3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

RRETH DEBATIT PËR MBULESËN E GRUAS NË ISLAM

Më të lexuarat

Debati rreth çështjes së mbulesës së gruas që Islami përfshin në urdhëresat fetare, nuk ka qenë ndonjëherë debat me nivel konstruktiv dhe me sinqeritet, porse më shumë sheh këndvështrimet e estetikës dhe të feminizmit në bazë interesash, dhe me të njëjtën formë, rikthehet herë pas here në përditshmëri. Madje çuditërisht, kjo tematikë, më shumë vë në angazhim burrat. Ata që polemizojnë duke e kundërshtuar si urdhëresë, nuk e kanë hallin tek e mira e modelit të gruas, as të fëmijëve nëpër shkolla, sepse gjithë ky ngërç që po kalon sistemi i arsimit në vendet tona shqiptare, nuk lë hapësirë për debate të tilla. Këto qëndrime dhe projektligje nuk janë as atdhetare, se gratë e modelit tradicional shqiptar nuk janë zhveshur ndonjëherë, e me këtë logjikë do na duhet të shkojmë gjer në prehistori. Thjesht as nuk kanë ndonjë filozofi tjetër, apo argument, përveç logjikës së tyre, që e shumta është e ngjyer me demagogji e cila, nuk bën kuptim po të shohim, me të njëjtën logjikë, raste të tjera ku sot modeli i gruas është ikonë e marketingut duke shfrytëzuar tërheqjen pamore që trupi i saj i zhveshur (gjysmë, apo gati-gati krejt…) ka për syrin njerëzor.

Pra, kemi sërisht një rast ku disa njerëz me opinionin e tyre dalin e propozojnë modelin e tyre se si duhet të vishet gruaja apo vajza në shkolla dhe në ambjente publike, dhe që mohojnë modelin fetar të paraqitur prej Zotit.

Sigurisht, në rrjetet sociale të gjithë mund të japin mend, por këtu rasti në fjalë është rreth mendimit që disa të quajtur si analistë, gazetarë, apo edhe politikanë që kanë qasje në media dhe në një masë të gjerë audience, kanë mbajtur e vazhdojnë të mbajnë qëndrime që në të vërtetë nuk janë pjesë e ndonjë filozofie konkrete, por janë thjesht pasojë e islamofobisë dhe kjo shfaqet qartë. Kjo gjë tashmë po rritet gjer në nivel politikash e ligjesh shtetërore, gjë që cënon të drejtat dhe liritë e individit.

Specialistët e  marketingut, për shembull, e dinë mirë se trupi i një gruaje me hiret dhe hijeshinë e shtatit është tërheqës për syrin, mirëpo, kur u prishen interesat dhe kur vjen puna tek feja, dalin e kundërshtojnë se nuk na qenkësh tërheqës, e që na qenkësh, përnjëmend, njëlloj më të burrit, dhe me nuancat e feminizmit kërkojnë njëfarë barazie, në një shoqëri ku vajzat janë në pjesën më të madhe të klipeve muzikore duke kërcyer e bërë gjeste alla pornografikshe e që u paraqiten si model të rinjve e të rejave, janë në cdo reklamë e poster të afishuar, sidomos gjatë verës, kuptohet. Po si nuk i shqetësuakan këto të fundit, por i shqetëson mbulesa që në Islam është zgjedhje e individit?

Emisionet televizive janë një tjetër shembull se si modeli i vajzave dhe i gruas keqpërdoret dhe u paraqitet si ideal të rinjve e të rejave, ku ndërkohë ato lloj emisionesh nuk kanë asnjë pikë morali dhe etike, janë shthurje dhe djallëzi e gjallë! Madje aktualisht një peticion shumë i duhur po qarkullon për të ngritur zërin e qytetarëve kundër këtyre pahijeshive që televizionet po u servirin teleshikuesve.

Duhet të kuptojmë se nuk është e lehtë të lozësh me çështjen e lirisë në kohët e sotme ku po i vëzhgojmë mirë sjelljet njerëzore nën pretendimin modernist të konceptit të lirisë. Ka gjëra të dëmshme atje jashtë që sjellin pasoja negative sociale e psikologjike në dëm të individit dhe shoqërisë. Nuk mund të heshtim ndaj këtyre ndikimeve jo të sakta e të bazuara në hamendje individësh me diploma.

Islami është emërtimi dhe cilësia e një përmbledhjeje vlerash të përkryera e të pareduktueshme, pa kurrfarë të mete a mangësie, e cila do t’i përgjigjej çdo nevoje të çdo shoqërie që ka ardhur dhe do të vijë mbi rruzull gjer në kiamet. Për rrjedhojë, kush bën pjesë në këtë fe duhet të jetë pandërprerë në kërkim të përsosurisë dhe plotërisë, me një fjalë, të asaj ç’është e përkryer e që nuk ka as të metën më të vogël.

Mbulesa për gruan është urdhër i qartë i Allahut në Kur’an dhe vjen fill pas një ajeti që në fillim urdhëron besimtarët që të mos shikojnë e të hapin sytë drejt grave e vajzave në mënyrë të pakontrolluar dhe të bien pre e asaj tërheqjeje që folëm më lart e që askush nuk po e konteston në ditët e sotme, madje ajeti u thotë edhe burrave që mbulojini pjesët e trupit tuaj deri në njëfarë mase të caktuar, e pas kësaj, Allahu thotë: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë vellot e tyre mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet…” (Kur’an, 24:31).

Krijuesi i gjithësisë dhe i gjithçkaje që ka në të, jep urdhëresa dhe dituri në bazë të natyrës në të cilën Ai e ka krijuar njeriun, dhe bën përcaktime në bazë të gjinive pa i bërë padrejtësi asnjërës palë. Mbulesa është natyrshmëri që e kërkon natyra e gruas në të cilën është krijuar.

Në Kur’an Allahu thotë se nuk ka detyrim në fe.[1] Kjo do të thotë se çdo urdhëresë është për atë që zgjedh me vullnetin e tij të ecë drejt rrugës që Zoti e fton. Njeriu mund të zgjedhë edhe të ecë drejt mendimeve të veta, apo cytjeve dhe ftesave që i bën djalli. Por, kushdo kupton dhe pranon se Krijuesi ekziston dhe është Ai që e mirëmban ekzistencën në vijueshmëri dhe është Suprem, i Plotfuqishëm mbi gjithçka, atëherë i ndjek urdhërimet e Tij dhe i merr ato për bazë, sepse e di mirë që veç Krijuesi e njeh më së miri krijimin e Tij. Kjo do të thotë se pikë së pari, besimi dhe feja është një zgjedhje mes individit dhe Zotit të tij, ku askush nuk ka të drjtë të ndërhyjë.

Gjithsesi, e shumta që mund të bëjë njeriu i kohës në këtë Univers është të sodisë, të sajojë me dijet e tij mjete për të parë – zgjatime të vështrimit të tij – dhe të kuptojë sa i vogël e sa i përkohshëm është. Sa më shumë që shtohet qartësia e teleskopëve (apo edhe e mikroskopëve), aq më shumë shtohet fusha e pafuqisë së tij, aq më shumë zvogëlohet fusha e ndikimit të tij. Këtë na e vërtetoi edhe së fundmi NASA me teleskopin “James Ëebb” që shkencëtarët e saj sapo nxorrën: vetëm sa e shohim më bukur madhështinë e krijimit të Krijuesit!  Ata që nuk duan të besojnë e as të ndjekin një fe, cilëndo, dhe ata që nuk e besojnë Krijuesin e botën tjetër, sigurisht që do ta kundërshtojnë modelin e jetesës që paraqet feja. Ata duan lirinë absolute, e cila është skllavëri totale ndaj dobësive njerëzore, dhe filozofia e zhveshjes nuk është pjesë e ndonjë skeme madhore që projekton një model jetese ideale, është thjesht një zgjedhje ashtu kot, sa për të thënë që “zgjodha” dhe aq, pa ditur më tej se ç’përgjegjësi vijnë më pas. Madje e shohim këtë lloj filozofie si filozofi që e çon njeriun drejt papërgjegjësisë totale në lidhje me botën, e që përfundon në gjëra akoma më të dhimbshme për njerëzit që e ndjekin dhe tashmë, i dimë e po i shohim përditë përfundimet e asaj rrugë që ruana Zot!

Mes gjithë këtyre debateve që gëlojnë në vendin tonë për Islamin dhe për parimet e Kur’anit, sidomos për mbulesën, nga njerëz që e kanë zgjatimin e arsyes në cep të qerpikëve dhe që aq gjë dinë për Islamin, u themi tani për tani:

Ai që e ka urdhëruar mbulesën për gruan, është Ai që e ka krijuar atë dhe e ka vendosur në këtë planet nëpërmjet një procesi që njerëzimi shumë pak e merr vesh, thjesht mund ta shohë, duke vëzhguar me mikroskopë se si prej një fare të vogël, ngjizet njeriu në barkun e nënave dhe vjen në jetë me një program organesh dhe gjymtyrësh të mrekullueshme, dhe e ka bërë planetin të sillet përreth një dielli që është burim jete me dritën, nxehtësinë, rrezatimin që përçon dhe forcën gravitacionale të mbajtjes dhe të mirëpeshimit, e ka vendosur sistemin diellor në një orbitim të përpiktë brenda rrugës së Qumështit dhe që udhëtojnë bashkë përreth qendrës së Universit; Ai Krijues që gjithçka që krijon e krijon bukur e hijshëm dhe që ka vendosur bukuri artistike dhe mrekulli detajistike në çdo atom, dhe që Drejtësia e Mëshira e Tij pasqyrohet kudo në çdo sferë të jetës, pikërisht Ai, Allahu jep urdhëresa për të mirë dhe ndalon nga e keqja si udhëzim për njerëzimin! Me ç’pretendim dilni e jepni mend se si duhet të jetojë gruaja apo burri në jetë, ku e gjeni guximin? Ku e njihni ju krijimin dhe sa jeni të aftë të kontrolloni universin dhe punët që qarkullojnë në të?

Ja, paraqitja e Krijimit nga Kur’ani:

“Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!

Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.

Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë të mete (cenimi). Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje?

Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do të kthehen të lodhur e të molisur.

Ne jua kemi zbukuruar qiellin më të afërm me yje të shkëlqyeshme dhe i kemi bërë ato si predha për të larguar djajtë, për të cilët kemi përgatitur dënimin me zjarr…” (Kur’an, 67:1-5)

Kështu, të gjithë ata që kanë dyshime rreth urdhëresave të Allahut në Librin e Tij të qartë e madhështor, e që i përcolli aq denjësisht duke i shpjeguar me përpikmëri me anë të Profetit Muhamed a.s., le të shohin  gjurmët dhe shenjat e Krijuesit në univers, le të shohin argumentet e qarta të rrugës së duhur që duhet ndjekur në jetë, dhe pastaj le të mendohen edhe një herë kur të japin mend prej filozofisë dhe të menduarit kritik që buron prej tyre, apo që ka buruar prej të tjerëve që kanë patur mendimin se ata mund ta gjenin vetë arsyen e jetës dhe të vdekjes, e të ekzistencës mbarë, nëpërmjet fuqisë së tyre dhe që në të vërtetë, ndoqën udhëzime djallëzore dhe qasje të mendjeshkurtësisë.

Zoti e di më së miri!

 

Mehmet Disha

[1] Kur’an 2:114.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit