-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Rreth virtyteve të Profetit Muhamed a.s.

Më të lexuarat

 

Profeti (a.s.) ka shumë virtyte. Ne do të përmendim vetëm disa.

  1. Profetit i zbriti Kur’ani – Zbulesa më e fundit e Allahut për gjithë njerëzimin e për të gjitha kohët: “Kur’ani është, vërtet Mesazhi për ty dhe për bashkësinë tënde” (Kur’an, 43:44).

Kur’ani është mrekullia e Zotit për Profetin. Mrekulli të dhëna nga Zoti patën edhe Isai e Musai, por ato qenë vetëm sa ata qenë gjallë. Mrekullia që iu dha Profetit Muhamed është edhe pasi u nda nga kjo jetë, është e gjallë dhe e përhershme, deri në Ditën e Kiametit. Ka më se 1400 vjet që është ashtu siç ka zbritur, pa iu hequr e shtuar as edhe një shkronjë. Ka më se 1400 vjet që i mëson njerëzit e i çon drejt së Vërtetës. Zbritja e Kur’anit e lartëson shumë gradën e Profetit (edhe të njerëzve përreth tij, në gjuhën e të cilëve u shqiptua), duke e bërë atë të përmendur përgjithmonë në historinë botërore. Profeti erdhi si drita e Diellit (siraxh) për të ndriçuar tërë botën (71:16). Krahasimi është plotësisht i gjetur: kur lind dielli, dritat e tjera (më të dobëta) zbehen para dritës së tij. Kështu është fjala e përcjellë nga ai, Mesazhi i Islamit, Kur’ani – është dritë për gjithkënd, për gjithë universin, për gjithkah e përgjithmonë.

  1. Profeti erdhi si mësues për të gjithë njerëzimin. Ai nuk erdhi për të krijuar fe të re, sepse “feja e krijuar” nuk është fe. Ai erdhi për të na e mësuar fenë – fenë islame, që është edhe feja e Ibrahimit, e Musait, e Isait.

Ai nuk është vetëm mësuesi më i parë i Islamit, por njëherazi, edhe interpretuesi më i parë i Kur’anit. Në ç’mënyrë? Ende pa mbaruar tërë zbritja e Kur’anit, sahabët (shokët e Profetit) bënin pyetje nga më të ndryshmet për ajetet që vinin. Profeti përgjigjej e shpjegonte.

Profeti është dërguar për të mësuar e drejtuar njerëzit në rrugën e drejtë. Ai nuk është dërguar të detyrojë vullnetin e tyre ose t’i ndëshkojë ata. Ndëshkimi i përket vetëm Allahut. Kjo ishte e është detyra e këtij mësuesi të madh.

Edhe pse u fye e u përndoq, ai nuk e braktisi kurrë detyrën e tij. Ai vijoi t’ua mësonte të tjerëve Mesazhin, sepse ai e dinte se do të përgjigjej para Allahut. Tashmë, një mësues i madh, por edhe i paepur (shih në Kur’an: Ai është shembull i përpjekjeve të paepura (66:9).

  1. Profeti erdhi si dëshmitar për gjithë njerëzimin (33:45) për të vërtetat shpirtërore. Ai është dëshmitar për veprat e njerëzve – dëshmitar për ata e për ato që e pranojnë Shpalljen, Zbulesën – Kur’anin dhe për ata e për ato që e mohojnë a e përgënjeshtrojnë atë (4:41).
  2. Ai erdhi si lajmëtar i Lajmeve të Mira – si lajmëtar i Mëshirës së Allahut: sado që njerëzit mund të kenë bërë gjynahe, kanë shpresë se do të falen nëse besojnë, pendohen e i rikthehen tërësisht jetës së ndershme.
  3. Profeti erdhi si paralajmërues për ata e për ato që e shpërfillin të vërtetën. Jeta botësore (kjo jetë) ka një cak, ka një fund. Jeta tjetër është e pambarimtë. Dhe ai na thotë: Mos e shpërfill Jetën Tjetër!
  4. Ai erdhi si i Dërguar, me të drejtën për t’i ftuar njerëzit të pendohen që t’u falen gjynahet dhe këtë ai e bëri jo me autoritetin e vet, por me autoritetin e dhënë nga Zoti. Fjala e tij mund të ndihmojë çdo njeri të ecë në Rrugën e Drejtë.
  5. Këshillimi është fjala kyç e sures 42. Në shkallën më të lartë, këshillimi u shfaq te Profeti. Profeti është më i miri në këshilla (41:33). Kush meriton më shumë se ai të dëgjohet? Fjala e tij ka arritur shkallën më të lartë të ligjërimit njerëzor.[1]Përse është e tillë? Është e tillë sepse: a) ai i fton të gjithë njerëzit tek e Vërteta, te Rruga Allahut, te besimi në një Zot, duke vërtetuar kështu se fjala e tij nuk përqendrohet tek ai, por tek Allahu; b) çdo vepër e tij është e drejtë sepse ai ka vërtetuar se nuk ka mospërputhje midis fjalës së tij dhe veprës së tij; c) ai e lidh veten e vet tërësisht me Vullnetin e Allahut, duke vërtetësuar kështu se ai ishte mishërim i plotë i Islamit.[2]
  6. Profeti ishte vetë Mëshira e Allahut. Ai u ngrit në një dinjitet të lartë shpirtëror. Ky ishte një shpërblim që ishte vetë thelbi i qenies së tij. Atij i qe dhënë një fytyrë, një natyrë dhe një karakter larg zemërimeve, inateve, shpifjeve e përndjekjeve të bashkëkohësve të tij,[3]si Ebu Xhehli e Ebu Lehebi. (Kush qenë ata, e jep përgjigjen historia botërore). Profeti i thërret arsyes së tyre e logjikës së ngjarjeve. Dhe, thirrja e tij nuk është vetëm për bashkëkohësit, por për të gjitha kohët, pra edhe për sot, sepse edhe sot ka Ebu Xhehla e Ebu Lehebë. Kjo do të thotë, nga ana tjetër, që përgjegjësia është vetjake nëse nuk i përgjigjesh ftesës së Kur’anit e të Profetit për të ecur në Rrugën e Drejtë.
  7. Profeti nuk kishte ambicie egoiste. Ai ishte i drejtë në mendime, në fjalë, në vepra e në veprime. Ishte mirëdashës ndaj të dobëtëve; atij i errësoheshin sytë t’i përmendje fuqinë, pasurinë e pozitën botësore. Ai nuk ndikohej nga i fuqishmi, nga tallja e cinikëve, nga ashpërsia e së keqes e shpërfillja e të pavëmendshmëve. Ja pse ai qëndronte guximshëm kundër së keqes.
  8. Ai nuk i hante fjalët dhe paralajmërimet e tij nuk dilnin ndër dhëmbë; ai fliste shkoqur e hapur. “Le të bëjnë ç’të duan kundër meje!.Nuk munden sepse ata mbështeten në besime të kota”. (7:195)
  9. Profetin e njihnin të gjithë për shembullor. Por, sapo mori misionin për të përcjellë fjalën e Allahut, luftën kundër së keqes, e keqja ngriti barrikada (18:30; 9:13). Edhe sot, pas më se 14 shekujsh, e keqja nuk do të shohë, të dëgjojë, të kuptojë.

Ai ishte njeri si të tjerët. Ai mund të hakmerrej. Fuqinë e kishte. Por ai mbante një qetësi prekatare; ndërkohë nuk bënte kompromis me injorancën.  Allahu i jepte tri udhëzime: a) t’i falte fyerjet, dëmtimet dhe përndjekjet; b) të vijonte ta shpallte besimin (fenë) te miqtë e tek armiqtë; c) të mos u kushtonte vëmendje injorantëve që ngrinin dyshim e krijonin vështirësi, që e qortonin, që kurdisnin komplote për të shkatërruar të vërtetën; ata do të shpërfilleshin e nuk do të hyhej në kontradikta të pafrytshme.

  1. Profeti ishte i pashkolluar. (Në suren 62:2 thuhet se edhe të tjerët (bashkëkohësit) ishin të pashkolluar dhe Zoti u çoi nga mesi i tyre një të dërguar t’u shpallte atyre Shenjat e Tij – e Zotit). Ai nuk kishte bërë shkollë, por kishte zgjuarsinë më të lartë e njihte shumë mirë librat e mëparshëm. Kjo ishte një mrekulli që është provuar e provohet. Një shembull: Marrëveshja e Hudejbijes qe fitore e madhe morale, shoqërore, por edhe politike. Mësimet që nxirren janë në suren 48. U arrit falja, por falja është barasvlerëse e Mëshirës. U plotësua dinjiteti i Profetësisë me dinjitetin e një pozite të frytshme e të njohur në Arabi. U hap rruga e drejtë për në Islam, duke marrë Mekën vitin e pasmë – Meka – qendra simbolike e Islamit. U hap porta për përhapjen e lirë të Islamit në tërë Arabinë e më tej, në tërë botën. Këtë marrëveshje mund ta bënte vetëm një njeri i mençur. Po të kishte qenë i shkolluar, do të kishte pasur ndikime, sepse dija njerëzore përpiqet të mbajë anën e një shkolle të caktuar mendimi. Profeti, Mësuesi i Madh ishte i lirë nga ky ndikim; ai ishte si një tabula rasa, ku mund të shkruhej kaq pastër mesazhi që do të përcillte[4].
  2. Profeti ishte njeri. Si njeri, kishte familje, ishte pjesëtar i familjes, ishte qytetar e pra, kishte shumë detyra të zakonshme. Ai kujdesej për familjen, ai milte delet e devetë. Por, ndërsa do të kryente detyrat e zakonshme, ai duhej të punonte si para Allahut. Ai ishte baba shembullor, bashkëshort shembullor, shok shembullor, fqinj shembullor, udhëheqës shembullor sepse në të gjitha punët dhe në të gjitha kohët ruante ndjenjën e afërsisë së Allahut, e qenies para Allahut. Puna e vepra e tij ishin në Tokë, kurse zemra e tij ishte në Qiell.

Prof. dr. Hajri SHEHU

[1] Musai, p.sh., kërkoi ndihmën e të vëllait: Dhe ma hiq pengesën që kam kur flas (zgjidhma nyjën që kam në gjuhë), / Që ata të më kuptojnë / Çfarë them / Dhe më jep një ndihmëtar / Nga familja ime, / Harunin, tim vëlla!” / Kur’ani, 20:25-28)

[2] Shih, p.sh., hadithet e tij për besimin, monoteizmin, dijen, Zekatin, atributet e Kur’anit, interpretimin e Kur’anit, shokët e tij, sjelljen e mirë, betimet, dëshmitë, sjelljen me të sëmurin, ushqimin e shumë e shumë të tjera. Këshillimet e tij shkojnë nga gjërat më të rëndësishme të jetës e të jetesës së njeriut, siç është monoteizmi, deri tek ato më të rëndomtat, siç mund të ishte, p.sh. edukata në shtëpi. “Kurdo që të përhapen marrëdhëniet seksuale jashtë martese, – këshillonte ai, – do të shfaqen infeksione dhe sëmundje vdekjeprurëse ndër njerëz, si edhe sëmundje të panjohura nga paraardhësit e tyre”. (M. Mubabaja, Islam – the solution to the world’s perplexing social problems, Riad, 1993, f. 3). Një këshillë aq e madhe e aq kuptimplote për të sotmen e njerëzimit.

[3] Shih në Kur’an:

– ai ka moralin më lartë, 33:21; 68:4;

– është i drejtë e i ndershëm, 9:128; 18:6; 26:3; 69:40;

– është më i ndjeshmi ndaj besimtarëve, 9:128; 33:6;

– është i dhembshëm, 3:159;

– ka një zemër që vuan për të tjerët, 9:128; 15:97; 16:127; 18:6; 25:30;

– është shembull i sjelljes së hijshme, 33:21.

[4] Shih në Kur’an: “Thuaj: Nuk jam risimtar… Detyra ime është vetëm të shpall me zë të lartë e të qartë Mesazhin që më është besuar nga Allahu” (46:9). Shih më tej në Kur’an:

– e sjell Kur’anin siç i zbret, 10:15; 11:12-14; 46:9;

– nuk flet sipas dëshirës së vet, 53:3-6;

– kumton të Vërtetat, 4:170;

– Allahu e dëshmon misionin e tij, 13:43; 29:52; 46:8.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit