-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Republikanët po dështojnë ta zgjedhin kryetarin – çfarë funksioni kryen udhëheqësi i Kongresit amerikan

Më të lexuarat

Një dramë historike po zhvillohet në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ndërsa ligjvënësit po përpiqen të zgjedhin një kryetar të ri të Kongresit amerikan.

Ligjvënësi Kevin McCarthy, lideri i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, nuk po mund t’i bind as bashkëpartiakët që të votojnë për të në mënyrë që të udhëheq me këtë tempull të demokracisë amerikane.

Kryetari i Dhomës ka një rol jashtëzakonisht të fuqishëm që lejon kontroll pothuajse total mbi funksionet e saj, transmeton Telegrafi.

Çfarë roli luan Kryetari i Dhomës?

Kushtetuta e SHBA-së parashikon rolin e Kryetarit të Dhomës, i cili mbikëqyrë dhomën e ulët të Kongresit amerikan.

Kryeparlamentari, në mënyrë tradicionale dhe historike, vjen nga partia më e madhe, megjithëse kjo nuk është e shkruar në Kushtetë.

Prandaj, përveç që udhëheqin Dhomën e Përfaqësuesve, ata janë shumicë në Kongres, raporton bbc.

Në një nivel praktik, Kryetari përcakton agjendën legjislative të Dhomës, kontrollon detyrat e komisioneve, cakton kohën e votimeve dhe kalendarin e punës si dhe është përgjegjës për unifikimin e votave të anëtarëve të partisë së tij për të përkrahur nismat kryesore ligjore.

Pse është kaq i rëndësishëm Kryetari i Dhomës?

Nëse shfrytëzohet në mënyrë efektive, pozita e Kryetarit të Dhomës është një nga më të fuqishmet në Uashington.

Në varësi të përbërjes partizane (dy partiake) të Kongresit, ata mund të bëjnë ose thyejnë agjendën e një presidenti amerikan, të pengojnë opozitën dhe të kryesojnë nismat më të mëdha legjislative të partisë së tyre.

Një kryetar mendjemprehtë dhe efektiv do të jetë në gjendje të vendosë anëtarët e tij pas axhendës së partisë së tyre dhe të kontrollojë ligjvënësit rebelë duke u dhënë stimuj ose ndëshkime.

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, një demokrate e cila u tërhoq nga pozicioni kur republikanët morën kontrollin e Dhomës më 3 janar 2023, u konsiderua si një nga kryetaret më efektive moderne të Dhomës.

Megjithëse grupi demokratik që ajo mbikëqyri përmbante fraksione të shumta, duke përfshirë progresistë, të moderuar dhe demokratë me prirje më konservatore, ajo ishte në gjendje të përdorte mjetet në dispozicion të Kryetarit për të mbajtur një front të bashkuar kur bëhej fjalë për shumicën e votave kryesore.

Si zgjidhet kryetari?

Dhoma e Përfaqësuesve funksionon në një cikël dyvjeçar, i njohur si “sesion”. Kongresi i ri filloi më 3 janar 2023 dhe republikanët do të jenë shumicë.

Gjëja e parë që duhet të bëjë seanca e re e Dhomës së Përfaqësuesve është të votojë për një Kryetar të Dhomës. Pa atë person, Dhoma nuk mund të kryejë asnjë funksion tjetër, duke përfshirë betimin e anëtarëve të rinj.

Dhoma duhet të vazhdojë të zhvillojë votime derisa të zgjidhet një kryetar, transmeton Telegrafi.

Vota për Kryetar kërkon që një kandidat të marrë mbështetjen e shumicës së Dhomës – 218 vota. Udhëheqësi ekzistues i partisë së shumicës zakonisht supozohet të jetë personi që do të marrë këtë post.

Për më shumë se një shekull, Kryetari i Dhomës u vendos në votimin e parë. Por nuk është kështu këtë javë.

Pse është kaq e pazakontë zgjedhja e Kryetarit gjatë vitit 2023?

Këtë vit, McCarthy, udhëheqësi republikan, kërkon të bëhet Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve tani që partia ka shumicën. Por gjërat nuk kanë shkuar sipas planit.

Gjatë disa raundeve të votimeve, McCarthy dështoi në mënyrë të përsëritur për të mbledhur 218 vota, edhe pse partia e tij aktualisht ka 222 sosh.

Një grup rebelësh republikanësh kanë krijuar një mur opozitar brenda pozitës, duke refuzuar të votojnë për McCarthy (10 raunde deri më tani).

Kundërshtarët e tij thonë se ai është i përkushtuar ndaj interesave të veçanta dhe nuk është mjaftueshëm konservator, raporton cnn.

Ngërçi e ka lënë Dhomën e Përfaqësuesve të paaftë për të kryer ndonjë punë tjetër, duke përfshirë betimin e anëtarëve apo vendosjen e rregullave të Dhomës për këtë sesion.

Votimi do të vazhdojë derisa Dhoma të ketë një kryetar, por është e paqartë nëse McCarthy do të rifitojë mbështetjen.

Ai ose do të duhet të mbizotërojë, ose të largohet dhe të zëvendësohet me ndonjë kandidat tjetër, ose Dhoma nuk do të jetë në gjendje të funksionojë.

A ka Dhoma e Përfaqësuesve lider të pakicës?

Për partinë në pakicë, kreu i grupit parlamentar të tyre njihet thjesht si “udhëheqësi i pakicës”.

Ata nuk kanë kontroll mbi funksionet e Dhomës së Përfaqësuesve si kryetari, por në vend të kësaj ushtrojnë pushtet brenda grupit të tyre parlamentar për të mbajtur ligjvënësit të bashkuar në kundërshtimin e politikave të shumicës ose për të avancuar përpjekjet dypartiake.

Në Kongresin e 118-të, demokratët janë në pakicë.

Kongresisti Hakeem Jeffries nga New Yorku u zgjodh si udhëheqës i partisë demokrate, e cila është pakicë në Kongresin amerikan. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit