-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Sa rrezikohet Kosova nga tensionet në Bosnje e Hercegovinë, flet njohësi i çështjeve të sigurisë

Më të lexuarat

Tensionet në Bosnje e Hercegovinë janë në rritje pasi entiteti i “Republikës Serbe” atje ka ndërmarrë disa veprime kohën e fundit, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka kërcënuar me ndarje. 

Gjendja në Bosnje e Hercegovinë nisi të bëhej shqetësuese pas këtij kërcënimi dhe për të qetësuar qytetarët e për të dërguar mesazh se nuk do të ketë luftë në këtë vend, të dielën për vizitë atje do të jetë zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Por, sa mund të jetë e rrezikuar Kosova nga tensione të tilla, duke qenë se provokimet sidomos para marrëveshjes për targat në Bruksel nga ana e Serbisë për Kosovën nuk kanë qenë të pakta?

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka deklaruar për Telegrafin se Presidenca e Bosnje e Hercegovinës po ndërron ligjet me shpejtësi për të përgatitur kështu ndarjen e pjesës serbe.

“Lëvizjet e fundit të cilat janë bërë në shtetin e Bosnje e Hercegovinës, ku Presidenca serbe është duke ndërruar me shpejtësi ligjet, jashtëligjshëm,  në mënyrë që të përgatitet terreni për ndarjen e Bosnjë e Hercegovinës, që pjesa serbe t’i bashkohet Serbisë”, theksoi Islami në prononcim për Telegrafin.

Ai tutje shtoi se një rol në heshtje atje, po e luan Rusia, pasi po shtrinë autoritet në një zonë ku terreni është më i përshtatshëm se në vende tjera.

“Atje një rol në heshtje me të cilët nuk janë duke u marr opinioni është Rusia që po e shtrinë autoritetin e vet më shumë në Bosnjë e Hercegovinë, sesa në Serbi dhe vende tjera, sepse terreni atje është jashtëzakonisht i përshtatshëm. Bashkësia Evropiane është shumë e ngathtë përballë Rusisë në raport me Bosnje e Hercegovinën”, tha ai.

Sipas Islamit, në Kosovë pavarësisht provokimeve, përshkallëzimi i situatës nuk mund të krahasohet me atë në Bosnjë e Hercegovinë.

“Duke ndërlidhur këtë me Kosovën, për dallim nga Bosnja, gjendja e sigurisë në Kosovë pavarësisht tendencave të përkeqësimit dhe përshkallëzimit është në situatë krejt tjetër në raport me Bosnje e Hercegovinën”, tha Islami për Telegrafin.

Prania e forcave të KFOR-it dhe mandati i tyre për të mbrojtur sovranitetin she integritetin territorial të Kosovës, e bën vendin tonë të jetë në pozicion më të favorshëm në aspektin e sigurisë.

Edhe fakti që në Republikën e Kosovës ka shumicë shqiptare në pjesën më të madhe të vendit, është një përparësi që në aspektin e sigurisë vendi të jetë më stabil, sipas Islamit.

“Atje me sa duket janë rritur tensionet mes tri etniteteve, serbë, boshnjakë e kroatë. Për fat të keq boshnjakët nuk kanë fuqi e mbështetje si shtet amë, siç e kanë serbët e Bosnjës dhe kroatët e Bosnjës. Në të ardhmen për shkak të dobësimit të BE-së, nacionalizmat në vendet e Ballkanit kanë filluar të rriten. Por në raport me Kosovën, gjendja e sigurisë tek ne është stabile, për shkak se tek ne 95% të territorit është kompakte, pavarësisht se në veri ka tendenca dhe nuk janë të kënaqur serbët e veriut, këtu janë KFOR-i dhe është i mandatuar nga Aleanca Atlantike ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kemi parë rastin kur deshën të djegin pikat kufitare, por KFOR-i e mori nën kontroll situatën. Pra, nuk mund të bëjmë krahasime mes Bosnjës e Kosovës”, tha Islami.

Sipas Avni Islamit, Serbia e Rusia kanë për qëllim trazimin e Ballkanit por edhe të gjithë Evropës, përmes tensionimit të situatës në Bosnje e Hercegovinë.

“Duke investuar në Bosnje e Hercegovinë, pikërisht në ‘Republikën Serbe’, Serbia dhe Rusia dëshirojnë që jo vetëm Ballkanin por ta trazojnë edhe Evropën dhe t’ja humbin stabilitetin asaj”, theksoi Islami.

Ndryshe, në lidhje me situatën në Bosnje e Hercegovinë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se “situata në Bosnjë e Hercegovinë po shkakton shqetësim të madh në BE dhe është në qendër të aktiviteteve tona diplomatike”.

Në një konferencë të rregullt shtypi në Bruksel, siç kanë njoftuar mediat, Stano ka thënë se përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së vizituan së bashku BeH javën e kaluar, për të theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën aktuale në vend.

Kurse, komandanti i misionit ushtarak EUFOR në BeH, gjenerali Alexander Platzer, kishte thënë se nuk sheh “në parim asnjë kërcënim klasik ushtarak, pavarësisht njoftimeve të Milorad Dodik për shkëputjen e Republikës Serbe”.Lexo po ashtu:

Ndryshe, i dërguari për paqe në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt ka thënë për Reuters se nëse një Bosnjë multi-etnike shtyhet drejt shpërbërjes, kjo do të ketë në mënyrë të pashmangshme një ndikim në konflikte të tjera të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor, si ai midis Serbisë dhe Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit