2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Rozë-mendimtarët e identitetit kosovar!

Më të lexuarat

Jusuf Thaçi

Këta rozë-mendimtarë të identiteteve të pavarura nuk kanë qëllime të këqija ndaj shqiptarëve, thjesht kanë qëllime të mira për veten. Duan të jenë yje intelektuale, andaj sa më i vogël katundi, aq më shumë shkëlqejnë. Për këtë arsye i duan shqiptarët të ndarë në provinca, që të kenë sa më pak konkurrencë e të shkëlqejnë sa më shumë
Rozë-mendimtarët tanë në Shqipëri e në Kosovë, “rilindësit shqiptarë e kosovarë” të shekullit XXI, të vuajtur e të përvuajtur për t’u dëshmuar si super-intelektualë, ultra-modernë, të mbi-qytetëruar e tej-nacionalistë, na lodhin ditë e përditë me mendimet e tyre rozë për domosdoshmërinë e krijimit të identitetit kosovar, përkatësisht kombit kosovar, ndaras nga identiteti shqiptar, ndaras nga kombi shqiptar.

Kohëve të fundit, këtë përfundim të tyre “gjenial e iluminist” e mbështesin në argumentin se shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës kanë dallime të mëdha dhe janë shumë të ndryshëm, sepse kanë jetuar në kushte e rrethana të ndryshme historike për gati një shekull. Sipas tyre, shqiptarët dhe kosovarët dallojnë edhe në mendësi, edhe në të folur, edhe në sjellje, edhe në veshje, edhe në shije, edhe në kulturë, edhe në art, edhe në doke e zakone, etj., etj., etj..

Është interesante që po këta “rilindas”, kur flasin për shoqëritë e kombet tjera, dallimet e tyre të çfarëdollojshme mes llojit i promovojnë si diversitet, pra si pasuri e madhe. Ndërsa, të njëjtit “rilindas”, vetëm në raport me shqiptarët, dallimet mes shqiptarëve i interpretojnë si pengesë për të qenë bashkë, pra jo si pasuri, por si dëshmi që shqiptarët duhet të jetojnë të ndarë e me identitete të mëvetësishme. Nuk është aq e rrezikshme hipokrizia e tyre sa është i frikshëm fakti që në shkollat tona ka mësimdhënës që të tillëve iu kanë dhënë nota kaluese në lëndën e logjikës gjatë shkollimit të mesëm (sigurisht shumica prej këtyre tash kanë edhe tituj e grada të larta shkencore e akademike, fatkeqësisht).

Fatkeqësisht, këta rozë-intelektualë e këto rozë-teori bëjnë shumë bujë në media e në publik, njëjtë siç lexohen shumë rubrikat rozë të gazetave dhe portaleve. Këtu nuk e kam ndërmend t’ju kundërvihem këtyre rozë-mendimtarëve, sepse ata meritojnë të lihen të qetë në moçalin e tyre intelektual. Por, është i domosdoshëm një demant, në mënyrë që publiku të mos bie në lajthitje.

1. Po të ishin dallimet mes një kombi arsye për të jetuar në shtete të ndara e për të krijuar identitete kombëtare të pavarura, atëherë bota do katandisej e tëra. Kina do duhej të ndahej në qindra kombe e shtete, njëjtë edhe India, SHBA-ja do të duhej të ndahej në dhjetëra kombe e shtete, Gjermania do të duhej të ndahej së disa kombe e shtete, etj., etj.. Në bazë të këtij parimi, nuk do të kishte ndërtesë në botë ku OKB do të mund të organizonte mbledhjet e saj, për këtë do duhej një stadium futbolli.

2. Po të ishin dallimet mes një kombi arsye për të jetuar në shtete të ndara e për të krijuar identitete kombëtare të pavarura, atëherë shqiptarët do të duhej të ndaheshin vetëm në dy kombe e shtete, në Shqipërinë Gegë dhe Shqipërinë Toskë. Ndarja në toskë e gegë mes shqiptarëve është shumë më e vjetër se sa ndarja mes Kosovës e Shqipërisë. Dallimi mes gegëve e toskëve është shumë më i madh se sa dallimi mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Në bazë të këtij parimi, kufiri nuk do duhej të ishte në Morinë, por në lumin Shkumbin.

3. Po të ishte kriter i ndarjes dallimi, atëherë dallimi mes Jugut të Shqipërisë dhe Veriut të Shqipërisë është shumëfish më i madh, edhe sot edhe shumë më herët, se sa dallimi në mes të Kosovës dhe Veriut të Shqipërisë. Shkodrani nga Veriu i Shqipërisë dhe gjakovari nga Kosova duken, në të gjitha aspektet, binjakë monozigotë krahasuar me gjirokastritin nga Jugu i Shqipërisë, që duket si një kushëri i largët i këtyre dy të parëve. Në bazë të kësaj, do duhej të kishim të pavarura si kombe e shtete Shqipërinë Jugore dhe Shqipërinë Veriore (veriun e Shqipërisë dhe Kosovën).

4. Shqiptarët kanë qenë po kaq të ndryshëm edhe para se të ndaheshin e të copëtoheshin në fillim të shekullit XX. Megjithëse bashkë-kohanikë, bashkë-mendimtarë e bashkë-veprimtarë, Sulejman Vokshi nga Gjakova vishte tirqi, xhamadan e plis, ndërsa Abdyl Frashëri nga Përmeti vishte rroba alla-franka. Të njëjtin dallim mund ta vëreni edhe mes Isa Boletinit nga Mitrovica dhe Ismail Qemalit nga Vlora. Po të doni, këto dallime i gjeni edhe shumë më herët, edhe në kohën e Principatave të Arbërit në kohën e Skënderbeut, edhe në kohën e Fiseve Ilire në parahistori.

5. E vërteta është se ne shqiptaret kemi dallime të mëdha në shumë fusha e aspekte, ashtu siç i kemi pasur historikisht edhe para se të ndahemi. Edhe më e vërtetë është se ne shqiptarët kemi shumë më shumë ngjashmëri se sa dallime mes vete, ashtu siç kemi pasur historikisht. Këto ngjashmëri, më shumë se kurrë i vërejmë sot, sidomos nëse e krahasojmë Shqipërinë e Kosovën. Në të dy anët kemi shtete pothuajse jo-funksionale, politikanë të korruptuar, arsim të shkatërruar, shëndetësi të dërmuar, gjyqësi të politizuar, ekonomi të kriminalizuar, servilizëm ndaj ndërkombëtarëve, armiqësi mes vete, qytetarë pasivë, etj., etj.. Ngjashmëri më të madhe se kaq nuk mund të gjesh as mes anëtarëve të të njëjtës familje!

Para përfundimit është me rëndësi të përmendet edhe një gjë. Këta rozë-mendimtarë të identiteteve të pavarura nuk kanë qëllime të këqija ndaj shqiptarëve, thjesht kanë qëllime të mira për veten. Duan të jenë yje intelektuale, andaj sa më i vogël katundi, aq më shumë shkëlqejnë. Për këtë arsye i duan shqiptarët të ndarë në provinca, që të kenë sa më pak konkurrencë e të shkëlqejnë sa më shumë.

Por fatkeqësisht, këtë model të tyre e kanë përvetësuar edhe shumica e politikanëve shqiptarë, po për të njëjtat arsye. Edhe politikanët, duke qenë të interesuar që të sundojnë e të regjimojnë sa më lehtë, janë të interesuar që shqiptarët t’i mbajnë të ndarë në pashallëqe që i kontrollojnë e i keqpërdorin sa më lehtë e sa më shumë.

Fundi i të dy parëve do të jetë atëherë kur shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës të zgjohen e të vetëdijesohen se dallimet mes nesh janë pasuri e jona, jo arsye për të jetuar të ndarë, jo arsye për të mos u bashkuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit