3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Pse rumunëve u erdhi në majë të hundës?

Më të lexuarat

Këto ditë, në mediat sociale shqiptare mund të shohësh shumë meme ku krahasohen protestat masive në Rumani me mënyrën se si reagojnë shqiptarët ndaj pushtetit, duke mbushur kafenetë. Shembulli rumun u përdor edhe nga kryetari i PD, Lulzim Basha, kur foli për protestën e paralajmëruar të 18 shkurtit në Tiranë. BIRN shkruan se megjithatë, disa kanë dyshime nëse opozita shqiptare mund të ngjallë shpirtin e protestës si në Rumani. Por çfarë po ndodh në Rumani dhe përse u ka ardhur atyre në majë të hundës? Më poshtë një reportazh nga Spiegel

Më 21 dhjetor të vitit 1989, një ditë përpara rrëzimit, diktatori Nikolae Çaushesku thirri një tubim të madh popullor në Bukuresht.

Ai donte të shpallte përpara dhjetëra- mijëra njerëzve lajmin për rritjen e pagave, duke tentuar të ulë revoltën ndaj tij.

Por kur turma nisi ta fishkëllejë, fytyra e tij ngriu. Miliona njerëz panë në televizor se si mbeti i tronditur diktatori. Ky ishte një sinjal për revoltë.

Pamjet e fytyrës së Çausheskut qarkullojnë këto ditë në rrjetet sociale, shoqëruar me pamjet e pushtetarëve aktualë. Edhe këta i kanë rritur pagat e pensionet në fillim të vitit, por sërish janë të befasuar nga protestat masive kundër qeverisë.

Qindra- mijëra njerëz kanë dalë në rrugë duke protestuar kundër qeverisë dhe planit të saj për legjislacionin anti-korrupsion.

Një dekret i ri përcakton se shpërdorimi i detyrës dhe korrupsioni me një vepër penale me dëm prej 45 mijë eurosh nuk është i dënueshëm. Analistët thonë se ky është një legalizim i vjedhjes nga zyrtarët dhe politikanët.

Në fundjavë, kabineti e tërhoqi ligjin.

Por të dielën në shesh nuk dolën më pak njerëz, por shumë më tepër.

Mendohet se 500 mijë njerëz dolën në protesta kundër qeverisë. Shumë prej tyre mendojnë se sërish pushtetarët duan të lënë një deriçkë të hapur për ta. Prandaj kërkojnë zgjedhje të reja dhe dorëheqjen e qeverisë.

Këto janë demonstratat më të mëdha që prej fundit të diktaturës. Drejtuesi aktual i Rumanisë, Liviu Dragnea, shef i Partisë Socialdemokratike, mendon se ka një konspiracion. Ai tha të dielën se nuk është e mundur që të tilla protesta masive të jenë spontane. Institucionet shtetërore duhet të sqarojnë se kush qëndron pas tyre.

Por duket se në realitet, autoritetet e kanë nënvlerësuar zemërimin publik ndaj politikanëve të korruptuar.

Nga njëra anë, autoritetet rumune, duke përfshirë edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, kanë dërguar në burg qindra zyrtarë të lartë dhe kanë konfiskuar shumë pasuri.

Por nga ana tjetër ka pasur gjithmonë përpjekje për të dobësuar legjislacionin anti-korrupsion dhe diskredituar autoritetet e anti-korrupsionit. Për shembull, disa media në Rumani nisën një fushatë ndaj shefes së Agjencisë Kundër Korrupsionit, Laura Kodruta Koveshi, duke e akuzuar për plagjiaturë të doktoraturës dhe për hetime arbitrare.

Autori i fushatës ishte një mogul mediatik, i shpallur në kërkim për pastrim parash dhe shantazh.

Njëkohësisht në dritë po dalin gjithmonë e më shumë raste korrupsioni.

Për shembull, shefi i socialdemokratëve, Liviu Dragnea.

Për vite me radhë ai ka qenë një ‘baron lokal’ i Rumanisë. Inxhinieri ka qenë perfekt në një qark jugor, ku ka në pronësi shumë toka dhe pasuri imobiliare.

Disa herë është akuzuar për privatizime të dyshimta, mashtrime me tenderat publikë dhe falsifikim.

Prillin e shkuar u dënua me dy vite burg të pezulluar për mashtrim zgjedhor.

Aktualisht po hetohet për shpërdorim detyre.

Rasti i tij është tipik për elitën politike të Rumanisë.

Partia e tij vlen si simbol i korrupsionit politik. Ish-shefi i qeverisë, Adrian Nastase është në burg për korrupsion, Victor Ponta doli në gjyq për korrupsion gjatë detyrës si kryeministër.

Raste të ngjashme gjen në të gjitha partitë e tjera.

Në kontrast me elitën politike, realitet social në vend është i hidhur. Bashkë me Bullgarinë, Rumania është një nga vendet më të varfra të BE.

Më shumë se tre milionë rumunë, rreth një e treta e fuqisë punëtore në vend, punojnë jashtë vendit pasi nuk mbajnë dot familjen.

Në mbarë vendin jetojnë kryesisht të moshuar dhe fëmijë.

Emigrimi i trurit ka bërë që në shkolla e universitete të mungojë forca e punës.

Eksodi është kaq dramatik, sa në vend ka nisur një lëvizje e të rinjve, që duan të jetojnë në vendin e tyre.

“Ne do qëndrojmë këtu, zhdukuni ju”, lexohej në pankartat e protestës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit