1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Punëtor apo përdorues i rrjeteve sociale?

Më të lexuarat

Është një rutinë e zakonshme që pasi bie alarmi në telefon, me shpejtësi të kontrollojmë se çfarë kemi të re nga rrjetet sociale, komentoi apo na pëlqeu dikush. Akoma pa hapur mirë sytë, hapim rrjetet sociale. Të gjithë studiuesit kur flasin për njerëzit që rrinë në rrjetet sociale, thonë “përdoruesit”. Kësaj fjale mendoj se i ka kaluar koha, pasi ne sot jemi punëtor të rrjeteve sociale, ngase ato varen nga puna jonë.
Çfarë informacione japim, çfarë pëlqejmë, çfarë postojmë, çfarë komentojmë, sa herë futemi, sa rrimë online, sa e përdorim për komunikim, të gjitha këto pyetje kur të marrin përgjigjen tregojnë se ne jemi punëtor të rrjeteve sociale e shumë pak jemi përdorues të tyre.
Por rrjetet sociale janë sikur shefat më të këqij kapitalist, nëse nuk je aktiv shumë me postime, pëlqime, komente, shpërndarje, atëherë të ulë reachin (shfaqjen tek të tjerët) si formë për të ndëshkuar. Ti merr mësimin e vazhdon punën si një punëtor i zellshëm, por vjen një moment që lodhesh, atëherë prapë vjen dënimi. Ti je punëtor i cili duhet të punosh si një robot që duhet vetëm të prodhosh, të jesh aktiv në rrjet përndryshe ke dy dënime, një nga shefi i rrjetit, dy nga njerëzit tjetër që janë punëtor e që do të thonë: “Ku ke humb, pse nuk poston?”
Gjithë ai personalitet i ndërtuar online , vlerësohet nga ajo që poston, pëlqen, shpërndan apo komenton, dhe të gjitha këto janë në dorë të serverëve dhe kodeve të tyre që të kategorizojnë sipas punës tënde. Në momentin që ti nuk i shkon përshtat rregullave dhe politikave të rrjetit, të nxjerrin jashtë dhe aspak nuk të japin llogari, ngase ti për shefin je i parëndësishëm, një punëtor si gjithë të tjerët, një numër më shumë, madje ka edhe më të mirë se ti.
Mendoj se humbja e qëllimit të rrjeteve, në momentin që janë kthyer në përbindësha të mëdhenj të marketingut dhe robërimit shoqëror, duhet të na bëjë të reflektojmë pozicionin tonë se çfarë po fitojmë dhe çfarë po humbim nga këto. Kontrollimi i kohës se sa i shpenzojmë në rrjete është më i lehtë sot, shiko dhe çuditu me vetën! Sipas një studimi, për aq kohë sa kalon njeriu në rrjete sociale brenda vitit, ai mund të lexojë 210 libra. Nëse jeni para kësaj dileme se çfarë të bëj po mbylla rrjetet sociale, leximi është një opsion i mirë.

Nexhmedin Kalisi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit