-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Se çfarë ai lexon, do të habiteni: Ky është rrëfimi i 11-vjeçarit nga Prishtina, i pasionuar pas librave (Foto)

Më të lexuarat

Për dallim nga bashkëmoshatarët e tij, të cilët janë të habitur pas lojërave, Besfort Spahiu, kohën e tij të lirë e kalon duke lexuar libra.
Besforti është vetëm 11 vjeçar dhe sapo ka përfunduar klasën e pestë. Ai ndjek mësimet në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.
Teksa tregon për librat që ka lexuar me plotë dashuri dhe pasion, vërehet se nxënësi nga Prishtina ka arritur të krijojë një diapazon të njohurive.
Ai me entuziazëm thekson se numri i librave që ka lexuar deri në këtë moshë, jashtë literaturës obligative shkollore, ka kaluar numrin 100.
“Tash e kam përfunduar klasën e pestë me sukses të shkëlqyer (me krejt pesa). Nuk dua të jem modest, por jam i dalluar në klasën time për arritjet në mësime. Shpresoj shumë se do të vazhdoj kështu”, ka thënë Besforti në rrëfimin e tij për Telegrafin.

Ai ka theksuar se kënaqësinë e vërtetë e gjenë duke lexuar; romane, enciklopedi dhe libra të tjerë që kanë përmbajtje sidomos historike dhe filozofike.
“Tash së fundmi i kam përfunduar dy Enciklopedi: Enciklopedia ime e parë – në të cilën flitet për civilizime dhe detaje tjera shkencore dhe “Gjithçka që duhet të dini”. Nuk e di saktë pse, por tash leximi më është bërë diçka e pandashme nga përditshmëria ime. Nuk besoj se më kalon një ditë pa lexuar disa faqe të ndonjë libri. Nuk e kam fiks sasinë sa duhet të lexoj, por thjesht është çështje disponimi dhe inspirimi, ajo që ma dikton sa do të lexojë”, ka thënë 11 vjeçari nga Prishtina.
Sipas tij, nuk është e lehtë që të gjejë bashkëmoshatarë me të cilët i diskuton përmbajtjet e librave, sepse “ata shumicën e kohës së lirë e kalojnë duke luajtur lojëra, ose duke shikuar futboll”.
“Edhe unë ndonjëherë luaj, por nuk mendoj se duhet të kalohet krejt koha në lojëra. Ky është mendimi im, ndoshta edhe nuk e kam mirë. Mua leximi më jep kënaqësi, dikujt ndoshta loja”, ka shtuar djaloshi.
Besforti tregon se pasioni i tij për libra nuk ka qenë i shtyrë nga dikush, por se prindërit janë tepër të kënaqur që ky e kohën e kalon duke lexuar.
“Ata vazhdimisht më mbështesin. Mi sigurojnë të hollat kur dua të blejë libra, sepse unë nuk kam mundësi ta bëjë vet një gjë të tillë”, ka shtuar ai.
Djaloshi 11 vjeçar tregon se familja e tij përbëhet nga pesë anëtarë: nëna, babai dhe dy vëllezërit binjakë, Besarti dhe Besmiri, të cilët sapo e kanë kaluar vitin e parë të jetës së tyre, e që këtyre vocërrakëve mundohen t’ua mësoj ndonjë fjalë.
“Pavarësisht se vetëm babai punon në shtëpi, prindërit nuk kursejnë nga paratë e tyre për të më siguruar mua literaturën të cilën unë e pëlqej”, thekson 11 vjeçari nga Prishtina.
Besforti ka thënë për Telegrafin se ai entuziazmohet shumë kur ka evenimente në të cilat promovohet ndonjë libër me vlerë shkencorë ose akademike, dhe se ka gatishmëri që të marrë pjesë në secilën prej tyre.
“Në panaire të librit, sa herë më jepet mundësia i vizitoj. Kam qenë edhe në këtë të fundit në Prishtinë. E analizoj cilat janë titujt e ri, e më pas cili prej tyre po ma ngacmon kureshtjen dhe kështu vendosi t’i blej. Në pamundësi për t’i blerë i huazoj nga dikush, ose shkoj në bibliotekën e qytetit të Prishtinës ‘Hivzi Sylejmani, pjesë e së cilës jam tash e sa kohë”, ka sqaruar ai.
Ai tregon se në bibliotekën e kryeqytetit tashmë është figurë e njohur.

Djaloshi 11 vjeçar ka theksuar se ai ndër të tjera vijon edhe një kurs të aktrimit, gjë e cila i pëlqen shumë.
Por ende nuk është i sigurt nëse kur të rritet do të bëhet aktor.
Aktori i preferuar i Besfortit është Leonardo Di Caprio, ndërsa filmi që e pëlqen është “Alvin and he Chipmunks”.
Besforti, ndonëse shumë i ri në moshë, tregon se interesohet edhe për zhvillimet që ndodhin nëpër botë, duke shtuar se ai lexon mediat online më të mëdha në botë.
“Kureshtje të veçantë kam për vatrat e krizës. Më intereson të di për shumë për zhvillimet, analizat, që bëhen për Lindjen e Mesme”, ka thënë ai.
11 vjeçari, i cili buzëqeshjen e ka armë të fuqishme për t’i përvetësuar zemrat e njerëzve, dallohet për dinamikën e tij. Gjuha e tij e trupit tregon se Besforti është një tip shumë i gjallë.
Ai ka treguar edhe detaje tjera nga jeta e tij jo shumë e gjatë, por e cila karakterizohet më së shumti nga librat.
Një detaj interesant është që Besforti në moshën 4 vjeçare e ka mësuar shkrim – leximin.
“Kur kam hyrë në klasën e parë, nuk kam pasur nevojë t’i ndaj fjalët në rrokje, për ta mësuar leximin e tyre. Kam lexuar rrjedhshëm qysh në klasën e parë”, ka shtuar djaloshi nga Prishtina.
Ai si entuziast i librave, thotë se Mark Twain mbetet njëri ndër shkrimtarët e preferuar të tij, respektivisht libri i preferuar mbetet “Princi dhe i Vobekti”.
Kaçurreli simpatik, Besfort Spahiu, nuk është se i ka harruar studimet, edhe pse është herët. Fushë e interesimit të tij mbeten shkencat sociale në përgjithësi, por thotë se nuk e përjashton si mundësi që t’i studiojë gjuhët e huaja.
“Më pëlqen historia, gjuhët e huaja dhe shkencat tjera shoqërore. Në matematikë jam i mirë, por më duhet ende të punoj. Interesohem të lexoj për civilizimet njerëzore. Civilizimin grek, romak, bizantin, atë islam, fe të cilës edhe unë i takoj. Fushë të interesimit i kam edhe teologjinë. Më intereson ta di raportin e njerëzve më Zotin. Është tepër interesant”, ka shtuar ai.
Besforti thotë se kur mendon për kohën e studimeve, do të dëshironte që ato t’i përfundonte jashtë Kosovës.
Djaloshi 11 vjeçar, të cilit po i mungojnë bashkëmoshatarët me të cilët i diskutojnë titujt e librave të lexuar ose pjesët nga këta libra, vlerëson se edhe më të rriturit nuk po lexojnë libra.
“Po kam problem që për këta libra të flas edhe me më të rriturit. Më duket se as ata nuk lexojnë. Do të kisha dëshirë që të kem moshatarë të mi, më të cilët i diskutojmë përmbajtjen e librave. Por, edhe nëse nuk gjejë të tillë, unë do të vazhdoj të lexoj”, ka shtuar Besforti.
Ai tregon se libri i radhës të cilin pret ta lexoj, ka të bëjë me sociologjinë.
“Planifikoj shumë shpejt ta lexoj një libër voluminoz, e ai është “El Mukadime”, i Ibn Haldunit, i cili njihet si babai i sociologjisë. Më kujtohet se ka qenë themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, i cili para disa muajsh e pati preferuar këtë libër për ta lexuar, dhe kjo më pati mbetur në mendje”, ka theksuar ai.
Ai ka edhe një mesazh për moshatarët e tij dhe jo vetëm.
“Unë i porosisë që të lexojnë sa më shumë dhe ta kthejnë leximin në pasion, sepse më të vërtetë do të kënaqën. Jeta e tyre do të jetë më e mirë dhe më interesante. Do ta jenë me produktiv për shoqërinë”, ka përfunduar Besforti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit