1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Rëndësia e Arkivit dhe Defterët tek osmanlinjtë

Më të lexuarat

Mr. Agron Islami

Duke qenë se Perandoria Osmane ishte një formacion politik me interesa botërore, ajo nuk do ta kishte të mundur të mbahej gjatë në jetë pa pasur një sistem shumë efikas; e për pasojë, ajo la pas një fond shumë të madh dokumentacioni, i cili tani është lënda e parë për hulumtuesin që dëshiron të mësojë të vërtetat e shekujve të kaluar, ose thënë më saktë, historinë 550-vjeçare. Për shkak se shkrimet e shkruara shqip u zbuluan mjaft vonë, defterët osmanë, dhe sidomos defterët Tahrir (Tahrir Defterleri), na ofrojnë argumente mbi toponiminë shqiptare, që janë më të hershme se Meshari i Gjon Buzukut dhe librat e tjerë të shkruar në gjuhën shqipe, që janë të një rëndësie të veçantë për studimin e gjuhës shqipe.

Në të njëjten kohë ata na ofrojnë edhe një dëshmi më shumë për autoktoninë shqiptaro-ilire në Ballkan. Pra, leximi dhe studimi i këtyre dokumenteve e defterëve ofron njohuri të detajuara për popullin dhe të kaluarën tonë 5-shekullore. Kur them të detajuar, kam parasysh faktin se administrata e letrave-dokumenteve osmane ishte mjaft moderne, madje mund të thuhet se nuk dallon fare nga administratat bashkëkohore, sepse çdo dokument është i shkruar në detaje dhe në fund, medoemos, mban datën dhe vendin e lëshimit. Në lidhje me këtë, duhet theksuar se në një pjesë të mirë të dokumenteve osmane, kur bëhet përshkrimi i një të akuzuari apo ndonjë rasti të ngjashëm, ajo që të bie në sy, është se jepen edhe tiparet e dukjes së tij, p.sh. për gjatësinë, ngjyrën e syve, hundë e tij – e gjatë apo e shkurtër, dhe gjëra të ngjashme.

Defterët janë ruajtur në vende të ve çanta , ndës hkohej çdo dëmtim i tyre

Arkivat e Stambollit dhe të Turqisë, tani janë të njohura për pasurinë e dokumenteve të trashëguara nga Perandoria Osmane. Meqë e kaluara, apo e vërteta historike e më se 19 shteteve Arabe, 12 Ballkanase e Evropiane dhe 3 Kaukaziane, është e lidhur ngushtë me hulumtimin dhe hulumtuesin e Arkivave të Turqisë. Sot Arkivat Turke, dhe disomos ai i Stambollit, e njohur si “Başbakanlık Osmanlı Arşivi”, frekuentohen nga hulumtues nga e gjithë bota dhe qëllim i vetëm është njohja me ngjarjet historike gjatë periudhës pesëshekullore të Perandorisë Osmane. Në këtë punim modest, do të paraqes fakte për rëndësinë që kishte arkivi dhe arkivimi i dokumentacionit tek osmanlinjtë dhe do të jap të dhëna të shkurtra për disa nga defterët dhe dokumentet e rëndësishme që gjenden në Arkivin e Stambollit e që janë shumë të rëndësishme për hulumtuesin shqiptar. Perandoria Osmane i jepte shumë rëndësi çështjes së ruajtjes së dokumentacionit, sidomos të atij diplomatik. Në lidhje me këtë, ekziston një ferman i lëshuar nga sulltan Mustafa III (1757-1774), i cili kërkonte që defterët të ruheshin në sëndukë të veçanta dhe, nëse eventualisht humbte ose dëmtohej vetëm një fletë e vetme (e tyre), përgjegjësi do të dënohej. Ndërkaq, gjatë sundimit të sulltan Abdulmexhidit (1839-1861), për herë të parë ndërtesa ku ruheshin dokumentet dhe letrat e rëndësishme, u emërtua ‘’hazîne-i Evrâk – Thesar i letrave- dokumenteve’’, kurse mbikëqyrësin e atyre letrave, e quanin “Hazîne-i evrâk Nâzırı – Ministër i thesarit të letrave’’. Se sa i kushtohej rëndësi ruajtjes së dokumenteve dhe letrave në Perandorinë Osmane, mund të shihet nga fakti se gjatë Luftës së Parë Botërore, qysh në fillim të vitit 1915, nga Stambolli për në qytetin e Konjas u dërguan më se 208 sëndukë të mbushur me dokumente të rëndësishme, për shkak se asokohe qyteti i Konjas ishte më i sigurt se Stanbolli. Me atë rast, nga i pari i Konjës ishte kërkua që ata sëndukë të ruheshin me një kujdes të shtuar nga zjarret e mundshme, në të njëjtën kohë u dha urdhër që të mos tentonte askush që t’i hapte ata.

Pas një viti, atëherëë kur gjendja në Stamboll ishte e qetë dhe nuk kanosej ndonjë rrezik nga jashtë, ata sëndukë u dërguan me tren, prapë në Stamboll. Në fillim të shek. XIV qenë shfaqur defterët e parë të shkruar në Perandorinë Osmane. P.sh. nga defterët më të vjetër është ai i regjistrimit të tokës, i cili mban vitin 835 h. (1432 m.), ndërsa në shek. XVI shkruhen defterë nga këshilli i Divan-i Humayun, si: Myhimme, ryûs, tahvîl, Muhesebe, mukatta’, rüznamçe, dhe të ngjashme. Ndërsa nga shek. XVII gjejmë edhe defterët e Ankesave dhe defterë të fushave të tjera, numri i llojeve të të cilëve, vetëm në Arkivin e Stambollit është përafërsisht 300.000. Duhet pasur parasysh se këtu nuk janë futur defterët e shkruara nga ana e kadinjve, që gjenden nëpër krahina të njohura si kaza.

Disa nga llojet e defterëve osmanë

Me fjalën defter nënkuptojmë fletoret ose regjistrat ku shkruheshin të gjitha ngjarjet e rëndësishme ditore, javore e vjetore të Perandorisë. Defteri osman, për nga forma, i ngjante fletores së sotme. Ai kishte madhësinë e fletës A3, thyhej në mes aq sa emini a kadiu mund ta fusnin xhepin e xhybes – mantelit të tij. Ashtu siç u tha edhe më lart, llojet e defterëve janë të shumta dhe nga më të ndryshmet dhe në ta përfshihen të gjitha fushat e jetës, siç janë: defterët e marrëveshjeve me shtete të ndryshme, defterët e rrogave, lejekalimit të anijeve nëpër limane, të tatimeve, regjistrimit të popullatës, kishave dhe manastireve, doganave dhe shumë të tjera, që nuk do t’i përmendim këtu.

Defterët Tahrir Tahrîr Defter leri

Pas marrjes nën kontroll të një vendi, pushteti instalonte sistemin qeverisës aty. Puna e parë që bëhej, ishte dergimi i një zyrtari që quhej Emin, i

cili kishte për detyrë të bënte regjistrimin dhe të ardhurat e popullatës aty. Kështu veprohej në çdo sanxhak (krahinë). Per shkak të shtimit (natalitetit) të popullsisë, regjistrimi i popullatës bëhej çdo 10- 20 apo edhe 30 vjet. Është me rëndësi të theksohet se defteri më i vjetër i tahririt është ai i vitit 835 sipas kalendarit mysliman apo hixhretit (1432 sipas kalendarit gregorian), i cili i dedikohej regjistrimit të popullatës së Shqipërisë1.

Hulumtimi i këtyre defterëve na mundëson të njihemi me saktësi me toponiminë, demografinë, jetën sociale dhe të ardhurat bazë të popullatës së caktuar.

Defterët Myhimme Mühimme Defter leri

Në këta defterë ruheshin të gjitha vendimet e marra në mbledhjet a seancat e Divanit osman, ku merrte pjesë burokracia më e lartë e Perandorisë. Në arkiv gjenden më se 266 defterë të këtij lloji. Nga këta defterë mund të njihemi me gjendjen politike, ekonomike, kulturore, sociale, dhe në veçanti me mënyrën e funksionimit të administratës osmane në periudha të caktuara.

Defterët Ajnijat Ayniy ât Defter leri

Në këta defterë ruheshin të gjitha shkresat e dala nga Kryeministria (Sadriazemllëku). Defterët janë të ndarë sipas temave, e numri i tyre është më se 1717. Hulumtimi i tyre na mundëson të njihemi me politikën e brendshme dhe të jashtme kryeministrore osmane.

Defterët Temettuat Temettu ât Defter leri

Defterët Temettuat, i dedikohen tatimit vjetor që paguanin klasa e tregtarëve dhe zejtarëve. Në këta defterë regjistrohej e gjithë pasuria e qytetarëve osmanë nëpër fshatra dhe qytete, duke përfshirë arat, bagëtitë, prodhimtarinë e të tjera. Hulumtimi i defterëve të këtij lloji na mundëson të njihemi me bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik në periudha të caktuara.

Defterët e Xhizjes Ci zye Defter leri

Xhizja ishte një tatim që merrej nga çdo mashkull jomysliman. Me dhënien e këtij tatimi, komuniteti jomysliman, përveç sigurimit të jetës dhe pasurisë së tyre nga Perandoria, ata nuk detyroheshin të merrnin pjesë në luftërat e Perandorisë, për se komuniteti mysliman ishte i detyruueshëm.

Sh erijet (Regjistrat e Kadiut) Şer’iyye sicilleri

Şer’iyye sicilleri, janë regjistrat që shkruheshin nga kadiu osman, që ishte njëkohësisht edhe përfaqësues i kazasë, një detyrë sikur është sot e kryetarit të komunës. Kadiu osman drejtonte të gjitha çështjet e jurisdiksionit islam në kaza, që nënkupton se mbikëqyrte dhe merrte vendime për të gjitha mosmarrëveshjet e mundshme në mes qytetarëve; ai mbikëqyrte edhe kontratat e shitblerjes, bënte kurorëzime, ruante pasurinë e fëmijëve që mbeteshin pa prindër në moshë të re dhe, kur ata arrinin moshën e pjekurisë, ua ndante pasurinë në pjesë të barabarta, përkujdesej për çmimet e artikujve në tregje etj…

Hulumtimit të defterëve të kadiut i jep vlerë të veçantë fakti se në këta defterë janë të regjistruar edhe fermanët, buyuruldut, beratet, tezkiret, fetfatë dhe urdhra e kërkesa që vinin nga burokracia osmane e që i dedikoheshin popullit (ligjet për ndalimin e shitjes së alkoolit, duhanit etj..) dhe klasës udhëheqëse në atë kaza. Kadiu ishte i obliguar të raportonte në qendër (Stamboll) për kushtet klimatike dhe, për pasojë, nga këta regjistra mund të mësojmë se kur kishte rënë bora e parë në kazanë e caktuar, kur kishin rënë zjarre. Aty ruheshin informacione edhe për kuadrot e reja të angazhuara në kaza. Pra, për të shkruar historinë e detajuar të qytetit osman, burimi i parë që duhet marrë parasysh, pa dyshim janë regjistrat e kadiut osman. Fatkeqësisht, sherijet apo regjistrat e kadinjve të Kosovës deri më tani nuk e dimë se ku ruhen.

Defterët Tanzimat-i Hajrijje Tan zimat -i Hayriyye Defter leri

Janë defterët e ruajtur pas vitit të reformës së vitit 1839 (3 nëntor). Temat e këtyre defterëve kanë të bëjnë me reformën ekonomike në mes viteve 1840 1858 në Anadoll dhe në Ballkan (Rumeli).

Defterët Sicill-i Ahvâl Sicill-i Ahvâl Defter leri

Këta defterë janë shkruar gjatë sulltanatit të Abdulhamitit të Dytë, respektivisht në vitin 1878. Në këta defterë mund të hulumtohen biografitë e shkurtra të 92.000 punonjësve në administratën e drejtësisë dhe ekonomisë në mes viteve 1879-1909. Këtu mund të mësojmë emrin, mbiemrin, emrin e babait, sojin, ditën e fillimit të punës, shkallën e arsimimit, sukseset dhe përkatësinë fetare të punonjësit.

Gazetat

Pa dyshim, për hulumtimin e periudhave të caktuara, një burim të rëndësishëm përbën shtypi i ditës. Në perandorinë Osmane, shtypi mori hov gatë sundimit të Mahmudit II (1808-1839), kurse më 1 nëntor 1831 kishte dalë gazeta e parë zyrtare e Perandorisë që quhej Takvim-i vekayi (Kalendari

i ndodhive), e cila në vitin 1922 mori emrin Ceridei Resmiye (defter-fletore zyrtare), ndërsa në vitin 1928 emrin T. C. Resmi Gazete (Gazeta zyrtare e Republikës së Turqisë). Vetë emri i gazetës si një organ i Perandorisë dhe shtetit të ri turk, domethënë që në të mund njihemi me reformat shtetërore dhe periudhën e transicionit nga Perandoria në Shtet parlamentar. Në këtë periudhë u shfaqën edhe gazeta private. P.sh. në vitet 1840-1864 dilte gazeta Ceride-i Havadis (fletore e ngjarjeve), të cilën e botonte Uiliam Çërçill (Churchill); në vitet 1860-1866: Tercüman-ı Ahvâl (Përkthimi i ngjarjeve), botuar nga Agah Efendiu; në 1862-1870 Tasvir-i Efkâr (Përfytyrim mendimesh), botuar nga Shinasi Efendiu. Po ashtu pati edhe gazeta të botuara nga Këshilli i Osmanlinjve të rinj, si: Muhbir (1867- 1869), botuar në Londër, Ulûm (1869), Paris, Hürriyet (1868-1870), Londër , İnkılâb (1870-187l), Gjenevë, dhe gazeta İbret (1870-1873). Ndërkaq (gjatë viteve 1876- 1908), që është e njohur si periudha e Meshrutijetit të parë, dilte gazeta Sabah (1875-1922), pastaj Tercümanı Hakikat (1878-1920), botuar nga Ahmet Mithat Efendiu, İkdam Gazetesi (1894-1926), botuar nga Ahmed Cevdet Efendiu.

Salnametë

Salnamet ose Vjetarët, përmbajnë të dhënat vjetore në fusha të ndryshme, si: administratë, biografi, shkencë, ekonomi, kulturë etj.. Në terminologjinë osmane janë të njohura si “Salnâme-i Devlet-i Aliyye-i Osmaniyye”. Me kërkesën e Mustafa Reshid pashës në vitin 1874, nga Ahmet Vefik pasha dhe ndihmësit e tij (Abdullah Efendi Zade dhe Ahmed Cevdet pasha) u përgatit Salnameja e parë me këtë emërtim. Në fillim Salnameja kishte afërsisht 100 faqe, por me kalimin e kohës, ajo ndryshoi edhe për nga madhësia po dhe numri i faqeve, arrinte deri në 1000. Ishte botuar për plot 75 vjet rresht (1847-1922).

Më vonë u shfaqën salnametë e vilajeteve. Salnameja e vilajetit të Bosnjës, e botuar më 1866, ishte nga të parat të këtij lloji, kurse e fundit ishte ajo e Sanxhakut të Mustakil Bolu-s e vitit 1918. Në salnametë e vilajeteve përshkruheshin në mënyrë të detajuar administrata e vilajetit, listat e punëtorëve, emrat e vendeve, gjendja ekonomike, demografia, shkollat,

bibliotekat dhe shumë të dhëna të rëndësishme për hulumtuesin. Gjuha e salnameve ishte turqisht-arabisht, turqisht-rumanisht, turqisht-boshnjakisht, po kishte edhe vetëm në gjuhën arabe. Ndër salnametë më të pasura për nga të dhënat, është ajo e Selanikut.

Salnâme-i Askerî : ishte botuar plot 14 herë dhe përmban informacione mbi organizimin e ushtrisë, postet, përgjegjësit, listën e emrave etj..

Ndërsa në Salnamenë e vitit 1872, që quhej “Rasathâne-i Amire Salnâmesi”, mund të gjejmë të dhëna për kalendarët, detarinë, ndryshimet e motit

dhe sistemin metrik. Ilmiye Salnamesi ishte botuar më 1916 dhe aty gjejmë të dhëna për klasën e shkolluar, dijetarët islamë dhe fetfatë e tyre. Rüsûmât Salnâmesi, botuar më 1914 nga ana e përfaqësisë së doganës, na ofron të dhëna mbi historikun e doganës osmane, organizimin dhe të ardhurat vjetore të saj, punëtorët e doganës etj..

Salnâme-i Nezâret-i Maarif-i Umumiye ishte botuar në mes viteve 1898-1903, dhe në të gjejmë të dhëna për historikun e ministrisë së arsimit, ministrat, punëtorët, mësuesit, shkollat, bibliotekat etj. Salnâme-i Nezâret-i Umûr-ı Hariciyye qe botuar në mes viteve 1885-1902, dhe në të gjejmë të dhëna për historikun dhe funksionimin e ministrisë së jashtme, për ministrat e jashtëm, ambasadat dhe ambasadorët etj..

Defterët dhe dokumente të tjera të administratës osmane janë një burim shumë i rëndësishëm i shkencave shoqërore. Këto dokumente të shkruara, para së gjithash,na mundësojnë të njihemi me të kaluarën tonë historike, që është një nga temat me shumë interes për historinë dhe historianët shqiptarë.

Po ashtu, pasuria e emrave të vendeve dhe njerëzve që gjenden në këto dokumente, janë të një rëndësie të veçantë për kulturën, gjuhën, gjeografinë, etnologjinë, topografinë dhe albanologjinë shqiptare. Me një fjalë, hulumtimi i thesarit të fshehur mbrapa çdo shkronje osmane, është edhe një fakt më shumë për historinë e popullit shqiptar, i cili gjatë gjithë historisë së tij kontribuoi dhe bëri përpjekje për ta dëshmuar veten si individualitet dhe identitet i qytetëruar, por fatkeqësisht, kjo e vërtetë sikur heshtet edhe sot.

(1) Defter që është transkriptuar nga ana e Prof. Halil Inalcik-ut dhe është botuar më 1987, me titullin “Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvanid’’Aktan, Ali, Osmanli Paleografyasi ve Siyasi Yazismalari, Istanbul, 1995.

(2).Arşiv Dünyası, Nr. 11, Istanbul, 2008.

(3)Basbakanlik Osmanli Arsivi Rehberi, Istanbul, 2000.

(4)Basgil, Ali Fuad, Esas Teskilat Hukuku Dersleri, Istanbul, 1948.

(5)Çadırcı, “Musa,Tanzimat’tan Cumhuriyet’e Ülke Yönetimi”, Tanzimat’tan Cumhuriyet’e Türkiye Ansiklopedisi, İstanbul.

(6)Danişmend, İsmail Hami, İzahlı Osmanlı Tarihi Kronolojisi, IV, İstanbul, 1972.

(7)Gencer, Ali Ihsan, “ Nezaret Meclislerinin Osmanli Diplomatikasindaki Yeri ve Onemi”, Tarih Boyunca Paleografya ve Diplomatik Semineri 30 Nisan-2 Mayis 1986 Bildiriler, Istanbul, Edebiyat Fakultesi Yayini, 1988.

(8)Hasan Durman, Osmanli yilliklari (Salnameler ve Nevsaller), Istanbul, 1982

(9)Inalcik, Halil, Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, Ankara, 1987.

Dituria Islame 245

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit