Njeriu në natyrshmërinë e tij është i prirur që të jetë, të duket dhe të shfaqet, por gjithmonë e ka munduar fakti se si!
Në shumë raste, njeriu duke mos ditur si ta vendosë në jetë këtë aftësi, epoka moderne e ka shndërruar atë në produkt. Energjinë e jetës së tij ai e përjeton si një investim, me të cilin duhet të arrijë fitimin maksimal, duke u shkëputur nga vetvetja, nga miqtë dhe nga natyra e tij. Për të, pra në shumë raste, jeta nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse të lëvizë, asnjë parim veçse të shkëmbejë dhe asnjë kënaqësi veçse të konsumojë.
Në këtë realitet, jo rrallë herë, na shqetëson më shumë fakti si vishemi dhe jo si ndihemi, shqetësohemi më shumë si na shikojnë të tjerët dhe jo si ne e shikojmë veten, lind nevoja gjithmonë e më shumë që të kthehemi tek vetja.
Një shpresë e re për ndryshim
Ramazani është një mundësi unike për njeriun që t’i japë argument dhe shpresë vetes së tij që ai mundet.
Ai është një shpresë e re për atë që u përhumb në rutinën e përditshmërisë dhe harroi Zotin e tij.
Është një shpresë e re për atë që u përhumb në tejngopjen fizike dhe harroi shpirtin e tij.
Është një shpresë e re për atë që u përhumb në egon e tij dhe harroi marrëdhëniet me njerëzit si vetja.
Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të) thotë: “Agjërimi është mbrojtje nga zjarri i Xhehenemit. Secili që agjëron, le të mos sillet keq kur agjëron, e nëse dikush sillet keq ndaj tij,atëherë ky le ta mos ofendojë e as le ta mos fyejë, por le të thotë: ‘Unë jam agjërueshëm.’ Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut”. (Hadith i saktë, e transmeton Nesaiu).
Ky muaj është shpresë për ndryshim, pasi të jep mundësinë të reflektosh me qenien më të afërt dhe njëkohësisht më të panjohur për ty, me veten tënde.
Në këtë muaj jemi larg ushqimit që na ka tejngopur trupin, larg egos që na ka pushtuar mendjen. E neve tani, si mëshirë hyjnore, po na vjen një mundësi që të ndihemi vetvetja më shumë se asnjëherë tjetër.
“Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetet e tyre.” [Err-Rra’d: 11]
Nga këtu fillon ndryshimi i vërtetë
Shpesh e kërkojmë ndryshimin tek detajet, por ai është tek thelbi. E kërkojmë tek degët, por ai është tek rrënjët. E kërkojmë tek trupi, por ai është tek shpirti. E kërkojmë tek të tjerët, por ai është tek ne.
Agjërimi nuk është thjesht një adhurim apo kohë gjatë së cilës shmangim kënaqësitë njerëzore, por një rast për të ndryshuar dhe për të përjetuar rritjen shpirtërore. Ramazani është koha e përkujtimit të Zotit dhe angazhimit drejt vlerave të larta dhe fisnike që Ai ia shpalli njerëzimit. Prandaj, asgjë nuk e jep ndjesinë e përmbushjes shpirtërore më shumë sesa gjendja e devotshmërisë.
“O besimtarë!Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm”. [El-Bekare: 183]
Nëse objektivi hyjnor i agjërimit është arritja e devotshmërisë, atëherë lind pyetja se çfarë është devotshmëria?
Dijetari i madh Ibn Tejmije e përkufizon devotshmërinë si: “Aftësia e çdo individi për të gjetur forcën që pas çdo gabimi të kthehet tek Zoti Mëshirëplotë.”
Pikërisht këtu është burimi i shpresës, i vullnetit, i energjisë dhe i dëshirës, momenti kur e kupton se ndryshimi nuk vjen nga mosbërja e gabimeve, por nga mundësia për t’u përmirësuar gjithmonë.
Këtu e kupton se dështim nuk do të thotë të biesh, por të qëndrosh aty ku ke rënë. Se dështim nuk do të thotë të gabosh, por të mos gjesh forcën për të kërkuar falje.
Cili më mirë se agjërimi, ky edukues hyjnor na mëson se si të ringrihemi plot shpresë dhe dëshirë për të rifilluar edhe një herë. Na jep shpresë për të hapur portat e shpirtit që të lejojmë dritën hyjnore t’i japë atij shpirti frymëmarrje, për të çliruar veten nga egoja dhe për të gjetur forcën që të falim e të kërkojmë falje.
Jeta e njeriut është rruga për tek Zoti. Një rrugë me fillim të ditur e me fund të panjohur, ku ekziston gjithmonë mundësia për të devijuar. Çdo rrugëtim ka nevojë për furnizim, e furnizimi i këtij rrugëtimi quhet “devotshmëri”.
Zoti më së miri e ka vlerësuar këtë përpjekje për ndryshim, sa edhe shpërblimin e saj e solli në formën më të bukur.
“Çdo punë që bën njeriu e bën për veten e tij, përveç agjërimit. Atë e bën për Mua dhe vetë Unë do t’ia shpërblej” (Hadith kudsij).
Punoi: Vladimir kera