishte pamje të shëmtuar, saqë edhe Profeti a.s falënderonte Zotin që Usame ishte burrë dhe jo grua
Ata ibnu Rebah, ishte zezak, hundështypur, gjysmë i paralizuar dhe çalaman, madje nga fundi i jetës humbi dhe shikimin. Megjithatë, ai ishte imam dhe referencë dijesh në mbarë Hixhazin, ishte fakih, njohës i shkencës së hadithit dhe shumë shpirtëror, kalifët i qëndronin në këmbë për shkak të autoritetit.
Shumë njerëz të shquar të cilët i ka përjetësuar historia, si Zuhrij, Jahja ibnu Ekthem, Amesh, Sokrati etj… kanë pasur të meta fizike.
Profeti Muhamed a.s vlerësoi virtytet dhe moralet e Eshexh ibnu Kajs, kurse Xhuajl ibnu Suraka e krahasonte me kolosë duke thënë:”Ky është më i mirë se e gjithë toka e mbushur me njerëz si filani.”
Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Një zezake që lind, është më e mirë se një bukuroshe që nuk lind.” (Tabarani)
Shohim që Profeti a.s përmendi ngjyrën e zezë dhe nuk përmendi fare shëmtinë, gjë me të cilën i drejtohet njeriut, e në veçanti gruas, se njeriu nuk është absolutisht i shëmtuar, se ai ka aspekte të bukurisë fizike, mendore dhe morale, gjë e cila e bën tërheqës dhe të bukur. Janë virtytet dhe vlerat ato që e bëjnë njeriun të prevalojë edhe ndaj atyre që kanë bukuri fizike. Mes njerëzve është përhapur edhe fjala se vajza me mungesë bukurie fizike, është më me fat në martesë se ajo e bukura që të merr sytë. Është vetë natyra e marrëdhënies ajo që e bën diçka të bukur. Fëmijët e vegjël e shohin nënën e tyre si e bukura e dheut.
E zeza nuk është ngjyrë e shëmtisë, pasi e zeza është thjesht një ngjyrë të cilën e gjejmë tek gjërat e bukura. E zeza është ngjyrë e preferuar në poezi, ngjyra e preferuar e syve, ngjyra e natës…
Punët e mira, moralet sublime, zemërbutësia, humori, besimi tek vetja etj… janë degë të një peme të mirë, e cila quhet besim tek Zoti, i cili është Krijuesi i njeriut.
Prandaj, të kuptosh natyrën e tjetrit, ta mbash pranë, ti japësh siguri dhe ti shprehësh emocione, të bën të bukur në sytë e tij.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit