0 C
Pristina
Saturday, January 11, 2025

Rreth kuptimeve të Kuranit

Më të lexuarat

lmi Rexhepi

 

Ta lavdërojmë ia kemi detyrim Allahut, por ne s’mund t’ia japim dot hakun e lavdërimit, prandaj Ai, mëshira e Tij, në fillim të Kuranit  lavdëroi veten (elhamdulilahi rabbilalemin) duke na lënë në tonën ta lavdërojmë vetëm aq sa mundemi ne e jo sa meriton Ai.

Që në suren e parë të renditur në Kuran Allahu Vetvetes i bëri zikër  duke thënë: “elhamdulilahi rabi-lalemin”, i bëri thena (lavdërim) duke thënë: ”errahmani-rrahim”, dhe i bëri temxhid duke thënë: ”maliki jewmi-din”, e tek pastaj na udhëzoi si t’i drejtohemi e si t’i lutemi, siç ka thënë dhe i dërguari:” Atij që i zënë me zikër harron të bëjë dua, Allahu i jep më shumë se ç’i jep duaxhisë”.

Mëshirë për ne dërgoi  të dërguarin e fundit, falë të cilit ne ymeti i tij me pak arrijmë të shumtën; s’përgjigjemi për çka s’kemi bërë e s’kemi folur; shpresojmë në lutjen e tij që e ka lënë,- duke hequr për vete keq në këtë botë,- për ne ymetin në ahiret; shpresojmë që të na vlejë shefati (ndërmjetësimi) i tij, o Allah, për të qoftë salati e selami Yt dhe pikërisht atij jepja ‘mekamin mahmud’ të xhenetit që nuk i nxë dy veta!

Kuptimet e Kuranit janë të pakufishme dhe është  jashtë mundësisë njerëzore për t’u arritur të gjitha. Ato kanë të bëjnë me përmasa të kësaj bote, prej të cilave mund të dimë diçka, dhe kanë të bëjnë me përmasa të së fshehtës, për të cilat s’dimë gjë prej gjëje. Para kuptimeve të Kuranit, do të shteronte deti, na mëson Allahu.

Sikur fjala e Allahut të dilte jashtë kornizave në të cilat e ka vënë dhe në të cilat e mban, çdo njeriu që s’beson Allahun do t’i pëlcitnin veshët dhe do të shkatërrohej. Shumë popuj kur e tepruan i dënoi në këtë mënyrë, kurse besimtarëve atyre çasteve ua kthente krejt trupin në mjet dëgjimi që veshëve të tyre t’u mbetej vetëm aq sa mund të përballonin.

Shumëfunksionale janë fjalët e Allahut dhe i madh është durimi i Tij, për këtë edhe ne sot jemi dëshmitarët.

Edhe brenda kornizave në të cilat e mban Allahu, fjala e Tij, kur lexohet, nga pesha kuptimore që ka, veçqë na zihet ibadet, na drejton, na mbron, na lehtëson, na mëshiron, na shëron, na jep nur…, edhe na thellon në kuptim e në meditim të gjithçkaje në raport me Allahun, për këtë i dërguari ka thënë që e kishin thinjur sureja ‘Hud’ dhe suret e ngjashme si ajo.

Për të kuptuar madhështinë e fjalëve të Kuranit, mjafton të dish se kundrejt çdo harfi (shkronje) të tij Allahu ka krijuar nga një melek. Para se të lexojmë fjalët e tij kundrejt harfeve të të cilave ka krijuar melekë, na ka urdhëruar të kërkojmë mbrojtje nga djalli i mallkuar, a nuk thotë kjo lidhje mjaft që bota e leximit të Kuranit është botë më vete.

Gjithashtu para leximit të fjalëve të Allahut bëjmë bismilah, thënie që nis me tingullin ‘b’ e mbaron me tingullin ‘h’, brenda vendnyjëtimeve të të cilave gjendet vendnyjëtimi i krejt tingujve të tjerë të Kuranit. Madje edhe ajo e vetmja sure që nuk nis me ‘bismilah’, megjithatë, nis me ‘b’ (baun).

Leximi i Kuranit është vepër e madhe, prandaj përpara thuhet ‘bismilah’. Do ditur që, sikur për Allahun që është fjala ‘kun’ (bëhu), ashtu për njeriun para një vepre të madhe është thënia ‘bismilah’.

Për shkak të kësaj thënieje Belkisa, sa nuk ishte ende besimtare e drejtë, pëlqeu shkresën e Sulejmanit a.s., me të i shkroi mbretit i dërguari ynë, i cili na shpjegoi për këtë thënie se është edhe perde për sytë e xhindëve ndaj avreteve tona.

Megjithëse kuptimet e Kuranit, sikundër u tha, janë ta pashterueshme dhe të paarritshme të tëra, njeriut i është shtruar detyrë nga Allahu të përvetësojë aq sa mundet.

Mënyra e vetme për të arritur te kuptimet e Kuranit janë komentimet që i janë bërë. Këto komentime, na shtrohet detyrë t’i biejmë edhe në gjuhën tonë që, njerëzve që nuk i arrijnë ndryshe, t’u jepet mundësia e përfitimit dhe e shijimit të tyre, gjithmonë krahas mësimit të leximit të Kuranit ashtu siç është zbritur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit