2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Salih efendi Myftia, personalitet i shquar fetar dhe kombëtar

Më të lexuarat

Salih efendi Myftia (1891-1978), Myfti i Zonës Shkodër dhe Kosovë (Gjakovë), Prijës i shqiptarëve myslimanë në SHBA

Salih Efendi Myftia lindi më 1891 në Shkodër, në një mjedis familjar, intelektual, fetar dhe shoqëror të shquar. Ai u rrit në këtë qytet duke hyrë në fillim të shekullit XX me një edukatë të shëndoshë islame. Mësimet e para i mori në Medresenë e Shkodrës e më pas i plotësoi në Vlorë, tek intelektuali dhe teologu i mirënjohur, Haxhi Vehbi Dibra, myfti i atij qyteti në atë kohë, duke treguar një përkushtim të veçantë ndaj diturisë fetare. Që në moshë të re zotëronte mirë gjuhët orientale: arabishten, persishten dhe turqishten. Shpejt ai fitoi simpatinë e banorëve të vendlindjes së tij dhe me sjelljen e përkushtimin në punë lartëson figurën prej prijësi fetar të shquar. Një kujdes të veçantë tregon për pasurimin e bibliotekës së familjes, që e kishte trashëguar nga paraardhësit. Për këtë bibliotekë është shkruar në mjaft organe shtypi[1], por mund të theksohet se ajo ishte ndër më të vjetrat e më të kompletuarat me vepra fetare, filozofike dhe të shumë degëve të tjera të shkencave, ku Salih Efendiu studionte e plotësonte formimin e tij kulturor e fetar. Për fat të keq, kjo bibliotekë 300 vjeçare është zhdukur plotësisht nga vala e shkatërrimeve dhe përndjekjeve politike ateiste.

Kultura e tij e gjerë dhe aftësitë personale e afirmuan si një drejtues fetar të merituar, prandaj edhe emërohet drejtor i Medresesë së Epërme.

“Shpejt mbas Pavarësisë së Shqipërisë u pat hapë në Shkodër një medrese e re zyrtare në drejtimin e Salih Efendisë me mësues të aftë fetarë e me disa mësues civila të cilët jepshin mësime suplementare. Kjo medrese, krahas lëndëve fetare punonte në bazë të një programi modern, për sa i përkiste shkencave të tjera në analogji me shkollat e shtetit”.[2] Kjo medrese nën drejtimin kompetent të Salih Efendi Myftisë do të bëhej një nga qendrat e rëndësishme kulturore dhe arsimore për fëmijët e të rinjtë e besimit islam në Shkodër.

Më 14 janar të vitit 1931, Salih Myftia emërohet Kryemyfti i Zonës Shkodër.[3] Emërimi i Hirësisë së tij bëhet me Dekretin nr. 19 të Mbretit Zog dhe përveç tij është firmosur edhe nga Kryeministri Pandeli Evangjeli dhe Ministri i Drejtësisë.

Pak kohë më vonë juridiksionit të Salih Efendisë si Kryemyfti, përveç Prefekturës së Shkodrës, i shtohet dhe detyra e Prefekturës së Kosovës, që përfshinte zonën Kukës, Krumë, Has, Gjakovë (Tropojë). Kjo qe një detyrë me rëndësi jo vetëm për shtrirjen e gjerë, por për vetë problemet administrative, fetare, kulturore dhe ekonomike. E duhet theksuar se këtë detyrë e kreu me përkushtim të veçantë dhe u shqua si një drejtues i aftë e kompetent.

Gjatë kësaj periudhe mund të vëmë në pah disa veprimtari, ku u përqendrua puna e Salih Efendi Myftisë:

Kryemyftinia e Zonës së Shkodrës dhe Kosovës riorganizohet dhe funksionon më mirë si institucion fetar.

Zëri i kryemyftinisë, i hoxhallarëve të nderuar dhe i intelektualëve të shquar myslimanë dëgjohet i qartë e i fuqishëm në të gjitha strukturat organizative të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe në veprimtaritë që organizohen prej tij.

Për të gjithë hoxhallarët e shquar krijohet një klimë e shëndoshë pune.

Ka një lëvizje të madhe kuadrosh nga qytete të tjera në Shkodër.

Meremetohen shumë xhami dhe emërohen kuadrot më të aftë për shërbimet fetare.

Riorganizohet mësimi i besimit islam në shkollat shtetërore, emërohen për të dhënë mësim hoxhallarët më të nderuar dhe mësuesit më të devotshëm.

Nxiten familjet shkodrane që djemtë e vajzat të ndjekin shkollat e të gjitha kategorive.

Fillon një traditë e bukur botimesh fetare islame, sidomos në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës”, ku edhe botohet revista “Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ka një lëvizje interesante të intelektualëve shkodranë në shërbim të fesë e të kulturës fetare.

Ka një lëvizje të gjerë kulturore, fetare dhe kombëtare.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Salih Efendiu internohet në Gjirokastër. Lidhur me këtë fakt z. Adem Hodo shkruan: “…Në lëmin kombëtar, me zaptimin e Shqipërisë më 7 prill 1939, qe vënë në shenjë nga zaptonjësit dhe u internua në kalanë e Gjirokastrës për një kohë relativisht të gjatë”.[4]

Periudha gjatë okupimit fashist zgjon te Salih Myftia shpirtin luftarak dhe e kalon atë nga një besimtar me Kur’an në dorë në një atdhetar dhe me pushkë në krah organizon rezistencën nacionaliste shqiptare, duke u bërë një nga inspiruesit më të dalluar të luftëtarëve të lirisë e duke u vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare.

Në prag të ardhjes në fuqi të pushtetit komunist në Shqipëri, Salih Efendi Myftia me zemër të lënduar mori rrugët e mërgimit për të mos u kthyer më kurrë në atdheun e tij të dashur, për të cilin jetoi e punoi gjatë gjithë jetës së tij pothuajse shekullore.

Largimi nga atdheu për Salih Myftiun nuk kishte kuptimin e shpëtimit, por kishte për qëllim vazhdimin e luftës së pandërprerë antikomuniste dhe rikthimin e lirisë së humbur popullit të shumëvuajtur shqiptar, luftë të cilën e vazhdoi deri në minutat e fundit të jetës së tij.[5]

Në rrugën e mërgimit filloi një etapë tjetër e veprimtarisë fetare dhe politike të Salih Myftisë. Që në ditët e para kur ishte në kampin “Grumo” të të mërguarve shqiptarë në Bari, edhe në kushte të vështira morale e të një hidhërimi të thellë, ai më 28 nëntor 1944, Ditën e Flamurit, organizon me të gjithë emigrantët shqiptarë një ceremoni atdhetare dhe fetare. Më pas nga Bari e internojnë për dy vjet në një zonë tjetër, Rexhio Emilia.[6]

Filloi kështu një periudhë e re në jetën e Salih Myftisë, e ngjeshur me vuajtje dhe të panjohura. Ishte një odise e mirëfilltë. Kaloi nga njëri vend i huaj tek tjetri, nga Italia në Egjipt, Siri e Liban.[7]

Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri jo vetëm që u njoh dhe u çmua nga njerëzit më të lartë të rangut të vet fetar, por u pa kurdoherë me nderime të posaçme dhe në rrethet më të zgjedhura të aristokracisë së vendit e të personaliteteve më të njohura të botës arabe.[8]

Në mërgim qe ndër këshilltarët më të afërm të Mbretit Zog dhe njëri që e ndihmoi më tepër në realizimin e lidhjes midis mbretit Zog dhe krerëve të mërgatës politike shqiptare, e njohur si “Marrëveshja e Aleksandrisë”.[9]

Pas një përvoje të hidhur të jetës së mërgimit, që e detyroi atë të kalojë prej një vendi të huaj në tjetrin, më në fund Salih Efendia gjet prehje e paqe në rrethin familjar të djalit të tij, Fuadit dhe të Bashkësisë Shqiptare të Washingtonit në SHBA, deri në ditët e fundit të kësaj jete.

Atje fillon aktiviteti i Salih Myftisë në fushën fetare dhe pa humbur kohë merr iniciativën për themelimin e Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane për shtetet New Jork-New Jersey dhe së bashku me Imam Isa Hoxhën dhe me ndihmën e intelektualëve shqiptarë hapën të parën shkollë fetaro-kombëtare, ku Salih Myftia, edhe pse tashmë në moshë, asistonte në çdo orë mësimi që mbahej, pavarësisht kushteve atmosferike.

Ngritja e xhamisë, krijimi i Komunitetit Mysliman për shqiptarët e Amerikës, hapja e shkollës së parë fetaro-kombëtare për fëmijët e shqiptarëve myslimanë të Amerikës, janë dëshmi e një përkushtimi të lartë fetar e atdhetar.

Salih Myftia, krahas punës së madhe në fushën e edukimit fetar të shqiptarëve në Botën e Lirë, zhvilloi edhe një veprimtari të dendur politike atdhetare.

Për meritat e tij fetare dhe kombëtare trashëgimtari për fronin mbretëror, Leka Zogu e dekoroi Salih Myftiun me Dekoratën “Kordoni i Madh i Skenderbeut”.

“Urojmë me gjithë zemër Hirësinë e Tij, Salih Myftiun, për dekoratën ma se të meritueme dhe ta mbajë për shumë vjet në gjoksin e Tij krenar, si shpërblim për veprat e Tija të nalta për: Fe, Atdhe, Komb e Mbret”, thuhet në një artikull të gazetës “Atdheu” në SHBA, në vitin 1977.[10]

Salih Myftia ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare, pas një pune dhjetëra vjeçare si dishepull i atdhetarizmit dhe i Fesë islame.

Gazeta “Atdheu” i kushtoi një numër special kësaj ngjarjeje të dhimbshme. Në ballë të këtij numri shënohej:

“Ndrroi jetë në New York, me 19 maj 1978 Hirësia e tij Salih Myftija, ish-kryemyfti i Shkodrës dhe i Kosovës dhe udhëheqësi shpirtnor i myslimanëve shqiptarë në botën e lirë, njeni nga figurat ma të shkëlqyeshme të përpjekjeve fetare kombëtare”.[11]

_______________________

[1]. Revista “Njeriu”,“Almanaku”,“Shkodra” etj.

[2]. Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe motet”, dorëshkrim, f. 535.

[3]. Dekreti Nr. 19, dt. 14 Kallnuer (janar) 1931, ruhet në arkivin e familjes Myftia.

[4]. Hodo, Adem, Fjala e rastit në vdekjen e Sali Myftisë, gazeta “Atdheu”, (organ i Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”-O.K.L.L.), New York, vjeti XXVIII, nr. 2 (53), maj-qershor 1978: 4.

[5]. Mulosmanaj, Hysen, “Koha dhe vepra e tij”, gazeta “Atdheu”, New York, Vjeti XXVIII, nr. 2 (53), maj-qershor 1978: 4.

[6]. Kupi, Nderim, Intervistë dhënë Radio Shkodrës me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Salih Efendi Myftisë, tekstin 11 faqe në dorëshkrim e ruan familja Myftia.

[7]. Vani, Shaban, Udhëheqës shpirtëror i Myslimanëve shqiptarë në Botën e Lirë, gazeta “Drita Islame”, nr. 6, 1992:3.

[8]. Mulosmanaj, Hysen, “Koha dhe vepra e tij”, gazeta “Atdheu” New York, Vjeti XXVIII, nr. 2 (53), maj-qershor 1978: 4.

[9]. Deda, Zef Pashko, “Jeta dhe vdekja e tij”, gazeta “Atdheu”, Organ i Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (O.K.L.L.), New York, Vjeti XXVIII, nr. 2 (53), maj-qershor 1978:3.

[10]. Dekorim i merituem, Gazeta “Atdheu”, nr. 50-51, New York, nandor 1977:1.

[11]. Deda, Zef Pashko, “Jeta dhe vdekja e tij”, gazeta “Atdheu”, Organ i Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (O.K.L.L.), New York, Vjeti XXVIII, nr. 2 (53), maj-qershor 1978:3; për më tepër shih: gazeta “Drita Islame”, nr. 6, 1992; Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Rozafat, 1997.

zaninalte

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit