Më 11.03.2023 Qendra Islame Shqiptare në Renens me një program të begatshëm përkujtoi historinë e themelimit dhe rrugëtimit të saj brenda tre dekadave. Delegacioni i Bfi-së të RMV-së i përbërë nga Dr. Selver Xhemaili drejtor i sektorit për diasporë dhe Musanif Rufati drejtor i sektorit për shkencë dhe kulturë morrën pjesë në këtë eveniment që shënonte 30 vjetorin e themelimit të xhamisë.
Në këtë manifestim morën pjesë edhe autoritete të larta të shtetit Zviceran si; kryetari i komunës së Renens z. Jean-François Clement dhe këshilltar kantonal. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe kryetari i KMSHZ-së hfz. Mehas Alija si dhe drejtori i sektorit për diasporë i BIK Mr. Ekrem Simnica.
Dr. Selver Xhemaili në paraqitjen e tij përcolli mesazhe urimi në emër të Bfi-së dhe në emër të Reisul Ulemasë. Ai mes tjerash theksoi:
“Kam nderin që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjegjësisht në emër të kryetarit të saj, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në emër të gjithë besimtarëve mysliman të RMV-së si dhe në emrin tim personal t’iu përshëndes me përshëndetjen e islame Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu/ Gjithnjë paqja dhe begatitë e Allahut Madhëriplotë qofshin me ju.
Me kënaqësi të veçantë pranuam ftesën që të marrim pjesë në manifestimin kulturor e fetar kushtuar 30 vjetorit të themelimit të “QENDRËS ISLAME SHQIPTARE” këtu në RENENS, me qëllim që të ndajmë bashkërisht me ju gëzimin që ndërlidhet me një histori të sukseseve të mëdha që tri dekada me radhë. Ne tani në këto momente, bashkërisht po përjetojmë çaste të bukura e të lumtura jo vetëm për xhematin e mrekullueshëm të kësaj Faltore, por edhe me gjerë për të gjithë besimtarët mysliman të Zvicrës si dhe për ne si BFI e RMV-së. Janë momente të këndshme ku përkujtojmë një histori të aktiviteteve dhe sukseseve multidimensionale. Ky eveniment neve na përkujton dhe freskon vetëdijen tonë se besimtarët tanë mysliman janë të vetëdijshëm që jeta fetare mund të organizohet dhe zhvillohet në mënyrën më të denjë e më të mrekullueshme vetëm në mënyrë institucionale ashtu siç veproi edhe I Dërguari Allahut Pejgamberi ynë i dashur posa arriti në Medinen e ndritur.
Vëllezër të dashur, dhëntë Zoti që “QENDRA ISLAME SHQIPTARE” këtu në RENENS si dhe të gjitha xhamitë tjera ku do që janë, të vazhdojnë t’i kultivojnë vlerat dhe urtësitë islame në mënyrën më të denjë më të kulturuar duke mbjellë paqe, mirëkuptim dhe tolerancë në mesin e besimtarëve mysliman si dhe në mesin e njerëzve në përgjithësi.
Gjithnjë qofshi në shërbim të paqes, mirësisë dhe respektit ndaj krijesave për hir të Krijuesit. Zoti i bekoftë xhamitë dhe xhematet tona.”