-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Pse e lexojmë kaptinën Kehf?

Më të lexuarat

294132 273075102709948_132232656794194_1342300_6965229_nÇdo herë e lexojmë kaptinën Kehf ditën e xhuma, por për fat të keq shumica nuk e dinë urtësinë dhe mirësinë e leximit të saj.

Realiteti është se shumë është folur për këtë sure të Kuranit, e unë kam zgjedhur t’iu sjellë shkurtimisht diçka të bukur rreth saj…

Kur’ani është fjalë e Allahut të Lartësuar që i ka zbritur Muhamedit alejhi selam, dhe ajo është një mrekulli e përjetshme, Muhamedi alejhi selam ka thënë: “më i mirë prej jush është ai që mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve”.

Të mësojmë më shumë rreth kësaj sure…

Surja Kehf është sure Mekase dhe është njëra nga pesë suret që fillojnë me Elhamdulilah – falënderimi i takon Allahut, e ato janë: Fatiha, En’am, Kehf, Sebe dhe Fatir.

Në këtë sure janë përmendur katër tregime kuranore e ato janë:

a) Banorët e shpellës;

b) Pronari i dy kopshteve;

c) Musau dhe Hidri alejhima selam; dhe

d) Dhulkarnejni.

Kjo sure ka mirësi të cilat na ka treguar Muhamedi, alejhi selam në një hadith ku thotë:

a) “Kush e lexon suren Kehf natën e xhuma, i bëhet dritë (në një distancë) prej tij deri në Qabe”. (Transmeton Darimiu )

b) “Kush e lexon suren Kehf ditën e xhuma, i bëhet dritë atij ndërmjet dy xhumave.”. (Transmeton Hakimi dhe Bejhekiu )

Katër tregimet e surës Kehf i lidhë një bosht kryesorë e ato janë katër sprovat në këtë botë:

a) Sprova në fe (tregimi i banorëve të shpellës).

b) Sprova në pasuri (tregimi i pronarit të dy kopshteve).

c) Sprova në dituri (tregimi i Musës dhe Hidrit ).

d) Sprova në pushtet (tregimi i Dhulkarnejnit).

Këto sprova janë të rënda mbi njerëzit dhe lëvizësi kryesorë i tyre është djalli i cili i zbukuron këto sprova, për këtë ka ardhur ajeti kuranor:

“Dhe kur u thamë engjujve “përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhërin e Zotit të vet. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?”

Për këtë Muhamedi, alejhi selam ka thënë se kush e lexon këtë e ka mbrojtur Allahu nga sprova e Dexhallit sepse ai vjen me këto katër sprova tek njerezit.

Muhamedi, alejhi selam në namaz kërkonte mbrojtje nga këto katër gjëra, e njëra nga këto ishte edhe mbrojtja nga Dexhalli.

Të gjitha tregimet e kaptinës Kehf flasin për njërën nga këto katër sprova, e pas saj vjen mbrojtja nga ato:

1- Sprova në fe: tregimi i djelmoshave që kanë ikur nga mbreti i padrejtë për të ruajtur fenë e tyre dhe kështu ia mësyen shpellës ku dhe aty u ndodhi mrekullia, djelmoshat qëndruan 309 vite .

Allahu ka thënë:

“Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkjtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar. E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgaditur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”. Sure Kehf, 28-29.

Mbrojtja nga sprova në fe arrihet me shoqëri të shëndoshë dhe përkujtim të botës tjetër.

2- Sprova në pasuri: tregimi i pronarit të dy kopshteve të cilit Allahu i ka dhënë çdo gjë, mirëpo ai mohoi dhuntitë e Allahut dhe ringjalljen, kështu që Allahu ia shkatërroi ato.

Pastaj vjen mbrojtja nga kjo sprovë…:

E ti (Muhamed) paraqitjau atyre shembullin e kësaj bote që ëshë si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshëtohet sa që përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. All-llahu ka fuqi për çdo send. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (frtyi i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë. Kehf 45-46

Mbrojtja nga sprova në pasuri arrihet me kuptimin e realitetit të kësaj bote dhe përkujtimin e botës tjetër.

3- Sprova në dituri: tregimi i Musës me Hidrin, Musa, alejhi selam mendonte se është më i dituri në tokë, e Allahu e inspiroi se dikush është më i ditur se ai, pastaj shkoi ta takoj dhe të mësoj prej tij, por nuk mundi të bëjë durim në atë që Hidri vepronte sepse nuk e kuptonte urtësine e veprimeve të tij, sepse ai shikonte vetëm anën e jashtme.

Vjen ajeti i mbrojtjes nga kjo sprovë:

“(Musai) Tha: “Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty asgjë!” Kehf 69

Mbrojtja nga sprova në dituri është modestia dhe të mos biesh në kurthin e vetëpëlqimit.

4- Sprova në pushtet: tregimi i Dhulkarnejnit i cili ishte mbret i drejtë dhe që posedonte dituri, lëvizte prej lindjes në perëndim thirrte në rrugën e Allahut dhe përhapte të mirën, derisa arriti tek një popull i cili frikohej nga sulmi i Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, i ndihmoi në ndërtimin e pengesës për t’i parandaluar ata, dhe ajo ende vazhdon të jetë e ngritur edhe sot.

Vjen ajeti i mbrojtjes:

“Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpruarit në veprat e tyre?” Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” Kehf 103-104

Mbrojtja nga sprova në pushtet është me sinqeritet për Allahun në punë dhe duke përkujtuar botën tjetër.

Përfundimi i kaptinës: ajeti i fundit nga kaptina Kehf i kushton rëndësi mbrojtjes së plotë nga sprovat duke përkujtuar botën tjetër:

“Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë.” Kehf 110

Atëherë të punojmë punë të mira dhe të sinqerta për Allahun ashtu që të na pranohen.

Përshtati: Valdet KAMBERI

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit