22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Pyetje – Në Kuran ka shumë fjalë që janë nga gjuha aramaike, hebraike, siriane, greke etj?

Më të lexuarat

Pyetja:

Allahu në Kuran thotë se (Kurani) është i shkruar në gjuhën e pastër arabe po në Kuran ka shumë fjalë që janë nga gjuha aramaike, hebraike, siriane, greke etj.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Problematika për të cilën pyesni ju shtjellohet në lëmin e Usuli Fikhut dhe në atë të shkencave të Kuranit (Ulumul Kuran). Ulematë tanë të nderuar kanë sqarime në lidhje me këtë çështje dhe ne do t`u përcjellim qëndrimet e tyre.
Pikësëpari ka konsensus te dijetarët islamë se në Kuran nuk ka togfjalësh dhe shprehje të përbëra nga fjalë të huaja dhe që kjo thurje të japë një kuptim të caktuar.
Gjithashtu ata kanë konsensus se në Kuran ka emra të përveçëm të huaj, sikurse: Nuh, Israil, Xhibril, Lut, etj.
Ndërsa mospajtimi është evident në fjalë të veçanta të huaja se a ka në Kuran apo jo.

Mendimi i parë:
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se në gjuhën arabe nuk ka fjalë të huaja dhe nga ata që e kanë mbrojtur këtë qëndrim janë Imam Shafiu dhe Taberiu, pastaj Ebu Ubejde, Ibën Farisi, shumica e gjuhëtarëve dhe Zerkeshiu në librin “El Burhan Fi Ulumumil Kuran”.
Ndër argumentet të cilat i përmendin këta dijetarë zgjedhim këto ajete:

– “E edhe ai (Kurani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). (E solli) Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (Pejgamber). (Të shpallëm) Me gjuhë të qartë arabe.” (Shuara, 192-195)
– “Dhe ashtu, Ne e shpallën atë (Kuranin) kushtetutë në arabishte.” (Err-Rrad, 37)
– “Prandaj, Ne të shpallëm ty Kuranin arabisht.” (Shura, 7)
– “Sikur Ne ta bënim Kuranin në gjuhë të huaj, ata do të thoshin: “Përse nuk janë ajetet e tij të kuptueshme (të shkoqitura), a është ai (Kurani) në gjuhë të huaj, kurse ai (Pejgamberi) është arab?” (Fussilet, 44)

Mendimi i dytë:
Në mendimin se në Kuran ka fjalë të huaja kanë anuar një grup dijetarësh. Ndër ta ishte mufesiri Ibën Atije, disa fukaha dhe këtë e përzgjedh mufesiri Xhelaludin Sujuti në librin “El Itkan FI Ulumil Kuran”.
Ndër argumentet e tyre ishte ajo se në fakt ekzistojnë disa fjalë në Kuran që nuk janë të arabishtes, sikurse: “Istebrek”, “Ebarik”, “Sundus”, etj. Pastaj ata kanë thënë se Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) ishte i dërguar për tërë njerëzimin dhe për tërë popujt, prandaj nuk ka diçka të keqe që në Kuran të gjenden fjalë edhe të gjuhëve të tjera, madje kjo e vërteton mrekullinë e këtij libri të shenjtë.

Mendimi tretë:
Disa nga dijetarët të cilët kanë folur për këtë problematikë janë munduar të përafrojnë këto dy qëndrime dhe kanë thënë se fjalët e huaja që janë përmendur në Kuran janë fjalë të përdorshme edhe në gjuhën arabe, edhe pse mund të kenë esencën nga ndonjë gjuhë tjetër.

Mendimi i fundit është shumë i arsyeshëm, pasi gjuha me të cilën Allahu i Lartësuar ia komunikoi shpalljen Muhamedit salallahu alejhi ue selem ishte një gjuhë e kuptueshme për arabët dhe në të nuk kishte fjalë të panjohura për ta. Kështu që edhe nëse thuhet se në Kuran ekzistojnë fjalë që në esencë nuk rrjedhin prej arabishtes, ato fjalë dhe shprehje që u huazuan nga popujt me të cilët arabët përziheshin për qëllime tregtie e gjëra të tjera, ato fjalë u gjendën tek arabët shumë kohë para ardhjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Me fjalë të tjera, ato shprehje ishin përdorur tek arabët shumë herët dhe ishin të arabizuara kur u përmendën në Kuran dhe të gjithë ua dinin kuptimin. Prandaj nuk ka kundërshtim në mes kësaj dhe fjalës së Allahu të Lartësuar: “Me gjuhë të qartë arabe.” (Shuara,195) dhe ajetet të cilat përmenden si argumente të mendimit të parë, pasi që të gjitha ajetet që zbritën, ishin të qarta dhe të kuptueshme për arabët të cilëve u zbriti shpallja. Me fjalë të tjera, nuk kishte ndonjë fjalë që ishte e panjohur apo e papërdorur tek arabët dhe që është përmendur në Kuran1.

Në fund, të kësaj dëshirojmë të sqarojmë edhe atë se çështja se a ka në Kuran fjalë të huaja apo jo ishte dhe mbetet njëra nga problematikat me të preferuara për orientalistët për faktin se ata përmes pohimit se në Kuran ka fjalë të huaja tentojnë të fusin dyshimin kinse Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, gjatë shkrimit të Kuranit (pasi orientalistët jobesimtarë pretendojnë se ai është përpiluesi i Kuranit) ka huazuar mësime nga besimet fetare që ishin të njohura te popujt e atëhershëm, sikurse persianët, hebrenjtë, etj.

Alaudin Abazi
12.9.2008
1 Më gjerësisht: “Tefsirul Kurtubi”, vëll.1, f.68; “Rvdetun Nadir”, vëll.1, f.274-276.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit