Në Bankën Qendrore kanë treguar se shuma e parave të kursyera nga qytetarët e Kosovës është 4.6 miliardë euro. Kurse, vlera e kredive që kanë marrë është 3.6 miliardë euro.
Qytetarët e Kosovës pavarësisht të prekur nga pandemia Covid-19, dhe ngritja e çmimeve në çdo sektorë, nuk kanë hezituar të marrin kredi, por edhe të kursejnë para.
Vlera e kursimeve të tyre, vetëm deri në muajin tetor ka arritur mbi 4 miliardë euro.
“Në Bankën Qendrore të Kosovës shuma e depozitave është 4.6 miliardë euro, prej tyre të ekonomive familjare janë 3.2 miliardë euro, të korporatave jo financiare janë 872.7 milionë euro, vlera e depozitave në valutën jo euro ishte 219.4 milionë euro”, kanë treguar në BQK.
Kurse, sipas BQK deri në tetor të këtij viti vlera totale e kredive ka arritur deri mbi 3 miliardë euro.
“Vlera totale e kredive deri në tetor të këtij viti ishte 3.6 miliardë euro, nga kjo shumë 1.3 miliard u takon ekonomive familjare dhe 2.2 miliard euro korporatave jo financiarë”.
Kjo shumë e madhe e mjeteve të kursyera në raport me kreditë nga eksperti i çështjeve financiare, Milazim Abazi shpjegohet në mënyra të ndryshme.
Abazi tha se nga janari i këtij viti depozitat janë rritur dyfish më ngadalë se sa rritja e kredive.
“Në Kosovë nga janari e deri në fund të tetorit depozitat në sistemin bankar janë rritur dyfish më ngadalë se sa rritja e kredive, derisa depozitat janë rritur 6,22% ndërsa kreditë 13,57%”.
Abazi ka treguar se bankat do të duhej të rrisnin interesin në depozita në mënyrë që qytetarët të arrijnë të kursejnë edhe më shumë.
“Kosova vazhdon të mbetët vendi me depozitat më të ulëta për kokë banori në regjion. E për të nxitur një kursim më të madh në banka, bankat duhet të ofrojnë një interes më të lartë se sa deri tash, ndërsa agjencioni për garantimin e depozitave të rris nivelin e garantimit së paku në 10.000 euro për person”.
Sipas Abazit, përveç pandemisë në rritjen e kredive kanë ndikuar edhe rritja ekonomike pas një periudhe rënie.
Pavarësisht pandemisë, bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar fitim prej 79.9 milionë eurosh. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, fitimi i tyre është më i vogël me 6.3 milionë euro.
Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës mbi sistemin financiar, shihet se të hyrat e bankave kanë qenë 279.3 milionë euro, ku 212.2 milionë euro ishin të hyra nga interesi, kurse në muajin dhjetor të 2019-së është raportuar se këto të ardhura ishin 263.2 milionë euro. Për sa u përket shpenzimeve të bankave, në raport thuhet se 97.3 milionë euro kanë qenë shpenzime administrative, kurse 22.7 milionë euro shpenzime të interesit.
Sektori bankar në Republikën e Kosovës përbëhet nga gjithsej 11 banka, prej të cilave gjashtë janë filiala të grupeve bankare ndërkombëtare, tri janë degë të bankave të huaja dhe dy banka vendore.