-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Sabri (Durimi)

Më të lexuarat

Falenderimet I takojnë vetëm Allahut I Cili I ka premtuar durimtarëve shpërblimin e tyre pa masë, u ka dhënë atyre të mira në këtë botë dhe në Ahiret. Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, I Vetëm dhe I Pashok, Mëshirëploti me besimtarët në Ahiret, Pendimpranuesi i Cili pranon pendimin e sinqertë nga robërit e Vet dhe i shlyen gabimet, Bujari, Idashuri me robërit e Tij, Dhuruesi I Madh. Dëshmojmë se Profeti Muhamed është robi dhe I Dërguari I Allahut, I cili ka thënë: {Ka për të ardhur një kohë ku durimtari në fënë e tij ka për të qenë si ai që mban gace të ndezur në dorë. } Paqja , mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, familjen , shokët dhe gjithë ata që e pasuan dhe pasojnë deri në kijamet.

Vëllezër muslimanë!
Dijeni se durimi është pjesë e besimit, ashtu sikur koka në trupin e njeriut. Kush nuk ka durim nuk ka iman . Aq i rëndësishëm është durimi për besimtarin, sa që transmetohet se Aliu (r.a) ka thënë:
“Durimi për besimin është sikur trupi për kokën dhe nuk ka besim, ai njeri që nuk ka durim”.
Abdullah ibën Mesudi r.a ka thënë: ” Imani (besimi) ka dy gjysma: njëra është durim, e tjetra falëmderim.” Allahu I Lartësuar ka urdhëruar që të kërkojmë ndihmë tek Allahu me durim dhe namaz në të gjitha çështjet:
﴿ يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ إِنَّ اللَّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ(153) ﴾
O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë (në të gjitha çëshjtet) me durim e me të falur(namaz), se vërtet All-llahu është me durimtarët. (El Bekare, 153) .
Për durimtarët janë gradat më të larta dhe mirësi të shumta.
﴿ جَنَّاتُ عَدْنٍ يَدْخُلُونَهَا وَمَنْ صَلَحَ مِنْ آَبَائِهِمْ وَأَزْوَاجِهِمْ وَذُرِّيَّتِهِمْ وَالْمَلَائِكَةُ يَدْخُلُونَ عَلَيْهِمْ مِنْ كُلِّ بَابٍ (23)سَلَامٌ عَلَيْكُمْ بِمَا صَبَرْتُمْ فَنِعْمَ عُقْبَى الدَّارِ﴾

“Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundim më të mirë(përfundimi i mirë është) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hyjnë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë, ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë.(u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend”.[Ra’d, 23]
Nëse do donim të dinim të vërtetën mbi durim , ai është :
Përmbajta e vetes dhe detyrimi I saj nga mosankimi në vështirësitë që e godasin atë, duke shpresuar shpërblimin e Allahut, të ushtruarit (të stërviturit) e saj në bindjen ndaj Allahut dhe lënien e harameve, si dhe të kënaqurit me caktimin e Allahut në fatkeqësitë e dhimshme.
Kush e mëson dhe e kupton se sa mirësi dhe lumturi ka në bindjen ndaj Allahut I lehtësohet durimi dhe vazhdimësia në të, e kush e mëson dhe e kupton se sa dëm dhe mjerim ka në mosbindjen ndaj Allahut I lehtësohet atij mposhtja e vetes dhe largimi nga mosbindja.
Kush e mëson dhe e kupton se Allahu është Fuqiploti, Madhështori ,dhe se fatkeqësitë janë me caktimin e të Dhembshurit , Mëshirëplotit e mposht veten duke u kënaqur me atë caktim, Allahu kënaqet me të dhe Allahu ja udhëzon zemrën e tij me iman dhe dorëzim të plotë ndaj Tij.
O ti që të kanë goditur sëmundjet dhe ligështitë kujto se çka I ka ndodhur Profetit Ejjub a.s , si duroi dhe si e ka lavdëruar Allahu duke thënë :
﴿إِنَّا وَجَدْنَاهُ صَابِرًا ۚ نِّعْمَ الْعَبْدُ إِنَّهُ أَوَّابٌ ﴾
{Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm.Sa rob shumë I mirë ishte ai. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti}..
O ti I cili ke humbur dëgjimin , apo të ka marrë Allahu sytë, a nuk e di se Allahu nuk kënaqet me ti zëvendësu ato veçse me xhenet nëse duron?!
عن أبي هريرة رضي الله عنه عن النبي صلى الله عليه وسلم ؛ ( يقول الله تعالى : من أذهبت حبيبتيه فصبر واحتسب لم أرض له ثوابا دون الجنة ) [ رواه الترمذي ، صحيح الجامع 8140]

Ebu Hurejre transmeton se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Thotë Allahu xh.sh.: Kujt ia marr dy më të dashurit (sytë) dhe bënë durim, duke shpresuar në shpërblimin Tim, nuk jam i kënaqur që ta shpërblej me asgjë tjetër, vetëm se me Xhennet.” (E shënon Tirmidhiu Sahihulm- Xhami,8140)
O ti që je tronditur dhe je mërzitur për të dashurit e tu, për lockat e zëmrës dhe syve, për fëmijët e tu, për të afërmit e tu, a nuk e di se kush falenderon Allahun dhe thotë :
إِنَّا لِلَّهِ وإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعون
Të Allahut jemi dhe te Ai do kthehemi
Allahu I ndërton në Xhenet një shtëpi dhe e emërton ‘Shtëpia e falenderimit’ .
Ebu Musa (radijAllahu anhu) transmeton se Pejgamberi (salAllahu alejhi ve selem) ka thënë:
“Kur t’i vdes ndonjë fëmijë robit të Allahut, Allahu (Xhele Shanuhu) i thotë melaikeve të Tij: ´A ja keni marr shpirtin e fëmiut të robit Tim?´ Ata thonë: ´Po´. Allahu i pyet: ´Ja keni marr frytin e zemrës së tij?´ Ata thonë: ´Po.´ Allahu (Xhele Shanuhu) i pyet: ´E çfarë tha robi Im?´ Thonë: ´Të ka falënderuar Ty dhe është mbështetur tek Ti.´ Atëherë Allahu (Xhele Shanuhu) thotë: ´Ndërtojani robit Tim një shtëpi në Xhennet dhe quajeni atë Shtëpia e Falënderimit.´”
[Tirmidhiu, dhe sheikh Albani ka thënë se hadithi është Hasen – shih Rijadus-Salihin, 1/362] .
Gjithashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: Allahu i Lartësuar thotë: “Shpërblimi i robit Tim besimtar, kur t’ia marr të dashurin e tij nga banorët e kësaj bote, e ai bën durim për të duke kërkuar shpërblimin, është Xheneti”.
Ae dini se kujt I kanë vdekur tre fëmijë, apo dy, apo edhe një, e ai ka duruar duke shpresuar shpërblimin e Allahut, këta (fëmijët) I bëhen mburojë që e mbron nga zjarri I xhehenemit dhe e risin në grada në xhenet.
Enesi r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Muslimanin, të cilit i vdesin tre fëmijë, para se të arrijnë moshën e pjekurisë (bylyk), All-llahu xh.sh. do ta çojë në Xhennet për shkak të dashurisë dhe mëshirës së tij ndaj fëmijëve”
Në një hadith tjetër thuhet : “Cilësdo grua që i vdesin tre fëmijë (të moshës jomadhore), ata do të jenë perde (mburojë) për të prej zjarrit të Xhehennemit”. Një grua pyeti: “E nëse i vdesin dy fëmijë?” I Dërguari i All-llahut u përgjigj: “Edhe dy!” në një transmetim tjetër shtohet fjala : E nëse një i thanë. Tha edhe një.
A nuk e ke dëgjuar se kush duron në varrfëri, në uri, në frikë, në humbje të pasurisë, të jetës apo të begative (frytet), për atë ka myzhde dhe përgëzim prej Allahut me udhëzim,mëshirë prej Zotit të tij, lavdërim dhe bekim.

﴿ وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ بِشَيْءٍ مِنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنْفُسِ وَالثَّمَرَاتِ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ * الَّذِينَ إِذَا أَصَابَتْهُمْ مُصِيبَةٌ قَالُوا إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ * أُولَئِكَ عَلَيْهِمْ صَلَوَاتٌ مِنْ رَبِّهِمْ وَرَحْمَةٌ وَأُولَئِكَ هُمُ الْمُهْتَدُونَ ﴾ [155 -157].

Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve.Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”!Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.
O ti që e ka goditur ndonjë sëmundje, apo ankohesh nga ndonjë dhimbje a se ke dëgjuar thënien e Profetit a.s ku thotë:

“Nuk ndodhë ta godet muslimanin ndonjë lodhje, sëmundje (dhimbje) e përhershme, brengë, pikëllim, shqetësim, dert, madje edhe ferra, e cila i hyn në këmbë, e të mos ia falë Allahu për të mëkatet”.

Dije se çfarëdo e keqe që të godet është në favorin tëndin. Kjo është gjendja e besimtarit ! E gjitha është mirë për të.
Transmeton Muslimi nga Suhejbi se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Çudi me punën e besimtarit, tërë çështja e tij është e mirë për të, dhe kjo nuk i takon askujt përveç besimtarit; nëse e godet diç e mirë falënderon dhe kjo është e mirë për të. Po kështu nëse e godet diç e keqe ai bën durim dhe është mirë për të”.

E mira është në atë që ka zgjedh Allahu. Nëse myslimani për shembull goditet me ndonjë plag në dorën e tij le ta falënderoj Allahun që nuk ju ka thyer dora. Nëse iu është thye le ta falënderoi Allahun që nuk iu është këput e tëra. Tregohet se një njeri tregtar ishte duke e pritur aeroplanin që të shkoj diku dhe të bëjë një marrëveshje tregtare. Kur thirri myezini hyri që të fal namazin dhe kur doli nga namazi pa se aeroplani i kishte kaluar. U ul i pikëlluar nga ajo që i kishte ikur. Pas një momenti ndëgjoi se aeroplani kishte eksploduar në ajër. Atëherë tregtari i ra në sexhde Allahut duke e falënderuar për shpëtimin e tij dhe për vonesën që e kishte bërë për shkak të namazit. Iu kujtua fjala e Allahut: Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.( Bekare 216).
Thuaj pra, o Allah çdo gjë që më ndodhë, të falenderoj !
Duro o vëlla në çdo gjë që ndodhë, duro në të nënshtruarit ndaj Allahut – gjatë kryerjes së obligimeve fetare.
Duro në shmangien e harameve dhe mposhtjen e epsheve.
Duro ndaj vështirësive , brengave dhe fatkeqësive të kësaj bote.
Duro duke shpresuar shpërblimin e Allahut, padyshim se Allahu do të shpërblej!
O Zot, na bënë prej DURIMTAREVE
Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin a.s pasi Allahu I Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit