0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Sa e pagove çadrën?

Më të lexuarat

Shqiponjë, shqiponjë, por kosi (lexo: rruga) me pare!

A s’e tha Jemi të tërën?!

KA PASUR SHUMË reagime lidhur me vendosjen e taksës prej 5 eurosh në një drejtim për vetura në pjesën e Rrugës së Kombit, që kalon nëpër Shqipëri. Besoj se në masën më të madhe këto reagime kanë qenë të drejta.

E para, ende nuk ka një rrugë stabile alternative, e cila do t’ua mundësonte qarkullimin nga Kukësi në Milot atyre që nuk duan të paguajnë për autostradë, siç është praktikë me autostradat e tjera në rajon dhe Evropë.

E dyta, ende nuk është e përfunduar në tërësi autostrada.

Dhe e treta, por më e rëndësishmja, me këtë pagesë Rruga e Kombit pasi që ia doli ta kurorëzonte suksesshëm misionin e afishuar që në emërtim – pra, ta afrojë “kombin” – tash po merr hapa të kundërt, në tkurrjen e këtij bashkimi.

Kjo e fundit është thelbi i problemit, të cilin, megjithatë, duket se nuk e kanë kapur disa nga arsyetuesit cinikë ose mbrojtësit e taksës së lartë.

Një pyetje mbetet: A do të ndikojë pagesa shkuarje-ardhje prej 10 eurosh në më shumë qarkullim, rrjedhimisht afërsi të shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria apo në më pak?

Natyrisht që do të duhej të ishe naiv të mendohej se një pagesë, më e larta e këtij lloji në rajon, do të ndikonte në më shumë afërsi të qytetarëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Shto këtu pagesat edhe më të larta për kamionët e autobusët, të cilët me automatizëm do ta kalkulojnë këtë rritje në çmim të transportit të mallit ose të udhëtarëve. A i bie se do të ketë më shumë apo më pak biznes dhe turizëm me pagesa më të larta ndërmjet shqiptarëve?!

PSE PIKËRISHT KËTA shembuj? Se mu për këtë qëllim – shumë të drejtë, meqë ra fjala – është nisur investimi për të kaluar vështirësitë e maleve dhe për t’i bashkuar shqiptarët andej e këndej kufirit. Pra, misioni ka qenë fisnik – patriotik. Dhe si i tillë, ky investim sado i lartë e ka arritur qëllimin. Shumë më tëpër shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria janë njohur e afruar duke iu falënderuar Rrugës së Kombit sesa kurdoherë më parë gjatë historisë.

Mirëpo, të mos harrojmë, krahas aspektit patriotik, shqiptarët nga Kosova shkojnë në Shqipëri edhe për arsye se çmimet janë të lira. Shqipëria sot, krahas shumë bukurive dhe mundësive që ofron në fushën e turizimit, është pakrahasueshmërisht më e lirë se secili vend tjetër turistik në Evropë. Dhe për këtë arsye, në vend se pas pushimeve që shqiptarët kosovarë i bëjnë në Shqipëri të pyeten se a ndoqën ndonjë shfaqje të bukur, ose a panë ndonjë koncert interesant, ata pyeten: “Sa e pagove çadrën?”.

Pra, preokupimi kryesor është se me sa pak para ia dole ta kalosh pushimin dhe jo se çfarë bëre në pushime.

Kështu që, për shkak se shumica e popullatës në Kosovë janë ata që e bëjnë përqindjen e njërit ndër vendet më të varfra në Evropë, s’ka se si t’u jepet e drejta atyre që thonë “hajt se s’janë gjë 10 euro!”. Se pikërisht një pjesë e atyre që deri sot kanë zgjedhur të shkojnë e ta pijnë një kafe të 50 centëve buzë detit ose ta hanë një peshk prej 3-4 eurosh, tash do të mendojnë dy herë se a ia qet hesapi. Se me shtimin prej 10 eurosh do t’u bjerë më shtrenjtë sesa të shkojnë buzë një lumi ose liqeni në Kosovë.

Plus së shpejti pritet që edhe pjesa e Rrugës së Kombit nëpër Kosovë të bëhet me pagesë, kjo vetëm sa do t’i rrisë shpenzimet.

E nëse vetëm 20 për qind të atyre që deri tash kanë shkuar në Shqipëri pa paguar 10+ euro taksë rrugore, tash nuk do të kenë llogari të shkojnë, kjo nënkupton pakësim të shkuarje-ardhjeve ndërmjet shqiptarëve. Që do të thotë, më pak afërsi mes vete. E që i bie edhe më pak – patriotizëm!

TASH TË MOS keqkuptohemi, askush nuk duhet të pretendojë që autostrada, qoftë ajo edhe Rruga e Kombit, do të duhej të mbetej gjithmonë pa pagesë. Do të ishte e pamundur të mirëmbahej cilado autostradë nëse nuk do të kishte kompani që do të paguheshin për mirëmbajtjen e saj.

Mirëpo, është dashur të gjenden forma të tjera të subvencionimit, pikërisht për shkak të rëndësisë strategjike që e ka kjo rrugë për shqiptarët në dy shtetet. Se njëjtë siç kanë paguar taksapaguesit e Shqipërisë për pjesën e vet të Rrugës së Kombit, njësoj kanë paguar taksapaguesit e Kosovës për pjesën tjetër. Së këndejmi një pagesë më e ulët nga udhëtarët dhe subvencionim nga një pjesë e buxhetit të shteteve respektive do të mundë të zbusnin rënien e qarkullimit mes vete të shqiptarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria.

Më pak dhemb nga paratë që njëherë janë paguar në formë taksash për buxhetin e shtetit sesa kur paguan direkt.

S’kemi pse bëjmë barriera që sadopak ndikojnë të na ndajnë tash kur ia dolëm që të bashkohemi më shumë se kurdoherë më parë!

Adriatik Kelmendi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit