4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pse falem?!

Më të lexuarat

Pse falem?!

Miku im i dashur, es-selamu alejkum. Kam dëgjuar disa fjalë të cilat dëshiroj të t’i shkruaj në këtë letër, me shpresë se do të kenë efektin që kanë pasur në mua.

Shumica e njerëzve sot sillen me neglizhencë ndaj namazit dhe e lënë pas dore, për disa bile është një barë e rëndë. Nëse i përkujton për namazin, ata të përmendin lloj-lloj arsyesh. Disa arsyetohen se janë të zënë me punë shumë të rëndësishme, disa arsyetohen duke thënë se i kanë rrobat e papastra, andaj edhe nuk munden të falen, e kur të kthehet në shtëpi do ti ndërron rrobat dhe do të falet, edhe pse në këtë gjë është gënjeshtar. Tjetri pranon se është i dobët në këtë drejtim dhe e përsëritë fjalën: All-llahu na udhëzoftë. Kurse një grup tjetër, janë të pamoralshëm, krenohen me mëkate, dhuntitë e All-llahut i përballojnë me përbuzje, e nënçmojnë namazin dhe namazlitë, edhe pas kësaj pretendojnë se janë musliman. Vallë, çka kanë këta njerëz që kur përmendet All-llahu u ngushtohet zemra, e kurse kur thërriten në mëkate ata thonë: dëgjuam dhe respektuam.

فَمَا لَهُمْ عَنْ التَّذْكِرَةِ مُعْرِضِينَ(49)كَأَنَّهُمْ حُمُرٌ مُسْتَنْفِرَةٌ(50)فَرَّتْ مِنْ قَسْوَرَةٍ(51)

“Po çka kishin ata që largohesin prej këshillës (Kur’anit)? Ata ishin si gomarë të trembur (të egër). Që ikin prej luanit (ose prej gjahtarit)”. (El-Mudethir: 49-51).

Eja vëllau im, të analizojmë qëndrimet e tyre dhe të shohim shkaqet për të cilat ata e lënë namazin. Vallë namazi është gjobë të cilën duhet paguar, ashtu siç paguhen disa gjoba dhe taksa të padrejta? Ose vallë namazi është vetëm për të humbur kohën, kurse njeriu s’ka kohë tepër që ta harxhon në gjëra të padobishme? Ose namazi është princip i detyrueshëm, ashtu siç janë edhe principet e ndonjë shteti diktatorial? Vallë namazi ia përkufizon liritë njeriut dhe e pengon nga realizimi i tyre? Vallë namazi është një gjë lejuar, e kush do e fal e nuk shpërblehet dhe kush nuk do nuk e falë e nuk denohet? Vallë, All-llahu ka nevojë për namazin tonë? C’farë dobi fiton njeriu nga namazi? Cila është humbja që e përfiton nëse e lë namazin? Pse…? Si…? Etj.

Shumë pyetje sillen në mendjen e njeriut, e inspiron shejtani edhe epshi i tij, e nëse nuk mundet të gjejë përgjigje, dobësohet dhe nënçmohet, vepron negativisht dhe devijon, i zbukurohen punët e këqija, kurse mendimi i keq i bëhet më i qëlluari dhe kapet për te. E ndihmon me polemika sterile, me shpresa boshe, gjersa të hedhet shtatëdhjet vjet në zjar të xhehenemit pa hetuar. E nëse di të përgjigjet mirë, i asgjëson dilemat, e arbitëron mendjen dhe logjikën dhe sjellë argumente me të cilat e mposhtë dhe e dobëson epshin e tij.

Le të fillojmë tani t’i japim përgjigje këtyre pyetjeve një nga një. Do të mundohemi t’i japim aso përgjigje që nuk lënë vend për dyshimin e ndonjë njeriu, e nëse edhe pas kësaj ia kthejnë shpindën namazit, atëherë ata janë zullumqarë.

Një: Shoku im. Namazi nuk është gjobë e cila duhet paguar, e as taksë në para e cila duhet dhënë, por është emanet, pronari i së cilës pesë herë në ditë shikon se si do të sillesh ndaj këtij emaneti, a do ta ruash ose do ta hedhish nëpërkëmbë, a do të jeshë i sinqertë dhe besnik ose do ta neglizhoshë.

Po, nuk është gjobë e as taksë, por është konfirmim i të vërtetës dhe falënderim ndaj dhuntive, argument për pastërtinë e shpirtit, shprehje e dashurisë dhe nderimit që e ke ndaj All-llahut [subhanehu ve teala]. A nuk sheh se të gjithë njerëzit madhërojnë ndokend në shpirtin e tyre, i madhërojnë ata që i mendojnë se janë më me vlerë dhe më të dobishëm, u kthehen atyreve në vështirësi dhe gjëra të komplikuara, kërkojnë bereqetin e tyre në raste të ndryshme dhe marin simbole të cilat i përkujtojnë çdo herë që i harojnë.

A nuk i sheh të krishterët të cilët e konsiderojnë për zot Isaun [alejhis-selam], kurse kryqin e kanë simbol, të cilin e vëndojnë mbi kishat e tyre dhe e vjerin në qafë, për ta përkujtuar çastin dramatik, sipas tyre! C’kanë çifutët të cilët e adhurojnë Uzejrin, i adhurojnë varet e ndryshme, dhezin qiri dhe u luten. Ata ma fetar nga radhët e tyre e vëndonjë një kapelë në majë të kokës, si shenjë e tyre! Kurse nga dita që kanë ardhur në Palestinë, yllin gjashtë rema e konsiderojnë simbol të tyre. C’kanë mexhusët që adhurojnë zjarin, e hindusët që adhurojnë lopën, e ata batonij të cilët adhurojnë djallin?!

Të gjithë këta njerëz adhurojnë zotra përveç All-llahut, i shenjtërojnë dhe u falen dhe u afrohen, edhe pse janë të kota sikurse mendimet e tyre shterpe, nuk u sjellin dobi e as dëm. Mirëpo prap se prap, nuk ua mohon faljet e tyre, kurse e mohon faljen time, edhe pse është e vërtetë, ka pozitë dhe dobi!

Ata, çfarë dobi fitojnë nga ata falje të ndryshme, çka mund tu ndihmojnë zotërat e tyre, a u përgjigjen lutjeve të tyre, a e kuptojnë gjuhën e tyre, a e dinë se çka u bënë dobi e çka u bënë dëm, a i furnizojnë, a i ngjallin, a i shërojnë, a e largojnë prej tyre të keqen, a e sjellin shiun, a i ngjallin bimët, etj?!

Ata asgjë nga kjo nuk mund të bëjnë, mirëpo prap se prap i adhurojnë, në thellësi të shpirtërave të tyre i konsiderojnë të shenjtë dhe të vlefshëm, edhe këtë konfirmim e tregojnë nëpërmjet faljeve të tyre.

Shoku im, nëse një njeri ta jep një pjesë të ëmbëlsisë, ose të ndihmon gjatë bartjes së valigjeve, ose të udhëzon në rrugë, ose e shtynë me ty veturën tënde që të ka mbetur në rrugë, ose ta afron diç që të ka rënë, a nuk i thua këtij njeriu: të falëmenderit, a nuk e nderon dhe vlerëson veprën e tij dhe shpreson tia ktheshë këtë të mirë ma mirë se sa të ka bërë ai?! Po, edhe unë si ti jam njeri, i cili nuk e harojë të mirën, e konfirmojë bamirësinë, ia dijë për nderë atij që më ka bërë mirë, falënderohem për dhuratë. Aq sa ma shumë më bënë mirë, aq ma tepër i falënderohem. Vallë a ka dhurues të të mirave dhe bamirës më të madh sesa All-llahu, i cili ma ka dhuruar mendjen dhe shqisat, më ka dhënë rizk të mirë, më ka dhënë shëndet dhe fuqi, më ka udhëzuar në fe të vërtetë, më ka dhënë familje dhe evlad, më ka lindur në vend të mirë mes shokëve të mirë dhe fqinjëve të ndershëm?!

Jo, nuk ka në gjithësi qenie që më ka bërë mirë më shumë se All-llahu, vallë a nuk duhet ta falënderoj për këto dhunti, pasiqë e falënderoj njeriun i cili më ka bërë të mira ma të vogla se kjo?! Besoj se edhe ti je me mua në këtë falënderim ndaj All-llahut dhe se më përkrahë në këtë drejtim, bile ndoshta edhe më detyron nëse sheh tek unë dobësi dhe mangësi në këtë drejtim, pasiqë nuk ke dëshirë të jem njeri që i përbuzi të mirat dhe i mohoj ato.

Falënderimi vjen mvarësisht nga vlera e dhuratës dhe pozita e dhuruesit. Falënderimi im ndaj atij që ma jep një copë ëmbëlsirë nuk është sikur falënderimi im ndaj atij që më jep një kuti me ëmbëlsira! Nuk është njejtë kur të kërkojë lapsin që më ka rënë nga një fëmijë dhe nga një i vjetër! Forma e falënderimit të cilën e Do All-llahu prej meje është të vëndojë ballin tim në tokë, në shenjë të pranimit të Zotërisë së Tij, në shenjë të shenjtërimit të hyjnitetit të Tij dhe në shenjë të pranimit të mirësisë së Tij.

Njerëzit përkulen para idhujve të ndryshëm edhe pse ata në realitet asnjë të mirë nuk ua kanë bërë, bile i devijojnë nga e vërteta dhe udhëzimi. Shumë njerëz e ulin kokën para kryetarëve dhe mbretërve, pse mos ta uli kokën para Mbretit të mbretërve, Krijuesit të gjithësisë, Zotit të qiejve dhe tokës, i Cili bënë dobi dhe dëm, jep dhe ndalon, ngjallë dhe vdes dhe bënë llogari për gjëra të mëdha dhe të vogla?!

Dy: Miku im i dashur. Namazi nuk është humbje kohe. Sepse njeriu kur ikë nga zhurma e punës, nga zërat e atyreve që vijnë dhe shkojnë, përvidhet nga lodhja e shitblerjes, polemikave dhe pazarllëqeve, mësimit apo mësimdhënies, ose realizimin e kërkesave të klientëve dhe ndalet në vendfaljen e tij, larg prej të gjitha këtyre gjërave, i qetësohet shpirti, i rehatohet zemra, i pushon trupi, i fiket hidhërimi, i kufizohet epshi dhe ndalet disa minuta duke iu drejtuar Atij që e do.

Kërkon prej Tij ndihmë dhe përkrahje, kërkon forcë për të mira, durim në luftim të epshit, falje nëse gabon ndaj ndokujt prej krijesave me shiqim të zymtë, ose fjalë të vrazhda, ose sjellje të egër. Pra, këto minuta, janë mbushje me energji dhe freskim.

Nga kjo pikë e lartë, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur mërzitej dhe dëshpërohej në ndonjë gjë, nxitonte në namaz dhe nëse kthehej i lodhur nga ndonjë betejë, i thoshte Bilalit [radijall-llahu anhu]: “Na qetëso me namaz”. Që të jetë namazi qetësim nga lodhjet e jetës dhe problemet e saja.

Njeriu është i krijuar i dobët, me forcë të kufizuar, nuk ka mundësi të punojë vazhdimisht, andaj ka nevojë për pushim trupor dhe shpirtëror, e këtë nuk e ka përveç se në namaz, kurse pushimi është gjysma e jetës. Për këtë, All-llahu e ka bërë natën pushim, kurse gjumin rehati. Sa kohë kalon njeriu në namaz? Nëse zgjatë, nuk zgjatë ma shumë se një çerek ore. Atëherë, o ti njeri i mençur tregohesh koprac për këtë pjesë të vogël të kohës, përballë këtyre dhuntive që i fiton nga namazi, kurse orë të tëra i kalon në vizita dhe ndeja të ndryshme!

Tre: shoku im i dashur. Namazi nuk është princip politik i ndonjë kryetarit diktatorial, i cili e detyron popullin e tij me vullnet ose pa vullnet t’i zbatojnë mendimet e tija. Namazi është zbatim i një feje, të cilën e pranon njeriu nga bindja dhe dëshira, nuk ka detyrim e as përdhunim, sepse “s’ka përdhunim në fe”. Nuk është princip politik i cili ndryshon prej kohës në kohë, ose mvaret nga mendimet e kryetarëve. Nuk është kanun njerëzor, i cili shkruhet sot dhe polemizohet nesër, ndryshohet pasnesër që të ç’rrënjoset krejtësisht ditën tjetër. Ose vonohet zbatimi derisa të caktohen përgjegjësit, ose derisa ta vërteton pushteti më i lartë. Eshtë një rukën (pjesë përbërëse) i Islamit, është rukni më kryesor i Islamit, pas dëshmisë. E ti o musliman, pasiqë je i kënaqur me këtë fe me vullnet të lirë dhe dëshirën tënde, askush nuk të ka detyruar, atëhere duhet ti zbatosh urdhërat e kësaj feje tërësisht. Sigurisht ti e di se secili njeri është i obliguar të respektojë ligjet e vendit ku jeton, nëse nuk i respekton është mes dy gjërave: ose do ta respekton me nënshtrim, ose do të jep dorëheqje nga nënshtetësia e atij vendi dhe do të largohet nga ai vend.

Habitem, mund një njeri ti frikohet policit e nuk i frikohet Zotit, Krijuesit të qiejve dhe të tokës?! Shiko me mua edhe një herë. Nëse dhezet llamba e kuqe ndalen me dhjetra vetura, bile me qindra, e asnjë veturë nuk mund të kalojë, edhe nëse në ato vetura gjinden njerëz të mëdhenjë. Vallë, si ka mundësi njeriu mos të kalon në llambë të kuqe të semaforit, kurse kanë guxim të thejnë ligjet e All-llahut dhe ti shkelin kufinjtë e Tij, ta sfidojnë me mëkate dhe harame?! Vallë, kjo është argument për plotësinë e mendjes së tyre?! Gjyko ti, dhe bëhu i drejtë!

Katër: Namazi nuk është përkufizim i të drejtave të njeriut e as pengim nga zbatimi i lirive të veta. Të gjithë njerëzit janë të pajtuar se ata nuk janë kafshë të cilat jetojnë mbi ruzullin tokësor, ashtu sikurse jetojnë edhe kafshët nëpër male, por kanë liri dhe liria e tyre është absolute, sikurse në besim ashtu edhe në vepra edhe në fjalë, mirëpo janë të kufizuara me ligj të përgjithshëm, po sikur mos të ishte ky ligj dhe këto rregulla, kurrë nuk do të rregullohej jeta, as që do të lindnin popuj, e as që do të rregulloheshin gjërat në bazë në dobisë së ndërsjelltë mes njerëzve, bile as që do të vazhdonte gjinia njerëzore.

Edhe hipikët, të cilët bëjnë çdo gjë që u bjer ndër mend, të cilët jetojnë nëpër rrugë sikurse qentë endacak, nuk kanë mundësi t’i kundërshtohen ligjit të shtetit ose urdhërave të pushtetit. Bile edhe kafshët nëpër male kanë ligj, sipas të cilin jetojnë. Po të pyesish ndonjë të specializuar në biologji do të sqaronte vërtetësinë e asaj që jam duke e thënë. Ndoshta shembulli më i afërt është shembulli i disa bletave të cilat ndihmohen mes vehte dhe i mizave të cilat i ndihmojnë njëra tjetrës në mbledhjen e mbeturinave të ushqimit.

Edhe ti, o musliman, je i lirë në çeshtjet e tuaja personale, hanë ose agjëron, flenë ose nuk flenë, udhëton ose nuk udhëton, blenë ose shetë, kurse kjo liri është e përshkuar me një sistem hyjnor dhe e kufizuar me kufinj të sherijatit. Prej lirisë tënde është të tërhiqesh disa minutë nga puna jote që të pushosh në xhami, ku do ta ktheshë forcën dhe aktivitetin tënd dhe të dalish nga xhamia i mbushur me energji nga ndihma hyjnore e ta kryesh detyrën dhe misionin tënd.

Prej lirisë tënde është që të jeshë i kufizuar me sistemin hyjnor, i cili ti ka ofruar të gjitha shkaqet e lumturisë dhe komoditetit në dynja dhe ahiret.

Prej lirisë tënde është që mos ti nënshtrohesh asnjë fuqie tokësore, pasiqë fuqia e All-llahut është me ty, e të mbron dhe të ndihmon.

Prej lirisë tënde është të thuash, të duash, të veprosh atë që dëshiron, të shkruash atë që të pëlqen, të tregtosh me çka dëshiron, me kusht që mos të kalosh kufijtë tuaja, sepse me kalimin e kufinjve tua, i mer nëpërkëmbë të drejtat dhe kufinjtë e tjerëve. Këtë e ndalon Islami por edhe ligjet njerëzore.

Pesë: shoku im i dashur. Namazi nuk është gjë e lejuar, sikurse gjërat e thjeshta të jetës, nëse e vepron nuk shpërblehesh dhe nëse nuk e vepron nuk denohesh. Përkundrazi, është gjë e prerë dhe rigoroze. Ka kohë të caktuar, formë të veçantë, metodë të dalluar, plan të vizatuar, nuk ke të drejtë ta devijosh me shtesë ose pakësim, ose ta ndryshosh me dhënie përparësi ose vonim. Eshtë mu sikur kafshata e cila vëndohet në gojë e jo në veshë. Eshtë mu sikur ajri, i cili depërton nga hunda dhe goja në mushkëri e jo nga këmbët. Nëse ti mund ta urdhërosh rahjen e zemrës tënde, ose punën e mushkërive tua, atehëre fol edhe për namazin.

Namazi i ngjanë kryerjes së detyrës tënde, nëse je nëpunës, ose shitblerjes, nëse je tregtar, nëse e kryen detyrën tënde dhe vazhdon punën tënde, në fund të muajit e mer shpërblimin tënd, rrogën dhe e mbush xhepin tënd me fitim. Kurse po mungove nga puna dhe nuk e kreve detyrën tënde, nuk do ta marish rrogën e as nuk do të fitosh.

Shumë herë jep llogari njeriu edhe për gjërat e lejuara ashtu sikurse jep për gjërat obligative. Nëse një njeri në mes nate, e hap zërin e radios deri në fund, ose fillon të këndosh me plotë gojë, sigurisht se do tu pengosh fqinjëve tuaj dhe do të qortojnë, do ta trokasin derën që tia ndalish zërin radios ose të heshtish, përndryshe do të denohesh! A nuk është dëgjimi i radios gjë e lejuar për ty, e dëgjon kur të duash dhe si të duash, atëherë, pse e kufizon lirinë tënde?!

Do të përgjigjeshim duke thënë: t’i e ke përkufizuar lirinë tënde me ligj të veçantë ose të përgjithshëm, të cilin nuk guxon ta kalosh. Atëherë si do të jetë puna me robët e All-llahut, të cilët i kanë besuar Hyjnitetit dhe Zotërimit të Tij, janë të kënaqur me fenë dhe sherijatin e Tij, vallë janë të lirë në ibadetin dhe namazin e tyre, ose janë të kufizuar me urdhëra dhe të detyruar t’i zbatojnë?!

Gjashtë: Po. Namazi është nevojë e domosdoshme, të cilën e kërkon jeta e njeriut, ashtu siç e kërkon ushqimin dhe pijen. Ashtu sikurse ushqimi dhe pija janë lënda e trupit dhe jetës, ashtu është namazi mbajtës i shpirtit dhe lënda e qetësisë, e ngritë pronarin e sajë nga gjërat pa vlerë, saqë drejtohen të gjitha gjërat e tija ashtu sikurse ai drejtohet në namaz.

Namazi është vija ndarëse mes besimit dhe mosbesimit. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Mes mosbesimit dhe besimit është lënja e namazit”.

Cka fiton Islami nga këta musliman falsifikat, të cilët i kundërshtojnë urdhërat e tij?! A nuk i ngjanë fëmiut të padëgjueshëm, i cili është me prejardhje nga ndonjw familje e ndershme, mirëpo aspak nuk u ngjanë atyre me sjellje?! A mund tw shpresojmë të mira pwr njeriu, i cili aspak nuk shpreson për vehten e tij të mira?!

Ne muslimanët, nuk dëshirojmë të jemi sikur shkuma, numërojmë me qindra milion, kurse të mirët në radhët tona tw numrohen me dhjetra. Por një plumb i mbushur me barut, me të cilin mundemi ta vrasim armikun është më mirë sesa të kemi një grusht me plumba pa barut. A ka mundësi të ngritet një godinë me njëqind shtylla, nëse në mes nuk ka shtyllë, kurse shtylla e mesme dhe kryesore është namazi.

Namazi është gjë e domosdoshme në jetën e njeriut, sepse ia përmirëson sjelljen, ia përsosë natyrën, e pengon nga vendi i prishjes dhe devijimit dhe largon nga amoraliteti dhe punët e këqija. Si ka mundësi të bëjë mëkat ai njeri, i cili e di se do të qëndrojë para All-llahut, kurse ky qëndrim nuk pranohet prej tij, nëse nuk është i pastërt edhe në shpirtë edhe në zemër edhe në trup. A nuk keni parë se shumica e muslimanëve e lanë alkoolin kur zbriti ajeti:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَقْرَبُوا الصَّلَاةَ وَأَنْتُمْ سُكَارَى حَتَّى تَعْلَمُوا مَا تَقُولُونَ

“O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni,..”. (En-Nisa: 43).

Si ka mundësi t’i afrohen namazit, kur ata janë ndotur me ndytësirën e alkoolit?! Ata doemos duhet t’i afrohen sepse duhet falur pesë herë në ditë, për këtë duhet larguar tërësisht nga alkooli, që të jenë vazhdimisht të gatshëm për ta takuar All-llahun e Madhërishëm.

Shoku im. Namazi është peshojë me të cilën njeriu i peshon veprat e veta që i ka bërë mes dy namazeve, ashtu sikurse e llogaritë mjeku temperaturën herë pas here. Nëse veprat e tija janë të mira i thotë: duro dhe vazhdo, e nëse i ka të këqija, i thotë: kthehu dhe përqendro. Kur ta dëgjojë muezinin duke thënë: All-llahu Ekber, i kujtohet dhe kupton se All-llahu është më i Madh se sa puna në të cilën është, andaj largohet prej dunjasë dhe i përgjigjet ftesës së All-llahut.

Të jeshë i bindur, se njeriu që falet, është njeriu nga i cili shpresohet mirësi dhe fe, edhe pse mund ta gjeshë shpesh herë të devijuar, mirëpo do të vjen dita kur ky namaz do ta largojë nga punët e këqija, sepse ky njeri në namaz lexon Kur’an, ai edhe pse shumë herë e lexon Kur’anin pa vëmendje, do të vijë çasti dhe momenti kur do të jetë i vëmendshëm, e do të lexojë ajete që do tia dridhin zemrën dhe do të zgjohen emocionet e të mirës te ky njeri. Këtë e ndihmon ajeti:

وَأَقِمْ الصَّلَاةَ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَى عَنْ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنْكَرِ

“…fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat,…”. (El-Ankebut: 45). Kurse ai që nuk falet nuk lexon Kur’an, e ai që nuk lexon Kur’an nuk përfiton nga Kur’ani, andaj mbetet në devijim dhe lajthitje.

Shtatë. Vëllau im i dashur. All-llahu [subhanehu ve teala] nuk ka nevojë për namazin tënd, por ne kemi nevojë që t’i falemi, Ai ska nevojë për krijesat, kurse mbarë krijesat janë të varfura për Te.

يَاأَيُّهَا النَّاسُ أَنْتُمْ الْفُقَرَاءُ إِلَى اللَّهِ وَاللَّهُ هُوَ الْغَنِيُّ الْحَمِيدُ(15)إِنْ يَشَأْ يُذْهِبْكُمْ وَيَأْتِ بِخَلْقٍ جَدِيدٍ(16)وَمَا ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ بِعَزِيزٍ(17)

“O ju njerëz, ju keni nevojë për All-llahun e All-llahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari. Po të dojë Ai, juve ju zhduk e sjell krijesë të re. E për All-llahun ajo nuk është e vështirë”. (Fatir: 15-17).

All-llahu [subhanehu ve teala] i ka krijuar njerëzit, të xhveshur, të zbathur, me duar të zbrazta, me trup të dobët dhe me mendje të ngurtë, nuk dinë të bëjnë dallim me hurmës dhe gacës, nuk mund t’i bëjnë vetvetes as dëm e as dobi, i ushqen e i forcon, i përkrahë me shëndet, mendje e pasuri, çdo gjë që ka mbi tokë e qiej ia nënshtron njeriut, i dhuron dhunti të brendshme dhe të jashtme, e a pas këtyre dhuntive që ia jep njeriut, Ai Mbreti i mbretërve, në Dorën e Tij janë depotë e qiejve dhe tokës, ka nevojë për namazin tonë?!

Jo, ai aspak s’ka nevojë për namazin tonë, por namazi ynë është deklaratë e qartë për dashurinë tonë ndaj Tij, pranim i dhuntive që na i ka dhënë. Kurse ata që e neglizhojnë namazin, edhe atyreve All-llahu u ka dhënë dhunti po sikur neve, ndoshta edhe ma shumë se neve, mirëpo ne i konfirmojmë dhuntitë e All-llahut, kurse ata i mohojnë. Ata kanë haruar ditën kur kanë lindur, atë ditë kur nuk posedonin asgjë, e kanë haruar ditën kur do të vdesin dhe të gjithë pasurinë që e kanë tubuar do t’ia lënë pasardhësve të tyre, ata do të kënaqen me atë pasuri, kurse ata do japin llogari. Këta njerëz janë treguar kryelartë ndaj adhurimit të All-llahut dhe i kanë kalur kufinjtë e Tij, andaj fundi i tyre është në xhehenem.

إِنَّ الَّذِينَ يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِي سَيَدْخُلُونَ جَهَنَّمَ دَاخِرِينَ(60)

“…e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehennem”. (Gafir: 60).

Pse mbetesh musliman, o ti që nuk falesh, pasiqë je i panevojshëm për Islam?! Pse nuk falesh nëse je i bindur në Islam?! A të vjen keq të të thonë se je fetar dhe i frikohesh All-llahut?! A gëzohesh nëse të thonë se je mëkatar dhe e sfidon All-llahun?! Vallë, si ka mundësi të respektosh kryetarët tu, kurse nuk respekton All-llahun?! Vallë, kryetarët janë më të vlefshëm te ti sesa All-llahu?! All-llahu është më i larti dhe më i madhi.

Husejn ibn Ubejdi erdhi te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për ta qortuar ate për shkak të sfidimit të mushrikëve kurejshitë, qortimin e mendimeve dhe idhujve të tyre. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e la pa tekst, i solli argument të fuqishëm dhe e kundërshtoi të kotën me fjalë të vërtetë, e cila e detyroi t’i nënshtrohet dhe të pranon të vërtetën edhe pse më parë e kishte zemrën e ngurtë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: Husejn, sa zotëra beson? Tha: shtatë në tokë dhe një në qiell! Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: Kur të vijnë vështirësitë, kujt i lutesh? Tha: Atij që është në qiell. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: Kur të shkatërrohet pasuria kujt i lutesh? Tha: Atij që është në qiell. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: O Husejn, vetëm Ai që është në qiell të përgjigjet, kurse ti Atij i bënë ortak. Husejn bëhu musliman që të shpëtosh”.

Unë të tham ty, o njeri që nuk falesh, që ke haruar se All-llahu të kontrollon dhe se vdekja të pret: falu nëse dëshiron të shpëtosh nga denimi i All-llahut, është turp për ty, t’i lutesh All-llahut në vështirësi e ta harosh në bollëk.

Tetë: vëllau im i dashur. Ajo që e fiton nga namazi është krejt mirë, nga namazi fiton ti edhe vëllezërit tuaj musliman. A nuk ke dëshirë që të t’i falë mëkatet All-llahu që i ke bërë në të kaluarën?! Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “A tu tregojë gjëra me të cilat shlyhen mëkatet dhe ngriten shkallët? Thanë: po, gjithsesi, o i dërguar i All-llahut. Tha: Marja abdest në vështirësi, hapat e shumta për në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është sikur gatishmëria e xhihadit”. Nëse All-llahu t’i falë mëkatet, gëzohen vëllezërit tuaj musliman, sepse ata të dëshirojn ty atë që i dëshirojnë vetvetes.

Dobitë e namazit janë të shumta, janë aq saqë nuk ka mundësi të numërohen ose t’i shkruaj lapsi, pasiqë është urdhër Hyjnor, me të cilin e adhurojnë njerëzit All-llahun.

قُلْ لِعِبَادِي الَّذِينَ آمَنُوا يُقِيمُوا الصَّلَاةَ وَيُنفِقُوا مِمَّا رَزَقْنَاهُمْ سِرًّا وَعَلَانِيَةً مِنْ قَبْلِ أَنْ يَأْتِيَ يَوْمٌ لَا بَيْعٌ فِيهِ وَلَا خِلَالٌ(31)

“Robëve të Mi, të cilët besuan thuaju: “Të falin rregullisht namazin dhe me atë që i furnizuam ata, të japin fshehtas e haptas, para se të vijë një ditë që në te nuk ka as kompensim as miqësi”. (Ibrahim: 31) .

1- All-llahu ka përmbledhur të mirat e namazit më shprehje shumë përmbledhëse dhe shumë të shkurtër.

وَأَقِمْ الصَّلَاةَ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَى عَنْ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنْكَرِ

“…fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat,..”. (El-Ankebut: 45). I mbetet njeriut që të numëron krejt veçoritë, nëse nuk mundet t’i numërojë të tërat, atëherë së paku le ti kujtohen disat prej tyre.

Nëse, ti, i largon gjërat amorale nga vetvetja jote, ia shkulë rrënjët nga sjellja jote, atëhere të pastrohet feja, të filtrohet shpirti, të shërohet zemra, i ke të mira gjymtyrët, kurse po i largove të këqijat, e ke mbytyr një mikrob shumë të dëmshëm në shoqërinë tënde, e me këtë siguron fenë, vetveten dhe familjen.

2- Namazi të ndihmon në vështirësi dhe për të zgjedhur situatat e komplikuara. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

وَاسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ وَإِنَّهَا لَكَبِيرَةٌ إِلَّا عَلَى الْخَاشِعِينَ(45)

“Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin)”. (El-Bekare: 45).

Namazi është rehati e mendjes dhe e trupit tënd nga punët e jetës dhe lodhja e punës. Eshtë elementi kryesor që i ndërlidhë muslimanët mes vehte dhe i barazon, të mëson në rregull dhe ngritje nga çdo gjë e kësaj bote, e pastron zemrën nga epshi, nga armiqësia dhe zilia, e mbron gjuhën, shikimin dhe dëgjimin, mer edukatë dhe sjellje, mësohesh t’i zbatosh obligimet dhe detyrat në çdo kohë, edhe kur ke edhe kur nuk ke vullnet.

3- S’ka dyshim se namazi ka edhe dobi shëndetësore gjatë qëndrimeve në te edhe pse ne nuk i dijmë këto gjëra.

Muslimanët e mëparshëm urdhërat e All-llahut i pranonin duke mos kërkuar shkakun dhe dobinë e tyre, por i zbatonin ato pa asnjëfar komentimi. Mirëpo dobësia e elementit fetar në jetën e muslimanëve të kësaj kohe i detyron këshilluesit, që për të udhëzuar dhe këshilluar njerëzit, të mendojnë dhe analizojnë mbi vlerat e kësaj feje madhështore, që ti paraqesin para njerëzve.

O musliman!

– Të këshilloj që të falesh dhe të kujdesesh për namazin tënd, sepse askush nuk të bënë dobi para All-llahut, askush nuk e mer mëkatin tënd, askush nuk do të polemizojë për ty me All-llahun, askush nuk do të mund të të mbrojë nga dwnimi i Tij, nuk do të bënë dobi as pasuria e as familja, nuk do të mbesin as autoriteti e as fama. Do të pendohesh për këtë mangësi, atë ditë që aspak nuk të bënë dobi pendimi, do të vjen vdekja në befasi, në çastin kur ti nuk e pret, andaj pregaditu, mendo për gjendjen tënde dhe mer këshillë nga ata që kanë qenë para teje.

– Dije se gjëja e parë për të cilën do të pyetë All-llahu në ditë të Kijametit është namazi, nëse namazin e ke në rregull, pastaj të pyet për zekatin, agjërimin e haxhxhin, nëse me namazin nuk je në rregull, atëhere për asgjë tjetër nuk do të pyetesh.

– Dije se lënia e një namazi obligativ me qëllim, shkakton largimin e mbrojtjes së All-llahut dhe garancës së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

– Mos u bë musliman falsifikat, i cili një namaz e falë e dhjetë tjera nuk i falë dhe mos u përngjajë munafikëve të cilët kur ngriten për në namaz, ngriten me përtesë.

– Kujdesu mos të thotë shejtani në gjuhën tënde, atë që e thotë në gjuhën e shumë muslimanëve falsifikat: namazi nuk është me rëndësi, me rëndësi është zemra e pastërt, edhe pse nuk falemi, ne nuk i bëjmë dëm askujt. Ata janë duke gënjyer, ata fyejnë All-llahun dhe Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

– إِنَّ الَّذِينَ يُؤْذُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ لَعَنَهُمْ اللَّهُ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَأَعَدَّ لَهُمْ عَذَابًا مُهِينًا(57)وَالَّذِينَ يُؤْذُونَ الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ بِغَيْرِ مَا اكْتَسَبُوا فَقَدِ احْتَمَلُوا بُهْتَانًا وَإِثْمًا مُبِينًا(58)

“E s’ka dyshim se ata janë, të cilët e fyejnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar All-llahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm. E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me shpifje dhe me një mëkat shumë të madh”. (El-Ahzab: 57-58). Aka fyerje më të madhe për All-llahun, se sa bërje mëkate ndaj Tij?! A ka dëmtim më të madh për Pejgamberin sesa mosrespektimi i urdhërave të tij?! A ka fyerje ma të madhe për muslimanët se sa mosnderimi i fesë së tyre dhe pasimi i rrugëve tjera?!

– Nëse sheh njerëz që falen dhe bëjnë mëkate, duhet të dishë se ata nuk janë të pagabueshëm, mëkatet e tyre nuk kanë lidhje me namazin e tyre, fundi i fundit, ti nuk je llogaritës i tyre, e as që do të japish llogari për ta. Je i bindur, se ata do të largohen nga këto mëkate ndonjë herë. Pastaj, pse nuk bëhesh ti edhe ma i mirë se ata, bëhu shembëlltyrë për ta dhe këshilltarë i tyre. Bëhu prej atyreve që e largon namazi nga gjërat e neveritshme dhe amorale, e mos u bë prej atyreve që mos kryerja e faljes i largon prej All-llahut.

– Falu, nëse je i mençur, sepse njeriu i mençur nuk e le namazin. Mos u bë nga ata që nuk e përdorin mendjen dhe shqisat e tyre në gjëra që u bëjnë dobi, por i pasojnë epshet dhe shejtanin. All-llahu [subhanehu ve teala] për ta thotë:

وَلَقَدْ ذَرَأْنَا لِجَهَنَّمَ كَثِيرًا مِنْ الْجِنِّ وَالْإِنسِ لَهُمْ قُلُوبٌ لَا يَفْقَهُونَ بِهَا وَلَهُمْ أَعْيُنٌ لَا يُبْصِرُونَ بِهَا وَلَهُمْ آذَانٌ لَا يَسْمَعُونَ بِهَا أُوْلَئِكَ كَالْأَنْعَامِ بَلْ هُمْ أَضَلُّ أُوْلَئِكَ هُمْ الْغَافِلُونَ(179)

“Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehennem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët”. (El-A’raf: 179).

– Falu, nëse je njeri i lirë dhe me nderë, e mos u bë sikur ata mëkatarët e të shkatërruarit.

– Falu, nëse je prej atyreve që i falënderon të mirat dhe nuk i haron.

– Falu, nëse me të vërtetë je musliman, mos i kundërshto fjalët tuaja me veprat tuaja e të bëhesh prej munafikëve.

– Falu, nëse dëshiron të shpëtosh nesër nga dwnimi i dhembshëm, mos u trego kryeneç dhe mos insisto në mëkate, e të sundon shejtani dhe të bëhesh nga të humburit.

– Falu, nëse je bamirës ndaj prindërve tuaj, sepse nëpërmjet namazit lutesh dhe kërkon falje për prindërit tuaj.

– Falu, nëse ua dëshiron të mirën fëmijëve tu dhe gruas tënde dhe bëhu shembëlltyrë për ta. Si ka mundësi të falen ata nëse ti vet nuk falesh. A dwshiron ti shohish nesër duke u djegur ata në xhehenem?!

– Falu, nëse ia dëshiron të mirën vendit tënd, sepse kush nuk i bënë mirë vetvetes, as vendit të vet nuk mundet t’i bëjë mirë. Pastaj si ka mundësi që All-llahu tua ruan vendin dhe të mirat në te, nëse ata e mohojnë dhe nuk e falënderojnë?! Fundi i fundit, kafirat e botës, janë duke i sunduar muslimanët nga shkaku i lënies së namazit dhe bërjes së mëkateve!

– Falu, nëse e do All-llahun, sepse njeriu i dashuruar kënaqet duke biseduar në vetmi me të Dashurin e vet, le të jetë namazi një pjesë e këtij kontakti.

– Falu, nëse i frikohesh All-llahut të Madhërishëm, sepse i është kërcënuar atij që nuk falet me xhehenem, kurse ti nuk ke mundësi të durosh nxehtësinë e diellit, e si ke mundësi të durosh nxehtësinë e zjarit të xhehenemit?! Dije se zjari i kësaj bote është një e shtatëdhjeta pjesë e xhehenemit. Zjari i ahiretit, është errësirë, duhet të udhëtojë shtatëdhjet vjet derisa të bjer në fund.

فِي جَنَّاتٍ يَتَسَاءَلُونَ(40)عَنْ الْمُجْرِمِينَ(41)مَا سَلَكَكُمْ فِي سَقَرَ(42)قَالُوا لَمْ نَكُ مِنَ الْمُصَلِّينَ(43)وَلَمْ نَكُ نُطْعِمُ الْمِسْكِينَ(44)وَكُنَّا نَخُوضُ مَعَ الْخَائِضِينَ(45)وَكُنَّا نُكَذِّبُ بِيَوْمِ الدِّينِ(46)حَتَّى أَتَانَا الْيَقِينُ(47)فَمَا تَنْفَعُهُمْ شَفَاعَةُ الشَّافِعِينَ(48)فَمَا لَهُمْ عَنْ التَّذْكِرَةِ مُعْرِضِينَ(49)كَأَنَّهُمْ حُمُرٌ مُسْتَنْفِرَةٌ(50)فَرَّتْ مِنْ قَسْوَرَةٍ(51)بَلْ يُرِيدُ كُلُّ امْرِئٍ مِنْهُمْ أَنْ يُؤْتَى صُحُفًا مُنَشَّرَةً(52)

“Që janë në Xhennete e i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, Përkitazi me kriminelët (e u thonë):

“Cka u solli juve në Sekar?” Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz); Nuk kemi qenë që ushqyenim të varfërit; Dhe kemi qenë që përziheshim me të tjerët në punë të kota. Dhe kemi qenë që nuk e besonim ditën e gjykimit. Derisa na erdhi e vërteta (vdekja)!” E tanimë, atyre nuk u bën dobi ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve, Po çka kishin ata që largohesin prej këshillës (Kur’anit)? Ata ishin si gomarë të trembur (të egër). Që ikin prej luanit (ose prej gjahtarit). Veç kësaj, secili prej tyre dëshironte t’i jepej libër i posaçëm (i hapët, i qartë)”. (El-Mudeththir: 40-52).

– A të gëzon nëse në Ditë të Kijametit të thonë se je kriminel dhe tu thotë Zoti melekëve të ashpër:

خُذُوهُ فَغُلُّوهُ(30)ثُمَّ الْجَحِيمَ صَلُّوهُ(31)ثُمَّ فِي سِلْسِلَةٍ ذَرْعُهَا سَبْعُونَ ذِرَاعًا فَاسْلُكُوهُ(32)إِنَّهُ كَانَ لَا يُؤْمِنُ بِاللَّهِ الْعَظِيمِ(33)وَلَا يَحُضُّ عَلَى طَعَامِ الْمِسْكِينِ(34)فَلَيْسَ لَهُ الْيَوْمَ هَاهُنَا حَمِيمٌ(35)وَلَا طَعَامٌ إِلَّا مِنْ غِسْلِينٍ(36)لَا يَأْكُلُهُ إِلَّا الْخَاطِئُونَ(37)

“U thuhet zebanive: Kapeni atë, vëjani prangat! Pastaj atë shtijeni në Xhehennem…Mandej, lidheni atë me një zinxhirë të gjatë shtatëdhjetë kutë. Pse ai ka qenë që nuk besoi All-llahun e madhëruar. Ai nuk nxiste për t’i ushqyer të varfërit. Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik. As ushqim tjetër përveç të të shplarave. Që atë nuk e ha kush, pos mëkatarëve”. (El-Hakka: 30-37).

– sigurisht se ti qwndron me mua kur tham se lërja e namazit është mëkat, atëherë pse nuk e falë?! A ke garancë prej All-llahut se do ta falë këtë mëkat?! A nuk e kë dëgjuar këtë udhëzim, të cilin ia ka dhënë All-llahu Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:

قُلْ إِنِّي أَخَافُ إِنْ عَصَيْتُ رَبِّي عَذَابَ يَوْمٍ عَظِيمٍ(15)

“Thuaj: “Vërtet, unë i frikësohem dënimit të ditës së madhe, nëse nuk i përulem Zotit tim”. (El-En’am: 15). Mos je ti më i nderuar te All-llahu sesa Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]?! Nëse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është më me nderë te All-llahu dhe i frikësohet denimit të Tij, vallë çka mbetet për ty?!

– Vëllau im i dashur. Nëse të kërcënohet një polic se do të mbyllë në burg ose nëse të kërcënohet ndonjë kryetar, kurë nuk do të rahatoheshe, do të frikoheshe dhe trishtoheshe. Mirëpo si do të jetë puna, nëse të kërcënohet Hakmarësi, ku do të shkosh dhe ku do të fshehesh?!

– A do të shpëton të qajturit dhe keqardhja kur do ta shohish zjarin?! Cfarë të mirë rezervon për në ahiret, nëse në dunja nuk falesh?! Cfarë humb nëse falesh?! Cfarë të gëzon, të jeshë më të lumturit në xhennet apo me të humburit në xhehenem?!

– Falu, njihe All-llahun kur ke bollëk që të tw njohë Ai ty kur je në vështirësi.

– Falu, e mos u bë musliman vetëm me emër dhe mos u bënë shkaktar i shkatërrimit të Islamit, por bënu prej atyreve që thonë:

Baba im është Islami

Kur të tjerët krenohen

Me Kajsin ose Temimin (dy fise të njohura arabe sh.r.)

-Falu, se me këtë u ndihmon vëllezërve të mirë musliman, duke ua shtuar numrin, duke e pakësuar armikun e tyre dhe numrin e munafikëve.

-Falu, se me këtë vepër e kënaq All-llahun dhe e hidhëron shejtanin dhe i largon kurthet e kurthtarëve.

-Falu, sepse namazi e largon erësirën e devijimit dhe lajthitjes në dunja, futë në zermën tënde dritë dhe udhëzim, ta ndriçon erësirën e varrit dhe të bënë dritë në urën e ditës së Kijametit.

-Falu, sepse namazi është ndihmesa më e madhe në braktisjen e mëkateve dhe pranga ma e vështirë për shejtanin dhe epshin.

-Falu, sepse llogaria është e rëndë, kurse Llogaritësi i Gjithmundshëm. Dije se kafshët kur do të shohin se ku përfundojnë njerëzit mëkatarë, do të thonë: e falënderojmë All-llahun që nuk na ka bërë si ju, nuk shpresojmë xhennet, mirëpo as që frikohemi prej zjarit. Këtë ditë, krimineli do të shpresojë të jetë dhe.

إِنَّا أَنذَرْنَاكُمْ عَذَابًا قَرِيبًا يَوْمَ يَنظُرُ الْمَرْءُ مَا قَدَّمَتْ يَدَاهُ وَيَقُولُ الْكَافِرُ يَالَيْتَنِي كُنتُ تُرَابًا(40)

“Ne ua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për një dënim të afërt, në ditën kur njeriu (besimtar) shikon se çka i kanë sjellë duart e veta, e jobesimtari thotë: “Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhe”. (En-Nebe’: 40).

Më në fund, vëllau im, falu se edhe unë falem, ta dua ty atë që ia dua vehtes, pasiqë të kam vëlla nga feja.

Falu në shenjë respekti ndaj All-llahut, i Cili thotë:

حَافِظُوا عَلَى الصَّلَوَاتِ وَالصَّلَاةِ الْوُسْطَى وَقُومُوا لِلَّهِ قَانِتِينَ(238)

“Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj All-llahut të jeni respektues (në namaze)”. (El-Bekare: 238). Dhe nga frika që mos të ringjalleni në grupin e mosbesimtarëve, pasiqë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Marrëveshja mes neve dhe juve është namazi, kush e le, ka bërë kufër”.

Falu, sepse pasha All-llahun, përveç të Cilit s’ka hyjni tjetër, unë mundohem të jem këshilltari yt.

Na bëftë All-llahu prej atyreve që i dëgjojnë fjalët dhe i pasojnë ato ma të mirat. Paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], mbi familjen dhe mbi shokët e tij. Falënderimi qoftë për All-llahun.

Abdur-Reuf Hanavi

Përktheu: Bekir Halimi/ISLAM.MK

Publikimi i parë: 02.02.2001

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit