Nga: Dr Aid El-Karnij
Sa e vështirë do të ishte jeta, po të mos ekzistonin rrezet e shpresës, do të thoshte Tagraij.
Rrezja e shpresës, është vështrimi i jetës plot optimizëm, mendimi i mirë se e ardhmja do të jetë më e ndritur. Sikur të mos ishte rrezja e shpresës, nuk do të qeshte i riu, nuk do të buzëqeshte plaku, nuk do të bënte shaka i sëmuri me vizitorët, nuk do i këndonte lirisë i burgosuri.
Rrezen e shpresës e shohim tek milingona dhe bleta, më shumë se tek shumë njerëz. Është shpresa ajo që e bën milingonën të rezervojë ushqimin e një viti në magazinat dimërore brenda folesë së saj nëntokësore. Është shpresa ajo që e bën bletën të migrojë nga një lëndinë në një tjetër, në kërkim të pjalmit, me të cilin ajo prodhon mjaltin e ëmbël, aq shumë të kërkuar nga njerëzit.
Nëse je furnizuar me shpresë, do e përshkosh udhën sado e gjatë të jetë ajo, i mbushur me vendosmëri dhe vullnet, pa pyetur për vështirësitë dhe lodhjen. E nëse të bien bateritë e shpresës, të shkrihet egoja, të vdes vullneti, shembet përtokë fuqia dhe shndërrohesh në një barrë të rëndë mbi supet e shoqërisë, njëlloj si bleta e ngordhur në koshere, njëlloj si uji i qelbur në pishinë. Shpresa është një lëndë djegëse e brendshme, është fuqi e zjarrtë që shpërthen brenda vetes dhe që thyen çdo barrierë dhe kufi.
Përderisa jeta është ëndërr, mbushe ëndrrën tënde plot shpresë. Po, shpreso dhe fantazo sikur je zengjin i madh, pronar vilash të bukura, fermash pafund, kopshtesh plot lule, baba i dhjetëra fëmijësh inteligjentë, i shoqëruar nga shërbëtorë e suitë. Kjo do të falë kënaqësi dhe lumturi. Kjo është një ëndërr shumë e afërt me realitetin. Në fund të fundit, jeta nuk është më shumë se një ëndërr gjumi, një kujtim që mbetet në memorie, siç thotë dhe poeti Ebu Temmam”
Ato vite me njerëzit e saj u shuan përgjithmonë
Sikur vitet dhe njerëzit, ëndrra të kishin qenë
Me shpresë, të parët tanë ngritën kulla të larta dhe kështjella të fortifikuara, me shpresë çanë malet dhe kapërcyen lumenjtë, me shpresë lanë pas me mijëra dorëshkrime të dobishme. Nëse do e kishin humbur shpresën dhe do të kishin pasur parasysh vetëm vdekjen, do kishin vdekur nga demoralizimi, do ishin izoluar dhe vetëmbyllur duke fajësuar fatin dhe duke vajtuar ndarjen e afërt nga kjo botë. Poeti Lebid ibnu Rebia thoshte:
Mashtroje veten, sa herë që ti flasësh
Sinqeriteti me veten, e shuan shpresën
Ibnul Xheuzij, në Sajdul Hatir, të kërkon që ta mashtrosh nepsin, ashtu siç mashtrohet fëmija me lodra kur këmbëngul për të blerë diçka tepër të shtrenjtë, të cilën nuk ia blen dot. Në këtë rast, ti përdor atë që ne e quajmë “ti hedhësh hi syve” dhe i thua: Nesër. Kështu, e shtyn ditë pas dite blerjen e lodrës dhe njëkohësisht i shmangesh valëve të zemëratës të tij. E njëjta gjë vlen dhe për veten, nepsin tënd. Premtoji kapërcim të shpejtë të situatës, përgëzoje me mirëqenie të afërt, foli mbi gëzimet që të presin dhe sihariqet në pritje. Një poet arab të sugjeron që nepsin tënd ta shëtisësh sa në një premtim të bukur në një tjetër, pasi kështu mbushet me shpresë dhe optimizëm. Ai thotë:
Vazhdo udhën, symbyllur apo syhapur
Shtyje gjumin, ditë qoftë apo natë
Nëse ankohet e qaravitet
Tregoji dritën e agimit dhe i thuaj
Lindja e diellit është afër
Njerëzit që janë të zhytur në pikëllim dhe mërzi, përgjithësisht, kanë rënë pre e mendimeve të tyre të zeza dhe jo për shkak të aktualitetit të hidhur. Karnixhi do të thoshte:”Jeta jote është produkt i mendimeve dhe ideve të tua”.
Prandaj mendo më të bukurën, më të hijshmen, më të mirën! Në vend që të mendosh luftën, sëmundjen, urinë dhe fukarallëkun, mendo rreth paqes, shëndetit, mirëqenies dhe pasurisë.
Gjatë jetës time, kam parë shumë fukarenj të kënaqur, të qeshur dhe të gëzuar. E gjitha kjo, u buronte nga mendimet e tyre të bukura, konstruktive dhe optimiste. Ashtu siç kam parë pasanikë e zengjinë të pakënaqur, të zemëruar, gjithë nerva, të pikëlluar dhe mallkues. Kjo, pasi mendimet e tyre ishin të errëta dhe plot pesimizëm. Prandaj, shohim që gjithçka ka të bëjë me këndvështrimin e gjërave, si dikush që vesh syze të bardha e një tjetër të zeza. Syzet e bardha, e tregojnë botën përreth siç është, të bardhë. Ndërkohë, të zezat e tregojnë të errët.
Nëse në fermën tënde hyjnë dy persona, njëri optimist dhe tjetri pesimist, i pari do të mrekullohet me lulet, këngën e bylbylit, gurgullimën e ujit dhe fëshfërimën e gjetheve. Sakaq, pesimisti do të thotë se duhet që sa më shpejt ti largosh nga rruga ca gjemba që i kishin zënë sytë, do të kujtojë foletë e shumta të milingonave që kishte parë, hidhësirën e frutave të shegës, faktin që lastarëve të rrushit nuk u ke vënë mbajtëse etj…
Nëse fokusohesh tek gjërat pozitive të jetës, optimizmi dhe suksesi do të vijë në rritje. Mos e humb fillin dhe të zhytesh në pasivitet dhe pesimizëm, sepse kështu do i shtosh disfatat dhe dështimet. Ai që mendon për suksesin i bëhet gati dhe i paraprin me punë, kurse ai që mendon për mbetjen dhe dështimin, e përjeton atë në çdo çast dhe do të dështojë në mënyrë të pashmangshme. Çliroje veten tënde nga zemërngushtësia dhe idetë komplotiste! Njerëzit janë të angazhuar me hallet dhe shqetësimet e tyre dhe nuk duan t’ia dinë për ty. Ngrije lart zërin tënd teksa ia merr këngës së paqes dhe dashurisë. Mendo rreth njerëzve të dashur, sukseseve dhe mirësive që të ka dhënë Zoti! Harroji dështimet, goditjet dhe grushtet që ke marrë “nën brez”, që ta shijosh jetën dhe të lumturohesh! Ata që janë të mbushur me shpresë, jetojnë mbi tetëdhjetë vjeç dhe kurrë nuk reshtin së menduari rreth produktivitetit, eksplorimit dhe punës së dobishme. Sakaq, ata që i ka gozhduar pesimizmi, vdesin kushedi sa herë para kohe, largohen nga kjo botë edhe pse bredhin rrugëve lart e poshtë në këmbë.
Kolosët e mëdhenj dhe heronjtë e çanë rrugën e lavdisë ngaqë ishin të mbushur me shpresë dhe optimizëm. Kjo i bëri të ulen mbi yje. Sakaq, të demoralizuarit dhe të pashpresët, mbajnë para syve vetëm disfatën, humbjet dhe dështimet, gjë e cila i detyroi të tërhiqen përfundimisht. Ruaju nga linja që ndjek shejtani me ithtarët e tij, e cila konsiston në:”Shejtani u premton fukarallëk dhe u urdhëron për ligësi, ndërkohë që Zoti u premton falje dhe begati, Zoti është i Gjithëditur.”
Ruaju edhe se mos bën ndonjë gafë e ti mbash miletit leksione për pesimizmin dhe demoralizimin, duke u kujtuar numrin e lartë të vdekjeve, sëmundjet infektive që janë përhapur gjithandej, luftërat që zhvillohen lart e poshtë, afrimin e stinës së dimrit me të ftohtin acar, thatësirën e verës që kërcënon vendin, ekonominë që rrezikohet nga kushedi sa rreziqe, e kushedi sa gjëra të tjera që i ke shënuar në listën tënde të errët. Jo miku im! Folu njerëzve dhe mbaju ligjërata mbi vullnetin, vendosmërinë dhe energjitë rinore! Tregoju mbi përhapjen e dijeve dhe informacionit, mbi lehtësimin e telekomunikacionit, marrëveshjet në interes të njerëzimit, paqen, jetën e njerëzve të suksesshëm, linjën e shkencëtarëve gjenialë, bujarinë e njerëzve të mirë etj…
Nëse del ndonjëherë natën, hidhja sytë hënës dhe yjeve magjepsës, jo errësirës dhe vetmisë që ndihet përreth! Thënë shkurt: Nëse dëshiron ta shohësh gjithçka përreth të bukur, duhet të jesh i tillë.
Perktheu: Elmaz Fida