-1.4 C
Pristina
Sunday, January 12, 2025

Rripi i Gazës – Protestat e palestinezëve hyjnë në javën e dytë

Më të lexuarat

Aktivistët palestinezë i kanë quajtur tubimet si “e premtja e gomave”, pasi protestuesit kanë vendosur qindra goma makinash përgjatë kufirit lindor.

Një taktikë e rezistencës nga epoka e Intifadës, djegia e gomave shkakton një tym të zi që thuhet se errëson dukshmërinë e snajperëve izraelitë.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga fillimi i tubimeve një javë më parë, të paktën 24 banorë të Gazës janë vrarë dhe më shumë se 1.500 janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite ndërkufitare.

“Turmat e popullit tonë përgjatë kufirit do të rezistojnë ndaj planeve për t’i dhënë fund kauzës palestineze”, tha Hazem Qassem, një zëdhënës i Hamasit.

“Ne do të mbetemi të palëkundur në kërkesën tonë për një jetë të lirë dhe dinjitoze”, tha ai.

“Jemi të vendosur ta vazhdojmë ‘Marshin e Kthimit të Madh’ dhe të thyejmë rrethimin shumëvjeçar të Gazës”, shtoi ai.

Tubimet kufitare, të cilat filluan të premten e kaluar, shënuan fillimin e një serie demonstratash gjashtëjavore që do të kulmojnë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70-vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” (Fatkeqësia).

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.

Izraeli, nga ana tjetër, ka vendosur mijëra trupa përgjatë kufirit, duke u zotuar të përdorë forcë vdekjeprurëse ndaj kujtdo që kërcënon “infrastrukturën e sigurisë izraelite”.

– Çfarë është Dita e Tokës?

Izraeli më 30 mars të vitit 1976 pushtoi mijëra hektarë tokë të palestinezëve shtetas të Izraelit të cilët jetonin në rajonin Celile, në veri të shtetit. Pas kësaj popullsia palestineze, hyri në grevë të përgjithshme për të protestuar kundër këtij uzurpimi.

Policia izraelite hapi zjarr ndaj personave që morën pjesë në protesta, ku gjashtë prej tyre ranë dëshmorë, ndërsa një numër i madh u plagosën.

Kjo ngjarje, e cila njihet si “Dita e Tokës”, vlerësohet si simbol i rezistencës së palestinezëve të treguar për çështjen e tokës, e cila është burim i përleshjeve mes Izraelit dhe Palestinës. (AA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit