3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Salih Maksutaj – Salih Hoxha (1914 – 1946)

Më të lexuarat


Në historinë e kulturës islame dhe kombëtare në Istog dhe me gjerë, në shekullin XX, një vend të merituar zë padyshim edhe edukatori Salih Hoxhë Maksutaj. Koha kur jetoi dhe veproi ky personalitet qe kohë e kthesave dhe rrethanave jo shumë të favorshme për popullatën e këtyre anëve dhe për Kosovën në përgjithësi. Rrethanat shoqërore-politike, ndërrimi i pushteteve, secili më i ashpër se tjetri, ua vështirësuan shumë jetën shqiptarëve. Për këtë arsye, pothuajse e gjithë barra kishte rënë mbi ulemanë e asaj kohe. Kah do të përcaktoheshin dhe kah do të drejtoheshin ulemaja, atë rrugë do të ndiqte edhe xhemati, populli.

Është fat i mirë që në këto periudha të vështira, jetuan e vepruan një brez i tërë i ulemave atdhetarë, të ditur e të përgatitur si në pikëpamjen fetare, po ashtu edhe në atë kombëtare. Ishin këta burra të mëdhenj që udhëhoqën popullin, e udhëzuan dhe e mësuan atë drejt, saktë e mirë. Ishin këta dijetarë vepërmirë që nuk u luhatën në bindjet dhe pikëpamjet e tyre fetare e kombëtare, pavarësisht dhunës, torturave, provokimeve e nënçmimeve, tradhtive dhe mbytjeve që u bënin sistemet e ndryshme dhe njerëzit e këtyre sistemeve. Falë këtij brezi të ndritur e meritor, vazhdoi pashkëputshëm kultura dhe tradita islame në vendin tonë. Një nga ato personalitete dhe figura të rëndësishme të kësaj kohe dhe të këtij brezi, që la gjurmë në kulturën dhe traditën islame të Istogut, është edhe Salih Hoxha-Maksutaj.

Familja dhe lindja e tij

Salih Maksutaj rrjedh nga një familje fetare, atdhetare, humane, patriotike e besnike. I ati i tij ishte hafëz Emini, i cili kishte kryer mësimet fetare në Medresenë e Shkupit. Ai kishte shërbyer si imam ramazani për disa vite në fshatin e tij. Në vitin 1919, fshati Orroberdë u dogj nga serbët dhe banorët e këtij fshati kishin gjetur vendstrehim të përkohshëm në bjeshkët mbi fshatin Kaliqan. Më pastaj, banorët e fshatit Studenicë e strehuan hafëz Eminin me familje dhe e emëruan imam të fshatit. Si imam i fshatit Studenicë shërbeu rreth dhjetë vjet. Hafëz Emini shquhej si humanist i madh dhe xhematit iu shërbente krejt vullnetarisht.

Hafëz Emini ishte i martuar me Hyre Muçaj, të cilëve ju fali Zoti pesë fëmijë: Mustafën, Salihun, Aliun, Aijshen dhe Ryven. Sali Maksutaj është i biri i dytë i Hafëz Eminit.

Arsimimi

Salih Maksutaj shkollën fillore e kreu në Vrellë, kurse të mesmen me sukses të shkëlqyeshëm e kreu në medresenë e vjetër katër vjeçare në Pejë prej vitit 1935-1939.

Pasi që kishte përfunduar medresenë në Pejë, ishte regjistruar në Medresenë e Madhe te Fahri efendi Iljazi në Gjakovë. Ai ishte në gjeneratë me hoxhallarët e njohur të kësaj ane: me mulla Zekë Byrdynën e Radacit, mulla Ramush Shatrin e Tomocit, me mulla Isa Haxhiun e Dubovës së Madhe, me mulla Hysen Berishën e Ruhotit dhe shumë të tjerë. Meqë mbeti kujdestar i familjes në rininë e tij, Salihu detyrohet që t’i ndërpresë studimet në Gjakovë. Salih Maksutaj filloi veprimtarinë kundër armiqve sllav, si kryetar i ballit kombëtar në këtë trevë. Ai bashkëpunoi me ilegalen kaçake, me burrat e njohur shqiptarë të kësaj çështjeje, që ishin Bajram Gashi i Uçës, Bardh Isufi, Tahir Bajram Maksuti, Ali Shaban Muzlijaj, Hajdin Zekë Muzlijaj etj., të fshatit Orroberdë, me mulla Zekë Byrdynën, Qerim Sadri Sadikaj, Sadik Ramën e Gjurgjevikut, e shumë të tjerë.

Puna

Salih Hoxha kishte autoritet të madh në popullin e kësaj treve. Në mënyrën ilegale, nga Konsulli i Ambasadës Shqiptare në Shkup sillte abetare dhe libra të tjerë shqip dhe i fshihte në fshatin Vrellë te Smajl Ali Bicaj e te Avdyl Sylë Mavraj, në kohën kur po t’i gjendej ndokujt një libër në gjuhën shqipe pësonte jo vetëm personi, por e tërë familja. Sahil Hoxha i dinte tri gjuhë të huaja: gjuhën turke, arabe dhe italiane. Në italisht komunikonte me ushtrinë italiane, meqë Salih Hoxha në atë kohë (1942-1943) ishte kryetar i Komunës në Vrellë. Në postin e kryetarit të komunës nuk vazhdoi gjatë sepse si i padëshiruar i shtetit, largohet nga puna. Salihu i kthehet detyrës për të cilën dhe kishte ndjekur mësimet dhe kishte dhënë mund e lodhje. Më 12 tetor 1938, mori detyrën e imamit në xhaminë e fshatit Studenicë, pas imamit Hetem Metë Gorçaj.

Internimi dhe vdekja

Në detyrën e imamit të xhamisë nuk e lanë të qetë dhe pas një kohe jo të gjatë e larguan prej kësaj detyre. Ai u angazhua si imam për muajin Ramazan gjatë viteve 1942-1943 në fshatin Prigodë dhe Kamenicë të komunës së Istogut. Si i padëshiruar dhe i familjes fashiste, në nëntor të vitin 1944, sllavo-komunistët e ftojnë Salih Hoxhën në bisedë kinse për luftë të përbashkët kundër fashizmit gjermano-italian, mirëpo ai i ishte përgjigjur: “Bashkëpunim me serb nuk ka, se ju jeni të pabesë. Ju luftoni në Serbi e Mal të Zi, e ne do të luftojmë në Kosovë.”

Pas mbledhjes së 5 korrikut 1945 në Kuvendin e Prizrenit, nga sistemi i atëhershëm, Salih Hoxha u shpall armik i shtetit dhe i popullit. Atë e internuan me familje, duke ia konfiskuar kështu pasurinë, tokën e bagëtinë. Gjashtë anëtarët e familjes së Salihut u burgosën për disa muaj, të cilët vuajtën dënimin në burgun e Lugut të Istogut. Salih Hoxha u vra tradhtisht. Nga familja e tij, sot jeton vetëm djali i tij Emini, i cili është veteran i arsimit.

Referencat:

1. Haki Kasumi, Gjurmime albanologjike seria e shkencave historike XII- 1982, Instituti Albanologjik i Prishtinës, fq. 164..

2. Emin Maksuti, Orroberda, kodër e shqiponjave, fshati i rezistencës kundër pushtuesve të huaj, fq. 78.

3. Intervistë me Emin Maksutaj në hotel “Park”, Banjë, më 2 maj 2015.

4. Nga arkivi KBI-së Istog.

Mr. Vehbi Shatri

Dituria Islame 385

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit