-2.3 C
Pristina
Monday, January 13, 2025

SAJIMI I TERRORIZMIT NË KOSOVË

Më të lexuarat

Vedat Xhymshiti
Për Shtetet e Bashkuara, Kosova është një vend strategjik. Ajo është myslimane, por vetëm në mënyrë të moderuar, vendi është afër Rusisë dhe i pozicionuar në një korridor të botës së ngarkuar me energji. Kosova është ndër vendet e pakta që e ka mbështetur pushtimin amerikan të Irakut në fillim të vitit 2003, i cili pushtim shkaktoi vdekjen e më shumë se 2 milion civilëve të pa-armatosur dhe të pa-mbrojtur, nga administrata e presidentit George Bush. Ndërtimi i autostradës “Prishtinë-Durrës” (në kufirin shqiptar) nënkupton një avantazh ushtarak për amerikanët. Baza ushtarake në Sojevë “Bondstill” ka përfituar drejtpërdrejtë qasje në Detin Adriatik, ku Shqipëria i ka autorizuar tashmë Shtetet e Bashkuara për përdorimin e portit detar, me autostradën nuk përfitoi vetëm Pentagoni, por edhe korporatat Amerikane dhe Turke si ajo ‘Bechtel & Enka’ dhe vetë ambasadori amerikan në Prishtinë Christopher Dell, e qytetarët e Kosovës humbën më shumë vende të punës dhe buxheti i tyre u varfërua më shumë.

Komandanti ‘i fortë’ i shqiptarëve të Kosovës në Ushtrinë Islamike të Sirisë dhe Irakut (ISIS) Lavdrim Muhaxheri, para se të zhvillonte karrierën e tij prej një drejtuesi ushtarak ka punuar për kampin ushtarak amerikan në “Bondstill”, nga qyteti i tij Kaçaniku, i cili shtrihet përgjatë vijës kufitare me Maqedoninë, rrugëtimi me makinë deri tek baza më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë merr vetëm 30 minuta, më vonë ai gjithashtu punoi për misionin e tyre në Afganistan siç edhe kanë raportuar mediat Kosovare.

Lavdrimi tani është kthyer në një karakter të “famshëm” i cili po zapton kryetitujt e lajmeve në disa prej mediave të kontrolluara të Kosovës, gazetarët e të cilave duket se nuk vejnë aspak në dyshim deklaratat e autoriteteve në Prishtinë, sidomos kur në ngjarje janë të përfshirë amerikanët apo sundimtarët e qeverisë të vendit të cilët të pandëshkuar duket se janë zhytur thellë në krim.

Lavdrim Muhaxheri, është vetëm 24 vjeçar, pesëmbëdhjetë vjet përpara përfundimit të luftës së Kosovës me Serbinë ai ishte vetëm nëntë vjet, pas gjithë këtyre viteve Kosova nuk ka arritur të ndërtoj një ushtri të rregullt e cila do të bënte rekrutimin e të rinjëve për të kryer shërbimet ushtarake, por, ndoshta Lavdrimi ka marrë mësime ushtarake gjatë kohës sa ka punuar në ‘Bondstill’ si dhe në misionin e forcave amerikane në Afghanistan, megjithatë këto dyshime amerikanët duhet t’i sqarojnë për publikun Kosovar me fakte konkrete.

Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë ISIS, e cila organizatë para-ushtarake ka krijuar trazira në ‪‎Irak‬, është krijim i përbashkët i agjencive të zbulimit të disa vendeve: ‎Izraelit‬; Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Udhëheqësi i ISIS Ebu Bekr Al Bagdadi, i cili kohët e fundit ka deklaruar veten si kalifi i ‪‎muslimanëve‬, mori trajnim ushtarak nga agjencitë e të tre vendeve. Këto zbulime janë bërë nga Edward ‪‎Snowden‬, një ish-punonjës i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së‪ SHBA‬-së (‪‎NSA‬).

Duket se shërbimet e inteligjencës vendase dhe të huaja në Kosovë kanë pasur njohuri të zgjeruara për thuajse të gjitha këto operacione, të tilla si procesi i indoktrinimit, politizimit fetar, si dhe rekrutimi i të rinjve kosovarë deri tek armatosja e tyre, të cilët ishin të bindur se ata ishin duke shkuar për t’u bërë ushtarë si ata thonë ‘ushtarë të Allahut’.

Ne jemi dëshmitar se kjo është toleruar qëllimshëm, dhe kjo sqaron se qeveria e vendit në Kosovë është e përfshirë thellë dhe se ka pasur njohuri për këtë, kryeministri në largim i dyshuar për krime lufte Hashim Thaçi disa ditë më parë deklaroi në media se autoritetet në vend do të arrestonin të dyshuarit për lidhje me terrorizmin fetar në Kosovë. Kjo deklaratë lë shumë për të kuptuar motivet e kryeministrit. Po, vendi është i kërcënuar, por nga qeverisja e ligë, e sikur ligësitë të mos ishin në administratën publike të vendit, atëhere terrorizmi nuk do të kishte ardhur në shprehje në vendin e rrethuar me kodra e male. Gjithsesi, akti i kryeministrit është krejtësisht amater, ose kryeministri urdhëroi këtë akt me motive personale mediatike, për shkak që mbase nuk preferon që mediat të shkruajnë detaje për akuzat të cilat rrezikojnë atë dhe disa nga shokët e tij të luftës të dyshuar për krime lufte kundër njerëzimit.

Prishtina zyrtare e ka mbështetur përfshirjen e qytetarëve të saj në luftën civile të Sirisë si akt i mbështetjes së Perendimorëve, qëndrimi i të cilëve ishte i kjartë, kundër presidentit të ri-zgjedhur Sirian Bashar Al-Assad.

Zhvillimet e deritanishme, na japin arsye për të dyshuar se Perendimorët përdorën të rinjët tanë duke krijuar fraksione tjera të armatosura për planet e tyre gjeo-strategjike. Ata i bënë një ‘puç ushtarak’ kundër ‘kokëfortëve’ të Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë (UÇS) të cilët po luftojnë me qëllimin e vetëm, për të hequr qafe regjimin vrasës të vendit duke refuzuar t’i bashkoheshin interesave më të gjera gjeo-politike të Perendimorëve.

Prishtina gjithashtu mbështeti luftën e Turqisë kundër kurdëve në Siri, e cila luftë edhe figurativisht ka shërbyer për të djallëzuar fenë islame në emër të së cilës janë bërë rekrutimet, të cilat më pas thyen kryetitujt e lajmeve »se vendi po përballet me një kërcënim nga ‘radikalizmin islamik’« duke shtuar frikën dhe terrorin mbi popullsinë, qëllimi i së cilës fushatë madje kishte shkaktuar huti vëmendjes së qytetarëve ndaj mashtrimeve, korrupsionit, krimeve politike dhe ekonomike të bëra nga udhëheqësia e administratës së vendit në Prishtinë, përfshirë edhe vullnetin e tyre politik, për të lejuar shkuarjen dhe rekrutimin e të rinjëve në grupet paraushtarake të linjës së ashpër fetare.

Disa vende evropiane janë duke u përpjekur për të ndaluar vullnetarët të cilët po i bashkohen grupeve ushtarake të linjës së ashpër fetare në Lindje të Mesme. Ambasadorët e Bashkimit Evropian janë takuar të martën në Prishtinë për të shqyrtuar mënyrat e kundërvënies së avancimit të grupit në Irak, raporton agjencia e lajmeve AFP.

SHTETI ISLAM I IRAKUT DHE SIRISË, ËSHTË NJË NGA GRUPET KRYESORE KRYENGRITËSE NË EMËR TË “XHIHADIT” NË SIRI DHE IRAK.

ISIS është në ballë të një kryengritjeje kundër qeverisë së Irakut nën udhëheqjen e kryeminstrit Nuri Al-Maliki, i cili kërkoi largimin e trupave amerikane dhe kërkoi pavarësi më të madhe politike, por duket sikur amerikanët nuk duan të largohen, Uashingtoni dyshohet të jetë i përfshirë në një plan për rrëzimin e Al-Malikit, Shtëpia e Bardhë mohoi akuzat pas reagimeve të kryeministrit që dikur ishte i afërt me amerikanët.

Të dyshuarit e arrestuar në Kosovë ose kishin luftuar për ISIS ose kanë mbështetur ISIS-in dhe frontin ‘Al-Nusra’, tha policia të hënën në Prishtinë. “Ne kemi konfiskuar armë të gjata përfshirë AK-47, armë të kalibrit të vogël, pajisje të ndryshme elektronike, municione dhe eksplozivë,” Zëdhënësi i policisë është cituar të ketë thënë të Hënën për shtypin Kosovar.

Rreth 60 bastisje janë kryer gjithandej Kosovës. Ndër zonat në shënjestër ishin xhamitë e improvizuara, të cilat mund të kenë qenë duke u përdorur si qendra të rekrutimit, në një vend ku SHBA-të kanë ndërtuar bazën e saj më të madhe ushtarake në Evropë, Kosovë.

Presidentja Atifete Jahjaga, tha në një deklaratë se Kosova “nuk do të jetë një strehë e ekstremizmit” dhe se qeveria e Kosovës çdo kërcënim ndaj shtetit do t’a dënoj “pa mëshirë”, por ndoshta presidentja duhet të kontrolloj në një mënyrë të dyfishtë përfshirjen autoritetit të vendit të saj, duke marr parasyshë se dosja e NATO-s për Kosovën mes tjerash na mëson se kontrabanda e armëve në Kosovë, është një linjë e kontrolluar nga grupet e lidhura me kryeministrin Hashim Thaçi, gjithnjë duke kujtuar se policia ka konfirmuar gjetjen e armëve të zjarrit në lokacionet ku kanë bastisur gjatë aksionit për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në terrorizëm.

Burimi: https://thefrontliner.net/2014/08/12/sajimi-i-terrorizmit-ne-kosove/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit