1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Rrena si mëkat, pasojat e saj – Nga hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Gënjeshtra është prej veseve të këqija, kurse të gjitha sheriatet kanë tërhequr vërejtjen nga ky ves, natyra e pastër e mohon atë, e në këtë pajtohen të gjithë njerëzit me moral dhe mendje të shëndoshë.
“Vërtetësia është një shtyllë e mbetjes së botës…është një rregull i lavdëruar, është shtyllë e pejgamberisë, rezultat i devotshmërisë, po mos të ishte vërtetësia do të asgjësoheshin rregullat e sheriatit, kurse posedimi i gënjeshtrës është zhveshje nga njerëzorja, pasi që njeriu është i veçuar me të shprehurit”. (“Berika mahmudije” e autorit Muhamed El Hademi, 3/183).
Në sheriatin tonë kjo vepër është e urrejtur me Kur’an dhe Sunnet, kurse dijetarët kanë konsensus mbi ndalimin e kësaj vepre, kurse përfundimi i gënjeshtarit aspak s’është i lavdëruar edhe në dynja edhe në ahiret.
Në sheriat nuk lejohet gënjeshtra, përveç në disa raste kur nuk vjen në pyetje shkelja e të drejtave të tjerëve ose derdhja e gjakut të ndokujt ose cenimi e nderit të tjetrit, etj. Bile rastet në të cilat lejohet përmbajnë shpëtimin e ndonjë shpirti, ose përmirësimin e marrëdhënieve mes dy njerëzve ose shtimin e dashurisë mes burrit dhe gruas.
Sheriati nuk ka ardhur me një moment apo ditë të caktuar në të cilën lejohet që një njeri të gënjej dhe të informon me çka të dëshiron prej fjalëve duke mos dalluar a është e vërtetë apo jo. Andaj edhe ajo që mendon dikush se lejohet gënjeshtra me një prill – në të cilin pretendojnë se njeriut i lejohet gënjeshtra pa ndonjë kufizim nga sheriati, nuk ka bazë në sheriatin e Allahut. Kjo vepër sjell shumë negativitete, ne do ti përmendim vetëm disa prej tyre.

 Gënjeshtra është e ndaluar.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata që nuk i besojnë argumentet e Allahut; të tillët janë ata gënjeshtarët”. (En-Nahl: 105).
Ibën Kethiri (rahimehull-llah) thotë: “Pastaj All-llahu tregon se Pejgamberi, alejhis-salatu ues-selam, nuk është shpifës e gënjeshtar, sepse ata që shpifin gënjeshtra ndaj Allahut dhe Pejgamberit, alejhis-salatu ues-selam, janë njerëzit më të këqij, ata të cilët nuk besojnë në argumentet e Allahut, ata që janë kafira e të pafe, njerëz të njohur mes njerëzve me gënjeshtrat e tyre. Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është njeriu më i vërtetë, njeriu më i mirë, më i plotë në dituri, vepra, besim e bindje. Të gjithë e kanë njohur si njeri të vërtetë, saqë në mesin e popullit të vet ka qenë i njohur si “besnik”. Andaj Herakli mes pyetjeve që ia parashtron Ebu Sufjanit është edhe kjo: a e akzuonit me gënjeshtër më parë? Tha: jo. Herakli tha: Është e palogjikshme që ai të mos i gënjej njerëzit e më pas të gënjej ndaj Allahut!”. (Tefsiri i Ibën Kethirit, 2/588).
Pejgamberi, sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Shenjat e munafikut(dyfytyrëshit) janë tre: kur të flet të gënjen, kur të premton ta thyen premtimin dhe kur t’i besosh të tradhton”. (Buhariu dhe Muslimi).
Imam Neveveiu, rahimehull-llah, thotë: “Mendimi i shumicës së dijetarëve është se këto cilësi janë cilësi të nifakut (dyfytyrësisë), kurse pronari i tyre u ngjanë munafikëve në këto cilësi dhe posedon moral të tyre…
Kurse fjala e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “…është munafik i kulluar”, domethënë: u ngjanë shumë munafikëve, për shkak të këtyre cilësive. Disa dijetarë kanë thënë: kush i ka të rralla këto cilësi, nuk e kaplon ky kërcënim. Ky është mendimi më i zgjedhur në lidhje më këtë hadith. Ebu Isa Tirmidhiu tregon mendimin e mbarë dijetarëve se: “Vërtetë kuptimi i hadithit te dijetarët ka për qëllim nifakun në vepra”. (Sherhu muslim”, 2/46-47).

 Gënjeshtra më e shëmtuar:

1) Gënjeshtra ndaj Allahut dhe Pejgamberit, sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem.
Ky lloj i gënjeshtrës është gënjeshtra më e madhe, kurse pronari i kësaj gënjeshtre është i kërcënuar me kërcënim të ashpër, bile disa dijetarë e konsiderojnë renegat.
Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Mos i thoni asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim”. (En-Nahl: 116).
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Mos gënjeni mbi mua, sepse kush gënjen mbi mua do të hyjë në xhehenem”. (Buhariu).
Dhe thotë:
“Kush gënjen mbi mua le të përgatit një vendulje nga zjarri”. (Buhariu dhe Muslimi).
Ibën Kajjimi, rahimehull-llah: “Qëllimi i hadithit është ai që gënjen ndaj Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, le të bëhet gati për vendqëndrim në xhehenem ku do të mbetet dhe nga i cili nuk do të largohet dhe ka thënë vendbanim ku mbetet një kohë e më pas udhëton prej tij.” (Tarikul-Hixhretejni”, fq. 169).
Kjo ishte gënjeshtra ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ndërsa për sa i përket gënjeshtrës ndaj njerëzve është si vijon:
2) Gënjeshtra në shitblerje.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Tre personave nuk u flet All-llahu në Ditë të Kiametit, nuk i shikon, nuk i pastron dhe do të kenë dënim të dhembshëm. E përsëriti këtë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tre herë. Ebu Dherri tha: paskan humbur dhe qenkan shkatërruar, kush janë ata? Tha: “Ai që i mban rrobat nën nyje të zogut të këmbës, bartësi i fjalëve dhe ai që e shet mallin e vet duke u betuar rrejshëm”. (Muslimi me nr: 106).
“Shitësi dhe blerësi janë të lirë të zgjedhin përderisa nuk janë ndarë, nëse janë të vërtetë dhe e sqarojnë mallin, u bekohet kjo shitblerje, kurse nëse fshehin dhe gënjejnë, largohet bereqeti i shitblerjes së tyre”. (Buhariu me nr: 1973 dhe Muslimi me nr: 532).
Shejhul-Islam ibën Tejmiu thotë: “Allahu, subhanehu ve teala, ka urdhëruar që të jemi të vërtetë dhe të sqarojmë dhe ka ndaluar gënjeshtrën dhe fshehjen e gjërave të cilat duhet të njihen, siç ka thënë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem : “”Shitësi dhe blerësi janë të lirë të zgjedhin përderisa nuk janë ndarë, nëse janë të vërtetë dhe e sqarojnë mallin, u bekohet kjo shitblerje, kurse nëse fshehin dhe gënjejnë, largohet bereqeti i shitblerjes së tyre”. Dhe Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hirë të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë”. (El-Maide: 5)”. (Minhaxhus-sunneh”, 1/16).
3) Gënjeshtra gjatë tregimit të ëndrrave.
Përmes pretendimit se ka parë diçka në ëndërr, mirëpo ai gënjen me këtë rast dhe iu flet njerëzve diçka çka realisht nuk ka parë.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Kush pretendon se ka parë ëndërr, të cilën nuk e ka parë, do të detyrohet të lidhe dy kokrra elbi, e nuk do të ketë mundësi ta bëjë këtë vepër, kush e dëgjon bisedën e disa njerëzve, duke e ditur se ata e urrejnë atë apo ikin prej tij, do të hedhet në veshin e tij plumb të shkrirë në ditë të Kiametit dhe ai i cili vizaton fotografi do të dënohet dhe do të detyrohet ti fryjë shpirt, e nuk do të ketë mundësi”. (Buhariu me nr: 6635).
Munaviu, rahimehull-llah, thotë: “Do të detyrohet ti lidhë dy kokrra të elbit e nuk do të ketë mundësi, sepse nuk ka mundësi të lidhen mes vete. Ky njeri do të dënohet deri sa ta bëjë këtë vepër. Sikurse dëshiron të thotë: do të detyrohet me gjëra që s’ka mundësi t’i bëjë dhe për këtë do të dënohet. Kjo domethënë se do të dënohet në vazhdimësi…Ka ardhur ky kërcënim i madh për gënjeshtrën mbi ëndrrën, edhe pse dëmi i gënjeshtrës i zgjuar është më i madh, sepse në këtë rast kjo është gënjeshtër ndaj Allahut, pasi që ëndrra është një pjesë e shpalljes, e pasi që është pjesë e shpalljes, atëherë kjo është prej Allahut. Gënjeshtra ndaj Krijuesit është më e keqe se sa gënjeshtra ndaj krijesave”. (Fejdul-Kadir, 6/99).
4) Ndalohet të flitet çdo gjë që dëgjohet.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Mjafton për një njeri ti regjistrohet gënjeshtër nëse flet çdo gjë që dëgjon”. (Muslimi).
Neveviu, rahimehull-llah, thotë: “Domethënia e hadithit dhe thënieve tjera që gjenden në këtë kaptinë japin të kuptojmë qortimin e të folurit të çdo gjëje që e dëgjon njeriu, sepse zakonisht njeriu dëgjon edhe gjëra të vërteta, por edhe gënjeshtra. Kështu që po foli çdo gjë që dëgjon, sigurisht se do të gënjen, sepse do të lajmëron atë që s’ka qenë. Kurse ne më herët kemi thënë se mendimi më i saktë mbi domethënien gjuhësore të gënjeshtrës është: Lajmërim për një gjë në të kundërtën e realitetit të saj, dhe nuk kushtëzohet qëllimi. Kushtëzohet qëllimi vetëm për tu konsideruar mëkat. Allahu e di më së miri”. (Sherhu Muslim, 1/75).
5) Gënjeshtra në lojë(shaka).
Disa njerëz mendojnë se lejohet gënjeshtra nëse ndodh gjatë shakasë, edhe me këtë e arsyetojnë edhe gënjeshtrën e një prillit, ose të ditëve tjera. Kjo është gabim dhe nuk bazohet në fenë e vërtetë. Gënjeshtra është e ndaluar edhe në seriozitet edhe në shaka.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Unë bëj shaka, mirëpo edhe atëherë e them të vërtetën”. (Taberaniu dhe të tjerët. Hadithi është sahih).
Dhe kur i kanë thënë: O i Dërguar i Allahut, ti bënë shaka me ne. Ai ka thënë: “Unë vetëm të vërtetën e them”. (Hadithin e transmeton Tirmidhiu me nr: 1990 dhe thotë: Hadithi është hasen sahih. gjithashtu e transmeton edhe Taberaniu në “Evsat”: 8/305. Hejthemiu në “Mexhme Ez Zevaid”: 9/17 dhe thotë se hadithi është hasen.).
Shokët e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kanë treguar:
“Se kanë ecur me Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në udhëtim. Një njeri prej tyre ra në gjumë. Njëri shkoi dhe ia mori shigjetat, e kur u ngrit njeriu u trishtua, kurse ata që ishin përreth u qeshën. I pyeti Pejgamberi: pse po qesheni? Thanë: ia morëm shigjetat e ky u tremb. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: “Nuk i lejohet myslimanit që ta trishton myslimanin”. (Ebu Davudi me nr: 5004 dhe Imam Ahmedi me nr. 22555. Hadithin e konsideron Shejh Albani të saktë në librin “Sahih El Xhami” me nr: 7658).
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Mos merrni gjërat e vëllait tënd, as në lojë as në seriozitet. Kush ia merr shkopin vëllait të vet le t’ia kthen”. (Ebu Davudi me nr: 5003 dhe Tirmidhiu e transemton shkurtimisht me nr: 2160. Hadithin e konsideron Shejh Albani të mirë – Hasen në librin “Sahih El Xhami” me nr: 7658).
6) Gënjeshtra duke luajtur me fëmijët.
Duhet kujdesur që mos të gënjejmë duke luajtur më fëmijët, sepse edhe kjo regjistrohet. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka tërhequr vërejtjen nga kjo vepër siç tregohet në këtë rast:
Abdull-llah ibën Amiri, radijall-llahu anhu, thotë: “Një ditë më thërriti nëna ime, kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ishte duke ndenjur në shtëpinë tonë. Ajo më tha: eja do të jap diçka. Atëherë, Pejgamberi, alejhis-salatu ves-selam, tha: çka dëshirove t’i japish? Tha: dëshirova ti jap hurme. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: “Po mos i jepje asgjë, do të regjistrohej gënjeshtër”.
Kurse në transmetimin e Ebu Hurejres qëndron: “Kush e thërret fëmijën e vet, eja të jap diçka e nuk i jep, kjo konsiderohet gënjeshtër”. (Ebu Davudi me nr:4991. Hadithin e konsideron Shejh Albani të mirë – Hasen në librin “Sahih El Xhami” me nr: 1319)
7) Gënjeshtra për ti shtyrë të tjerët që të qeshin.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Vaj për atë që flet gënjeshtra që ti shtyjë të tjerët që të qeshin. Vaj për te, vaj për te”. (Tirmidhiu me nr: 235 dhe thotë hadithi është hasen. Gjithashtu e transmeton edhe Ebu Davudi me nr: 4990).

Hoxhë Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit