Qytetarët e pakënaqur në lidhje me vendimin e presidentit Ivanov për amnistimin e politikanëve që janë nën hetim, janë rikthyer përsëri përpara selisë së VMRO-DPMNE-së, njofton Portalb.
Protestës i janë bashkëngjitur edhe funksionarët e lartë të LSDM-së, bashkë me liderin e tyre Zoran Zaev, por edhe Stojançe Angellov dhe Fiat Canoski.
Vendi është nën përforcim të njësitit special dhe forcave të mëdha të policisë, ndërkaq situata është e qetë edhe pse thirrjet dhe të bërtiturat nuk kanë të ndalur.
Protestuesit janë rikthyer në selinë e VMRO-së, pasi që paraprakisht tentuan t’i thyejnë 3 kordonët e policisë, megjithatë ata u ndalën dhe kështu ata vazhduan përpara Qeverisë së Maqedonisë.
Thirrjet “nuk ka drejtësi nuk ka paqe”, “shtet mafioz” e të ngjashme nuk ndalën as përpara Qeverisë.
Përndryshe protesta e sotme, fillimisht ka nisur nga dhjetëra qytetarë të pakënaqur me vendimin e presidentit Ivanov, të cilët janë tubuar përpara Prokurorisë Speciale për t’i dhënë mbështetje, që më pastaj, atyre iu bashkëngjitën edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve për të vazhduar deri përpara zyrës së Ivanovit të cilën e gjuajtën me vezë.
Protesta vjen pasi sot pasdite, presidenti Gjorge Ivanov ka njoftuar se ka sjell vendim që të firmos faljen e të gjithë politikanëve të cilët janë nën hetime, ndaj të cilëve është ngritur procedure hetimore si dhe për një politikan i cili është duke vuajtur dënimin me burg.
Ivanov me këtë rast nuk ka nënvizuar se për cilët politikanë bëhet fjalë. Ivanov ka theksuar se vendimin e ka marrë vetë dhe se për këtë nuk i ka njoftuar politikanët për arsye se ndoshta ndonjëri prej tyre ndihet i pafajshëm dhe këtë dëshiron ta tregoj përmes procedurës gjyqësore.