Numri i personave që janë të prekur nga uria në botë u rrit deri në 828 milionë më 2021, një rritje prej 46 milionë krahasuar me vitin 2020, dhe për 150 milionë që prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Kështu thuhet në raportin e ri të Kombeve të Bashkuara i cili jep të dhëna të reja se bota është duke lëvizur larg arritjes së qëllimit për t’i dhënë fund urisë, pasigurisë së ushqimit dhe kequshqyerjes deri më 2030.
Raporti për Gjendjen e Sigurisë së Ushqimit dhe Ushqyerjes në Botë (SOFI), paraqet të dhëna mbi sigurinë e ushqimit dhe situatën ushqimore në mbarë botën, përfshirë edhe vlerësimet e fundit për koston dhe përballueshmërinë e një diete të shëndetshme.
Raporti u publikua nga Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë e OKB-së, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillim të Agrikulturës Fondi për Fëmijë i OKB-së, Programi për Ushqim Botëror dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në raport thuhet se 8.9 për qind e popullsisë së botës më 2021 u përball me uri, teksa kjo shifër më 2020 ishte 9.3 për qind.
Vlerësohet se 45 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare vuajnë nga forma më e rëndë e kequshqyerjes, gjë që ka rritur rrezikun e vdekjeve të fëmijëve për 12 herë. Për më tepër, 149 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare kanë probleme të zhvillimit për shkak të mungesës së vlerave ushqyese në dietën e tyre, ndërkaq 39 milionë fëmijë, sipas raportit, janë obezë.
Sipas raportit, hendeku gjinor në sigurinë e ushqimit vazhdoi të rritej më 2021, me 31.9 për qind gra në botë që përballen me pasiguri të rënda të ushqimit, krahasuar me 27.6 për qind të burrave.
Po ashtu thuhet se sipas projeksioneve, pothuajse 670 milionë persona (8 për qind e popullsisë së botës) do të përballet me uri më 2030, edhe nëse merret parasysh një rimëkëmbje ekonomike globale.
Organizatat që publikuan këtë raport tha se ky dokument po publikohet në kohën kur po vazhdon lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, dy prej prodhuesve më të mëdhenj të drithërave dhe plehrave artificiale. Bllokadat e shkaktuara nga lufta kanë ndërprerë furnizimet botërore dhe po ndikojnë në rritjen e çmimeve të ushqimit, drithërave, plehrave artificiale, energjisë, por edhe ushqimeve terapeutike për fëmijë.
“Ky raport thekson intensifikimin e këtyre pasigurive të ushqimit dhe kequshqyerjes: konflikti, klimat ekstreme dhe tronditjet ekonomike, të kombinuara me rritjen e pabaraziive”, u tha në deklaratën e përbashkët të agjencive të OKB-së që kontribuan në raport./REL/