14.6 C
Pristina
Wednesday, May 22, 2024

A janë muslimanët të gatshëm të pranojnë transplantim të organeve të derrit?

Më të lexuarat

Shkenca, afër zgjidhjes së problemit të mungesës së dhuruesve të organeve, por…

Nga Saad Hasan

Gjatë një eksperiment, i pari në llojin e tij, ku një veshkë nga një derr i modifikuar gjenetikisht iu ngjit me sukses një njeriu, ka ringjallur një debat që zgjat prej dekadash mes besimtarëve rreth lejueshmërisë fetare të përdorimit të pjesëve të derrit. 

Islami dhe Judaizmi e ndalojnë konsumimin e mishit të derrit në rrethana normale; megjithatë, produktet e derrit janë përdorur gjerësisht në ilaçe duke filluar nga insulina deri te vaksinat e fruthit.  

Përtej kësaj, valvulat e derrit kanë ndihmuar zemrën e shumë muslimanëve që kur u krye operacioni i parë i transplantit në vitet 1960. Procesi quhet “xenotransplantation” – shkenca e zhvendosje së një indi ose një organi funksional nga një specie te një tjetër.

“Mund të them se pikëpamja kryesore e studiuesve fetarë është se është e mundur të përdoren pjesë derri për sa kohë që ne nuk kemi ndonjë alternativë në dispozicion,” thotë Dr. Mohammed Ghaly, profesor i Islamit dhe etikës biomjekësore në Universitetin Hamad Bin Khalifa të Katarit.

“Ne kemi një vendim islam që thotë se diçka e ndaluar mund të bëhet e lejueshme nëse ka një nevojë mjekësore. Në fund të fundit, shpëtimi i një jete njerëzore shihet si një gjest shumë fisnik në Islam”, tha ai për TRT World. 

Transplantimi i organeve është zakonisht alternativa e fundit për mijëra pacientë të sëmurë rëndë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 100,000 njerëz janë duke pritur për një dhurues organi. Shumë prej tyre do të vdesin për shkak të mungesës së veshkave dhe mëlçisë së donatorëve. 

Pavarësisht kërkesës, ksenotransplantimi i suksesshëm ka rezultuar të jetë një objektiv i pakapshëm për studiuesit në mbi 40 vjet që nga përpjekja e parë shkencore për të transplantuar një organ të tërë kafshe te njerëzit. 

Një pengesë e madhe për t’u kapërcyer ka qenë përgjigja e fortë imune, e cila shkaktohet kur trupi i njeriut bie në kontakt me indet e huaja, shpesh duke e refuzuar atë menjëherë. 

Në eksperimentin e fundit, kirurgët në Universitetin e Nju Jorkut Langone Health, një qendër mjekësore akademike, ishin në gjendje të bënin një veshkë derri të kryente funksionet e saj normale për tre ditë pasi e lidhen atë në barkun e një pacienti që kishte pësuar vekje cerebrale. 

Ky studim, i cili ende nuk është publikuar në një revistë mjekësore shkencore, po përshëndetet si një zbulim i madh. 

Pse jo një dhi apo një dele?

Derri është bërë subjekti i preferuar për kërkimin e ksenotransplantit pothuajse si parazgjedhje. 

“Duke qenë myslimanë, mund të kemi problem me derrin. Por për pjesën tjetër të botës, ai tashmë konsumohet si ushqim,” thotë Dr. Muhammad Mansoor Mohiuddin, Drejtor i Programit të Ksenotransplantit Kardiak në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin w Marylandit.

Mohiuddin, një musliman praktikues me origjinë pakistaneze, është ndër pionierët në fushën e ksenotransplantimit. Ai dhe kolegët e tij në Institutin Kombëtar të Shëndetit lidhën me sukses zemrat e derrit me disa babunë (lloje majmunësh) në vitin 2014. Njëra prej tyre mbijetoi për gati 3 vjet. 

“Ne kemi arritur të kemi hartën e plotë të gjenomit të një derri,” thotë ai, duke iu referuar grupit të informacionit gjenetik që formon bazën e organizmave të gjallë. 

“Ne e dimë se si ndryshon një derr nga njeriu dhe çfarë ndryshimesh nevojiten për t’i bërë organet e tij të pranueshme në trupin tonë. Ne nuk dimë shumë për dhitë apo lopët.”  

Primatët jo-njerëzor si gorillat janë kandidatët më idealë për të qenë donatorë organesh. 

Nga aspekti gjenetik, ata janë shumë më afër njerëzve – kjo është një arsye pse testet më të avancuara të ksenotransplantit kryhen ende te majmunët. 

Problemi është se babuinët, gorillat dhe shimpanzetë konsiderohen si specie në rrezik. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se disa viruse zoonotike, njësoj si koronavirusi, mund të kalojnë nga majmunët te njerëzit. 

Derrat janë bërë kafsha e preferuar e zgjedhur për studiuesit për shumë arsye. Ata rriten shpejt, riprodhohen shpesh dhe me bollëk dhe madhësia e organeve të tyre është e ngjashme me atë të njerëzve. 

Khanziri i neveritshëm 

Transplantimi i një valvule të zemrës së derrit ose përdorimi i ilaçeve të bëra nga pankreasi i derrit është një gjë; ndërsa implantimi i një organi të derrit te njerëzit është gjë tjetër. Ka potencial të madh për të nxitur polemika. 

Modifikimet gjenetike, të cilat përfshijnë zëvendësimin e disa gjeneve të derrit me material gjenetik njerëzor, nuk e ndryshojnë faktin që në thelb kemi të bëjmë me një organ derri. 

Ka shumë pak gjasa që komuniteti i gjerë mysliman të pranojë përdorimin e organeve të derrit për transplantim njerëzor, edhe nëse jeta e dikujt është në rrezik.

Muajin e kaluar, vetëm disa ditë pasi kirurgët e Universitetit të Nju Jorkut njoftuan eksperimentin e tyre në veshka, studiuesit në Universitetin e famshëm Al-Azharit e dënuan atë, duke argumentuar se përdorimi i organeve të derrit është i ndaluar. 

Për disa muslimanë, edhe përmendja në bisedë e një derri (Khanzir në arabisht) mund të shkaktojë një ndjenjë neverie. 

Rebelimi i 1857 i ushtarëve indianë në ushtrinë koloniale britanike pjesërisht rezultoi nga këmbësoria myslimane që refuzoi të kafshonte fishekët e pushkëve të tyre, të cilët izoloheshin me yndyrë derri. 

Edhe filmi vizatimor për fëmijë Peppa Pig është bërë një temë e diskutueshme për disa prindër myslimanë. 

“Nuk ka dyshim që Kurani thotë se derrat janë rixhss, që do të thotë se janë të ndyrë. Debati ka të bëjë me shqetësimin se kur është në rregull që të përdoruret. Por kushti bazë është se ai është haram (i ndaluar),” thotë Dr Aasim Padela, një ekspert i njohur ndërkombëtarisht për pabarazitë shëndetësore myslimane dhe bioetikën islame. 

“Është si vera. Mund ta pini nëse jeni duke vdekur nga uria. Por ky është një përjashtim.”

Dijetarët muslimanë kanë debatuar gjatë për përjashtimet, të cilat lejojnë përdorimin e produkteve me prejardhje nga derri. 

Dar Al-Ifta Al-Missriyah i Egjiptit, organi më i lartë fetar i vendit, lëshoi ​​një dekret duke thënë se valvula e zemrës së një derri mund të transplantohet tek njeriu nëse përpunohet kimikisht dhe nëse ka kaluar nëpër transformime të mjaftueshme deri në atë pikë sa vetitë themelore të valvulës janë ndryshuar.

Duke elaboruar arsyetimin e tij, dekreti citon procesin e shndërrimit të verës, që është e ndaluar në Islam, në uthull, e cila është e lejuar.   

Por nëse jeta e një pacienti varet nga një valvul e zemrës së derrit dhe nuk ka alternativë të disponueshme, atëherë ai ose ajo nuk duhet të shqetësohet për pastërtinë e valvulës sepse “Allahu i Plotfuqishëm e di më së miri”, thuhet në dekret. 

A duhet fajësuar Ummeti?

Ekspertët thonë se derri është bërë kafsha e zgjedhur për dhurimin e organeve, sepse kërkimi i ksenotransplantimit është i zakonshëm në vendet perëndimore si SHBA dhe Gjermania, ku konsumimi i mishit të derrit nuk është një tabu. 

“Nëse nuk jam çifut apo mysliman dhe po kryej kërkimin tim shkencor, a mendoni se kam ndonjë arsye që të mos e përdor derrin?” thotë Ghaly nga Universiteti Hamad Bin Khalifa. 

“Unë mund ta imagjinoj nëse kjo shkencë do të lindte dhe zhvillohej në epokën e artë të qytetërimit islam, atëherë do të kishim parë opsione të tjera përveç derrit.” 

Vendet muslimane shpenzojnë një  pjesë të vogël të të ardhurave të tyre kombëtare për kërkimin dhe zhvillimin, pavarësisht se disa gëzojnë të ardhura për frymë që rivalizojnë ato të vendeve të zhvilluara. 

Edhe si domosdoshmëri, përdorimi i lëndës së parë që vjen nga një derr nuk është një situatë ideale për një musliman, thotë Padela. 

“Bota muslimane dhe studiuesit po reagojnë ndaj zhvillimeve në perëndim sepse janë ata që hulumtojnë modelin e derrit. Ne nuk investojmë dhe kështu nuk kemi modele hallall.” 

Novatorët e teknikave moderne mjekësore shpesh marrin parasysh besimet e komuniteteve të ndryshme fetare – me kusht që ato të jenë në gjendje të ushtrojnë ndikimin e tyre. 

Padela përmend rastin e Dëshmitarëve të Jehovait, një sekt i krishterë me disa milionë ndjekës. Për shkak se besimi i Dëshmitarëve të Jehovait nuk lejon transfuzionet e gjakut, u krijua një procedurë e tërë kirurgjikale pa gjak. 

“Ne thjesht shpenzojmë petrodollarë për ndërtesa të reja dhe minare të larta. Ne kemi një sistem të madh të kujdesit shëndetësor në nevojë. Pse nuk e përafrojmë atë me vlerat tona?” 

TRT World 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit