3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

ROLI I PRINDIT NË PROCESIN E EDUKIMIT DHE ARSIMIMIT

Më të lexuarat

Komuniteti i prindërve është një prej elementëve mjaft të rëndësishëm dhe me një rol shumë të madh në procesin e edukimit dhe të arsimimit. Pa asnjë lloj hamendje, familja jo vetëm që është qeliza bazë e shoqërisë, por njëkohësisht është edhe vendi ku fëmija, nxënësi dhe studenti i ardhshëm, do të formësohet përmes modelit që e modelon. Prindi, mësuesi, nxënësi janë një trinom i implikuar në raporte të forta dhe të ndjeshme gjatë arsimimit të fëmijëve.

Bashkëpunimi midis këtyre elementëve është një domosdoshmëri, pa të cilin mbarëvajtja e procesit arsimor për nxënësin, nuk do të rezultojë e frytshme dhe e efektshme. Nxënësi është në një marrëdhënie të dyzuar dhe vazhdimisht i duhet të rrëshqasë përmes raportit prind – mësues, familje – shkollë.

Prej 24 orëve që ka ditë-nata, nxënësi shpenzon afërsisht 6 orë në ambientet e institucionit të shkollës. Pjesa e pashpenzuar e kësaj kohe, do të shpenzohet jashtë institucionit të shkollës, çka presupozon që, krahas shkollës si institucion arsimor i rëndësishëm, ekzistojnë edhe faktorë jashtëshkollorë që kanë impaktin e tyre në transmetimin e dijes, informacionit, vlerave, traditave, modeleve të të sjellurit dhe të të jetuarit.

Pjesa më e madhe e kohës së paspërfundimit të procesit mësimor, shpenzohet jashtë shkollës, pranë familjes, që në rastin më normal është e përbërë nga prindërit dhe fëmijët, shto këtu edhe në raste të tjera gjyshin, gjyshen apo njërin prej tyre, ose me shoqërinë.

Prindi i secilit nxënës beson se është i interesuar që fëmija i tij, të jetë i angazhuar gjatë procesit arsimor që sa më shumë të jetë e mundur të përfitojë maksimalisht nga ky proces. Nuk ka prind që të mos ndiejë dëshirën për arsimim dhe edukim të fëmijës së tij. Kjo natyrisht që është pozitive, por nuk mjafton vetëm dëshira e prindit që fëmija të jetë i suksesshëm në procesin e arsimimit dhe edukimit.

Shumë prindër duke parë orët e gjata të mbylljes në dhomë të fëmijës së tyre për të studiuar, besojnë se ky është i njëjti angazhim që ka edhe në institucionin e shkollës pa e pyetur veten nëse ky është një angazhim i angazhuar apo një angazhim i paangazhuar.

Vlerësimi i tij për këtë angazhim ngrihet mbi dukshmërinë e këtij procesi, ndërkohë që i përfshiri në procesin e të mësuarit, nxënësi, mund të fluturojë nëpër botën e ëndrrave, pa u shqetësuar shumë nga fakti se qëndron para një miku të heshtur, por miqësor e të ngrohtë, siç është libri. Nga ana tjetër qëndron institucioni i shkollës që organizon takime në vazhdimësi, me secilin prind qoftë individualisht, qoftë në grup nën drejtimin e mësuesve kujdestarë.

Ky periodik takimesh realizohet me qëllim që të bëhet transparenca e angazhimit të nxënësve në përthithjen e njohurive dhe respektimin e rregullores së institucionit të shkollës. Komunitetin prindëror, pavarësisht larushisë së përbërjes që i jep tonusin, e bashkon ndjesia e preokupimit që fëmijët e tyre të angazhohen për të mësuar dhe nxënë njohuri, por diferencohet në vetvete nga konceptualizimi mbi interesueshmërinë dhe rolin që kanë ata në këtë proces.

Na duhet të pranojmë që jo të gjithë prindërit kanë të njëjtin perceptim dhe të njëjtën ndjeshmëri ndaj rolit që ata kanë në mbarëvajtjen e fëmijës së tyre në shkollë. Kjo është rrjedhojë e diferencave, në edukim, kulturë, arsimim dhe kuptim të rrethanave të reja me të cilat përballemi në ditët e sotme.

Kjo gjendje nuk favorizon rolin konstruktiv që duhet të luajë prindi në procesin e edukimit dhe të arsimimit. Shumë syresh, madje dhe mjaft mësues, janë ende ëndërrimtarë të një modeli arsimor, që ka perënduar tashmë.

Përballë sfidave me të cilat përballet sot arsimimi dhe edukimi i nxënësve ata vendosin përfytyrimet e tyre nga e shkuara duke u shprehur me një lloj keqardhje për gjendjen e sotme. Ky lloj perceptimi çon në deduksione të pavenda nga ana e prindërve për rolin e institucionit të shkollës në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre.

Po gjykojnë të tashmen me përfytyrimet e së shkuarës, në një kohë kur ka ndryshuar shumëçka prej kohës kur ata kanë qenë të ulur në bankat e shkollës. Duke mos ndjekur dot dinamikën e ndryshimeve dhe hapjen e sistemit arsimor ndaj qasjeve të reja, nuk po ndalemi këtu sesa vlejnë këto qasje, prindi, jo për ta paragjykuar, përjeton një lloj çoroditje.

Është e natyrshme që ai të ndihet i shqetësuar për ecurinë e fëmijës së tij, por çoroditja nga mosadaptimi në kohë me dinamikën e zhvillimeve, e frenon nga gjykimi real dhe i pandikueshëm, nga modelet e së shkuarës në raport me rolin e institucionit të shkollës sot. Prindi e ka të nevojshme që para se të gjykojë mbi rolin e institucionit të shkollës për arsimimin dhe edukimin e fëmijës së tij, duhet të gjykojë mbi raportet e tij me fëmijën, pasi që, siç e theksuam, shumicën e kohës nxënësi e kalon pranë familjes ose shoqërisë. Prindi duhet të kuptojë që përgjegjësia për ecurinë e nxënësit në shkollë nuk i takon vetëm shkollës.

Ai duhet të jetë i ndërgjegjshëm për rolin e tij, sidomos për mbështetjen emocionale dhe materiale të fëmijës së tij. Për sa i takon mbështetjes materiale, ajo ndryshon nga njëri te tjetri, për arsye të diferencimit pasuror në shoqëri. Prindi duke ëndërruar kohën kur i mungonte shumëçka nga kushtet materiale, mundohet që fëmija i tij të mos vuajë në të njëjtën mënyrë. E me gjithë vështirësitë që kanë shumë prindër sakrifikojnë nga mirëqenia e tyre për arsimimin e fëmijës së tyre.

Kjo sakrificë meriton mirënjohje, mirëpo kjo nuk është gjithçka që i duhet nxënësit. Në këtë pikë shumë prindër shprehen se unë i kam siguruar gjithë sa kam mundur. Atëherë çfarë e pengon që nuk mëson? Mos vallë është përgjegjësia e institucionit të shkollës? Sigurimi i disa kushteve normale materiale është i rëndësishëm për procesin e të mësuarit, por kjo nuk është gjithçka.

Pika më e rëndësishme që duhet të kenë parasysh prindërit dhe së cilës duhet t’i mëshojnë fort është mbështetja emocionale e fëmijës së tyre. Shumë syresh duke mos njohur dinamikën e zhvillimeve psikofizike të kalimit nga një stad moshe në një stad tjetër, nuk arrijnë ta trajtojnë fëmijën në përputhje me këto ndryshime. Kjo mosnjohje i çon drejt trajtimit gati robotik të fëmijës së tyre dhe fëmija – nxënës, në vend që të ndihet i lirshëm në diskutimet me prindin, ndihet i trysnuar përballë faktit që duhet vetëm të bindet se “gjithçka” e di më mirë prindi apo institucioni i shkollës.

Nuk duhet të keqkuptohemi me këtë që thamë pasi nuk synojmë aspak të nxisim rebelim të fëmijës ndaj prindit dhe institucionit të shkollës, por prindi duhet të jetë një dëgjues i mirë, në mënyrë që nxënësi të shkarkojë tensionin moshor në diskutime të hapura dhe të paparagjykueshme me prindin e tij.

Në qoftë se klima e raporteve prind – nxënës nuk është e mirë, është e padiskutueshme që tensionin e brendshëm nxënësi do ta shkarkojë jashtë familjes, në shkollë ose në shoqëri. Madje ky tensionim i brendshëm i tij do të reflektohet edhe në ecurinë e nxënies së dijeve shkollore. Prandaj, sigurimi vetëm i kushteve materiale nuk është çelësi i suksesit në shkollë. Mbështetja emocionale nga familja është nevralgjike për nxënësin dhe ecurinë e tij në shkollë. Kjo duhet kuptuar më së miri nga ana e prindit, i cili nuk duhet t’ia faturojë të gjitha përgjegjësitë institucionit të shkollës.

Prindi duhet ta kuptojë fort mirë se fëmija është një tabula rasa dhe ka përparësi ndaj çdolloj argëtimi të prindërve, të cilët deri diku janë të implikuar me shpenzimin e kohës para TV apo internetit, duke mënjanuar kësisoj raportet emocionale me fëmijën e tyre. Çuditërisht prindi e gjen kohën për ndeshje sportive, telenovela, takime me shoqërinë, por nuk gjen kohën e mjaftueshme për t’u ulur dhe biseduar me fëmijën e tij, për problemet e mundshme që mund të ketë fëmija apo dhe për të lexuar një manual të thjeshtë për ndryshimet psiko-fizike të fëmijës gjatë moshës shkollore, që t’i shërbejë si ndihmës për dialogimin me fëmijën e vet.

E në këtë mosangazhim të prindit me fëmijën mos vallë mban përgjegjësi institucioni i shkollës? Në qoftë se fëmija pas shkollës e shpenzon kohën duke u argëtuar, apo duke u angazhuar pak apo aspak me leximin si kushti i parë dhe esencial për të mësuar dhe ditur, mos vallë është sërish përgjegjësia e institucionit të shkollës?

Institucioni i shkollës ka për detyrë të kryejë me përgjegjshmëri të plotë detyrat e tij, përkundrejt nxënësve, por ky institucion nuk mund t’i ofrojë lidhjen e munguar emocionale me prindin, pasi kjo e fundit është çështje ekskluzive midis prindit dhe fëmijës. Institucioni i shkollës nuk mund të shndërrohet në hije për nxënësin, pasi secili duhet të realizojë përgjegjësitë që i takojnë.

Mirëpo prindërit, duke u ndjerë të pafuqishëm përballë dinamikës së zhvillimeve dhe duke iu konformuar atyre, mendojnë se institucioni i shkollës nuk bën sa duhet për të vendosur në binarë fëmijët e tyre. Se cili është roli i institucionit të shkollës dhe sesi e realizon përgjegjësinë e tij në përputhje me zhvillimet e reja, mund të flasim në një hapësirë tjetër, por në lidhje me temën në fjalë duhet ta theksojmë që dështimin e tyre me fëmijët prindërit nuk duhet t’ia faturojnë institucionit të shkollës që, pavarësisht dobësive dhe problemeve që ka, sërish përpiqet të transmetojë një frymë pozitive për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve.

Një problem tjetër me të cilin ndeshen prindërit është edhe moskuptimi i faktit që në këtë botë secila qenie njerëzore është unike, origjinale në vetvete dhe nuk ka patur dhe as do të ketë të ngjashëm me të. Kësisoj edhe fëmijët, pavarësisht se rriten nën përkujdesin prindëror nuk do të thotë që duhet të jenë të ngjashëm domosdoshmërish më prindërit. Prindi duhet ta respektojë këtë natyralitet të qenies njerëzore dhe të mos projektojë te fëmija i tij dështimet apo dhe sukseset e tij në të shkuarën kur ishte nxënës. Prindi duhet të respektojë origjinalitetin e fëmijës së tij dhe të mos e trysnojë për t’i përngjarë në sukses dhe për të mos i përngjarë në dështimet e tij.

Fëmija duhet ndihmuar për të realizuar vetveten dhe potencialet e tij përmes modeleve pozitive dhe nuk ka model më pozitiv sesa modeli familjar. E mirëkuptojmë edhe atë pjesë prindërish të cilët me sakrifica përballojnë jetesën, por sido që të jetë, mbështetja prindërore, emocionale dhe materiale për fëmijën nuk duhet të bjerret asnjëherë në qoftë se prindi dëshiron të ketë një fëmijë të suksesshëm në procesin e arsimimit dhe edukimit.

Nuredin Nazarko

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit