Paralajmërimi i presidentit të ri serb, Tomislav Nikolic, se gjatë kësaj jave do ta vizitojë veriun e Kosovës dhe të takohet me drejtuesit e komunave serbe (strukturat ilegale), do të jetë sfidë serioze për Qeverinë e Kosovës.
Gjatë një prononcimi për agjencinë serbe të lajmeve, B92, presidenti Nikolic ka thënë se “shtetasit (e Serbisë që jetojnë në Kosovë) duhet ta dinë se çfarë i pret ata dhe pas çfarë vendimesh qëndron shteti i tyre”, gjë të cilën, sipas tij, do ta kuptojnë serbët e Kosovës gjatë takimit me të.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë shkurt nëpërmjet telefonit se në raport me vizitën e Nikolicit, Prishtina zyrtare do të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi, shkruan “Zëri”.
“Ne çdo trajtim do ta bëjmë sipas ligjeve, Kushtetutës dhe interesave nacionale”, ka thënë ai, pa u përgjigjur në pyetjen nëse kjo nënkupton që Qeveria e Kosovës do ta lejojë ose ndalojë një vizitë të mundshme.
Por, analistët politikë vlerësojnë se ekzekutivi kosovar nuk do të ketë fuqi që ta ndalojë ardhjen e presidentit serb, pavarësisht se ky veprim i të parit të Serbisë nënkupton shkelje të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit të vendit.
Ata ironizojnë institucionet e vendit karshi “shkeljes së shtetit” nga Beogradi zyrtar, duke theksuar se nëse qeveria e Hashim Thaçit nuk do ta ndalë një vizitë të tillë, atëherë gjëja më e mirë në raport me vizitën do të ishte që të mos deklarohen fare. /Telegrafi/kohaislame