Affendi, kryetar i Institutit të Studimeve Master pranë Universitetit të Dohas, vlerësoi për Anadolu qëndrimin e profesorëve pro-izraelitë që merren me studime mbi gjenocidin.
Affendi deklaroi se Izraeli po përpiqet të konfirmojë imunitetin e tij ndaj akuzave për gjenocid në botën akademike nëpërmjet Holokaustit.
“Trajtimi i Holokaustit si një paradigmë e gjenocidit dhe një ngjarje unike dhe e papërsëritshme e ka komplikuar fushën akademike (në studimet e gjenocidit), pasi një paradigmë nuk mund të jetë unike. Në të njëjtën kohë, duke pronësuar Holokaustin, Izraeli ka konfirmuar imunitetin nga akuzat për gjenocid, ka penguar që prizmi i gjenocidit të përdoret në rastin e Palestinës, ose që Nakba (Katastrofa e Madhe) të përkufizohet, siç thonë disa shkrimtarë, si një gjenocid që ndodh ngadalë”, shprehet Affendi.
Duke thënë se nuk është e vështirë për akademikët të ruajnë objektivitetin për çështje serioze si çështja Izrael-Palestine dhe se marrja e një “ane” është pjesë e pashmangshme e studimeve të gjenocidit, Affendi nënvizoi se është e pamendueshme që ata që punojnë në këtë fushë të bëjnë hulumtim që “mbështet gjenocidin ose inkurajon mohimin”.
Affendi thekson se ata studiues të gjenocidit qëllimi kryesor i të cilëve është të mohojnë atë që po ndodh, kanë humbur kredibilitetin dhe statusin e tyre si studiues.
“Mizoritë dhe krimet e luftës janë çështje mjaft serioze. Mbështetja e tyre nëpërmjet mendimit dhe medias është krim, madje edhe votimi pro vazhdimit të tyre në Kombet e Bashkuara është krim edhe më i rëndë. Në të njëjtën kohë, mohimi apo inkurajimi i gjenocidit janë krime të rënda. Sidomos pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se ka mundësi të madhe që këto gjëra të kenë ndodhur”, shtoi ai.
“Akademia ka humbur pretendimin e saj të të qenit një autoritet (i paanshëm) shkencor”
Affendi më tej thotë se ka disa studiues që pranojnë pjesërisht ekzistencën e veprimeve gjenocidale të Izraelit në Gaza, por vazhdojnë të mbrojnë Izraelin. Ai thotë se vendimi i GJND-së e eliminon këtë justifikim dhe i jep njëfarë kuptimi “Studimeve të Holokaustit dhe Gjenocidit”.
Affendi kujtoi se shumë studiues dhe qendra kërkimore lëshuan deklarata për shtyp duke dënuar sulmin e Hamasit të 7 tetorit si gjenocid, pavarësisht numrit relativisht të vogël të vdekjeve dhe çekuilibrit të dukshëm të fuqisë në favor të Izraelit.
“(Të njëjtët individë dhe organizata) Qëndruan të heshtur për sulmin masiv dhe shumë më shkatërrues të Izraelit ndaj civilëve. Kështu, komuniteti akademik humbi pretendimin e tij për autoritetin shkencor dhe dominimin në mosmarrëveshje të tilla, përtej të qenit pjesë e makinës propagandistike të njërës palë apo tjetrës. Pika kryesore e debatit u bë konfirmimi ose mohimi i akteve gjenocidale të Izraelit në Gaza. Të dyja palët bien dakord se sulmet pa dallim ndaj civilëve, shkatërrimi i infrastrukturës, objekteve mjekësore, mjeteve të jetesës dhe mohimi i ndihmës janë të paktën krime lufte ose krime kundër njerëzimit. Shumë konsiderojnë se këto hyjnë në kuadrin e Konventës së Gjenocidit. Megjithatë, akademikët dhe propagandistët proizraelitë thonë se këto janë thjesht dëme kolaterale në një luftë të drejtë dhe për këtë arsye nuk mund të konsiderohen gjenocid”, deklaron Doktor Abdelwahab el-Affendi.
“Nëse një seri veprimesh i afrohen aq shumë gjenocidit sa që ka një debat nëse ato janë gjenocid, atëherë janë aq të këqija sa të dënohen pa fjalët ‘nëse’ apo ‘por’. Kjo është edhe më keq nëse qëllimi është të përjetësohet një sistem i padrejtë”, rikujton të ketë shkruar Affendi në një artikull për Revistën e Hulumtimeve mbi Gjenocidin (JGR), duke përmbyllur fjalët e tij si në vijim:
“Unë mendoj se studimet mbi gjenocidin humbasin çdo qëllim dhe kuptim kur të ashtuquajturat demokraci të mëdha jo vetëm që bashkëpunojnë dhe mohojnë mizoritë, por gjithashtu marrin pjesë në vrasje dhe kaos. Besoj që forumi ‘Izraeli-Palestina: Krimet mizore dhe kriza e holokaustit dhe studimet mbi gjenocidin’, që ka filluar të organizohet nga JGR që nga muaji i kaluar, është një fillim i mbarë për të rikthyer logjikën e shëndoshë dhe autoritetin në fushën akademike dhe për t’u çliruar nga labirinti i propagandës dhe tifozllëkut. Ky trend duhet të vazhdojë”.
AA