Në rajon janë sulmuar gjithsej 7 spitale dhe 6 shkolla, ndërkaq dhjetëra mijëra civilë të cilët i braktisën fshatrat e tyre migruan në fshatrat në kufi me Turqinë
IDLIB (AA) – Në sulmet e dhunshme ajrore të Rusisë dhe të regjimit të Bashar al Asadit në qytetin Idlib të Sirisë u goditën 24 rajone, ku humbën jetën 6 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve nga burimet lokale, thuhet se sulmet ajrore të realizuara në Idlib që nga 19 shtatori vazhduan edhe sot.
Sot është goditur rajoni Xhisr esh Sugur dhe dhjetëra fshatra, si dhe qarqet Han Shejhun, Xherxhenez dhe Muhambel. Katër civilë kanë humbur jetën në fshatin Sanama, kurse në Jakubije një dhe në Kefer Sixhne nga një civil ka humbur jetën. Numri i civilëve të vdekur në 8 ditët e fundit është rreth 80.
Në rajon janë sulmuar gjithsej edhe 7 spitale dhe 6 shkolla, ndërkaq dhjetëra mijëra të cilët i braktisën fshatrat e tyre migruan në fshatrat në kufi me Turqinë.
Në anën tjetër aeroplanët luftarakë të Rusisë sulmuan një qendër të rehabilitimit në Gutën Lindore, e cila ndodhet nën rrethimin e regjimit të Asadit. Qendra ku trajtoheshin të sëmurët nga paraliza e palcës kurrizore u dëmtua, ku 2 të sëmurë dhe një shërbyes humbën jetën, kurse 10 persona u plagosën.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, të hënën ishte shprehur se “Në ditët e fundit shohim se rusët po bombardojnë rajonin Idlib (të Sirisë). Këtu sigurisht që ka grupe terroriste. Sigurisht që nuk duhet të tregohet tolerancë ndaj grupeve terroriste, por shohim se po vriten edhe një numër i madh i civilëve dhe opozitarëve Ne duhet të kemi kujdes këtu. Nëse këtu ka ndonjë sulm ndaj civilëve atëherë kjo është shkelje e armëpushimi dhe kjo nënkupton prishjen e marrëveshjes së Astanës.”
Në lidhje me sulmet ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Rajonet në fjalë të cilat i nënshtrohen sulmeve ndodhen në “zonat jokonfliktuale” të cilat ishin përcaktuar nga Turqia, Rusia dhe Irani në mbledhjet e Astanës.