2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Satirë: ISIS bleu kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016

Më të lexuarat

Kualifikimi i kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian, që do të mbahet në Francë, ka gjasa të jetë bërë i mundur nga ISIS. Gazeta britanike Daily Horror bën të ditur se një rrjet i fuqishëm i trukimit të ndeshjeve kontrollohet tashmë nga kjo organizatë, e cila ka në dorë fatin e shumë skuadrave në Europë, duke gjeneruar sasi të mëdha të ardhurash në shërbim të terrorizmit. Nëpërmjet rrjetit të saj organizata ka arritur të infiltrohet deri në hierarkinë e lartë të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat, sipas shumë zërave, jo më kot janë së fundmi nën hetim.
Flitet që ISIS ka ndërhyrë fort për t’i prishur pazarin Armando Dukës, i cili, në ndeshjen e fundit në grup, kish vënë skedinë për fitoren e Armenisë. Duke rritur pazarin për ndryshimin e rezultatit, ata arritën të godasin aksionet e Dukës në treg, duke i dhënë fitoren ekipit shqiptar. Dyshimet për trukim janë shprehur që herët edhe nga federata daneze. Dyshime ka ngjallur gjithashtu ndryshimi 100 % i vendimit për ndeshjen Serbi-Shqipëri në Gjykatën e arbitrazhit. Një ndërhyrje në momentin e fundit ka ndryshuar vendimin si dhe fatin e Shqipërisë në këto eliminatore.
Gazeta citon se gjithçka bëhet e ditur nga një agjent anonim i shërbimeve të mençura maqedonase, të cilat kanë rënë në gjurmë të lidhjeve që terroristët kanë me trafikantët shqiptarë në të gjitha fushat: në trafikun e drogës, armëve, femrave, votave, e tashmë së fundmi, edhe ndeshjeve. Përjashtim bën vetëm trafiku i organeve, që sipas Carla del Ponte, eksperte ndërkombëtare e kukurecit, është monopol i UCK-së, që nuk e lëshon për qamet. Gazeta në fjalë mbështetet edhe nga disa media italiane, përfshi gazetarë të tipit Antonio Ferrari, që Sant’Egidio e solli në Shqipëri për spektaklin e paqes, tolerancës e harmonisë, 4 muaj përpara se z. Ferrari të zbulonte që Shqipëria na qenka tmerri kryesor i terrorizmit për Italinë. Me sa duket Ferrari nuk është edhe aq i gabuar, po të konsiderohet tradita e mirë italiane e shit-blerjes së ndeshjeve. Gazeta thotë se organizata terroriste pas kontrollit mbi rrjetet e trafikut ka shfaqur interes për futjen e Shqipërisë në Europian, për të lehtësuar kalimin e armëve në Francë nëpërmjet infiltrimit të trafikantëve mes grupeve të tifozëve.
Për këtë, ISIS ka ngritur disa celula në fshatin Lazarat, të cilat po stërviten me intensitet për tu sjellë si ultras, e madje po përhapet edhe në Dukagjin, atje ku as turku, për mungesë hartash sigurisht, nuk shkoi dot. Biznes hesapi! Në kampet e tyre stërvitore, xhihadistët po mësojnë sesi të këndojnë e festojnë për skuadrën shqiptare, si të gjuajnë me fishekzjarre e jo vetëm, kur dhe si të fishkëllejnë arbitrin, kë nga familjarët kanë më përzemër skuadrat rivale (nënën apo motrën), e madje edhe sesi të mos brohorasin Allahu Ekber, por Goool, kur kombëtarja shqiptare të shënojë në portën kundërshtare. Gjithashtu përveç praktikës ata po marrin edhe mësime teorike mbi futbollin, në mënyrë që të njohin dhe kuptojnë rregullat e kësaj loje, për t’i ushtruar më mirë detyrat, pasi përndryshe mund të zbulohen se nuk janë tifozë. Ndërkohë ata po ushtrohen gjithashtu në telekomandimin e dronëve, ku pritet te shfaqin surpriza në fushë.
Gazeta, bën të ditur se banorët janë të bezdisur nga këto seanca stërvitore, pasi brohoritjet e tyre në çdo orar të ditës e natës i zgjojnë nga gjumi dhe iu prishin qetësinë. Një burrë rreth të pesëdhjetave i quajtur Xha Basti u shpreh kështu për prestigjatozen britanike:
“Na çmëndën ore! Kohë gjumi apo jo, ia japin ulërimës me sa kanë në kohë: Goool! Në fillim çohesha me vrap nga krevati për te klubi i gjitonit, për të parë në televizor se kush e bëri golin, po hiç. Na ngrinë gjakun, se ç’o ku vemë edhe ndonjë skedinë! Pastaj, morëm vesh se këta mblidheshin andej nga fushat e djerra e bënin stërvitje për tifozë.”
Megjithatë Xha Basti thotë se emri i fshatit nuk mund të ndotet me këto gjëra. Sipas tij ata janë të gjithë të ardhur nga fshatra të tjerë dhe asnjë prej tyre nuk është lazaratas:
“Duan të njollosin emrin e mirë të fshatit, që Mbrojtësi i qytetërimit europian dhe Athleti i BE-së, Hirësia e Tij, Kryeministri, e zbardhi me aq mund. Por nuk do t’ia dalin, sepse Lazaratin e njeh tërë bota se kush është. Këta janë disa delenxhinj që vijnë nga fshatrat e Tepelenës, ku paraardhësit e tyre kanë qenë mercenarë të të huajve, ndërsa gratë kanë bërë gjithmonë zanatin e llahingave, duke qarë me pagesë të vdekurit e botës. Lazarati ka jetuar përherë me djersën e ballit dhe nuk bën temena me pagesë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit