Dje në qytetin Kostroma të Rusisë u bë hapja e Xhamisë Qendrore me faljen e namazit të Xhumasë.
Dje në qytetin Kostroma të Rusisë u bë hapja e Xhamisë Qendrore me faljen e namazit të Xhumasë të cilit i priu kreu i Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Görmez.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së Xhamisë Qendrore të Kostromas, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 2003 me kontributin e Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë, Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare dhe Myftinisë së qytetit të Tarsusit në Turqi, morën pjesë Görmez dhe delegacioni shoqërues, si dhe kreu i Administratës Fetare të Myslimanëve të Rusisë dhe Këshillit të Myftive, Ravil Gajnutdin.
Në fjalën e tij në ceremoni, Görmez tha se Xhamia Qendrore në Kostroma ka rëndësi shumë të veçantë për muslimanët e Rusisë, popullin tatar mysliman dhe për tërë njerëzimin.
“Tanimë madhësia e shteteve nuk do të mund të matet vetëm përmes ekonomisë, por ajo do të matet me mundësitë që shtetet ia ofrojnë lirisë fetare. Njohja e lirisë për besimet dhe për ndërtimin e faltoreve tregon për madhësinë e shteteve, kurse pengimin i ushtrimit të besimeve tregon se shtetet janë të vogla”, theksoi Görmez.
Görmez u shpreh se xhamia në Kostroma i dedikohet myslimanëve tatarë që kanë rënë dëshmorë gjatë Luftës së Dytë Botërore teksa mbronin atdheun e tyre.
Görmez me theks të veçantë tha se myslimanët që jetojnë në Rusi prej një mijë vitesh jetojnë në paqe dhe vëllazëri me pjesëtarët e besimeve të tjera.
Siç tha Görmez, sëmundja e islamofobisë që ka përfshirë Perëndimin dhe Evropën nuk duhet të hyjë në këto troje.
“Ju keni përvojë të madhe mijëvjeçare. Vazhdoni të zhvilloni atë përvojë të cilën e krijuat së bashku në trojet e Rusisë posaçërisht pas Katerinës. Bota dhe njerëzimi po kalojnë në një kohë shumë të keqe. Mënjanoni të gjitha ndarjet. Edhe Lindja, edhe Perëndimi janë të Zotit”, është shprehur kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Görmez.
Në qytetin Kostroma të Rusisë jetojnë 25 mijë myslimanë.